MENU
klinika

“Bloomsday”

Nëpër labirintet, vetëm të Xhojsit!

16.06.2021 - 15:34

        Mund të durohet kafshimi i ujkut, por jo i deles.

Jeta është shumë e shkurtër, për të lexuar një libër të keq.

James Joyce, circa 1922

“Bloomsday” është festa e përvitshme e mbajtur në Dublin – dhe më gjerë – për të festuar shkrimtarin irlandez Xhejm Xhojs. Duke përkujtuar jetën dhe legjendën e shkrimtarit irlandez, çdo 16 qershor, për një çast nderohet dhe festohet gjithçka kemi përfituar nga krijimtaria e tij e pavdekshme. Domethënia e 16 qershorit është marrë nga romani “Uliksi”, botuar në vitin 1922, ngjarja e të cilit vendoset më 16 qershor 1904, duke ndjekur një ditë nga jeta e protagonistit të historisë – Leopold Bloom. Po ashtu, të njëjtën ditë Xhoisi takoi për herë të parë bashkëshorten, Nora Barnacle, me të cilën ndau një marrëdhënie të dashur dhe pasionante gjatë gjithë jetës. Historia e Leopold Bloom-it njihet si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë moderniste, madje është konsideruar si katalizatori i gjithë lëvizjes. Sot, qyetatarët në Irlandë, por edhe adhuruesit në mbarë botën festojnë me festivale, lexime, dramatizime, etj., për të nderuar shkrimtarin që ndryshoi përgjithmonë letërsinë. Irlandezi i kryeveprave moderniste si “Dublinasit”, “Portreti i një artisti të ri”, i cili u përshkrua si “një përzierje kurioze e gjeniut keqbërës dhe talentit të pasigurt”, hodhi themelet e kryeveprës “Uliksi”.

16 qershor 1904

Pa dyshim, pjesa më interesante dhe e famshme e historisë së romanit është ajo e treguar në përroin e ndërgjegjjes nga Leopold Blumi. Leopoldi prokuron reklama në një gazetë dhe jeton me të shoqen, Moli. Sigurisht, kjo që është një lloj parodie e Penelopës nga “Odisea”, me ndryshimin e vetëm, se, ndërsa bashkëshortja e Uliksit e pret për njëzet vjet, duke qëndruar i besnike, Moli, nga ana tjetër, ka një lidhje jashtëmartesore, për të cilën Leopoldi, ndër të tjera, është i vetëdijshëm.

“Uliksi” i solli famë ndërkombëtare Xhoisit, me format novatore letrare të veprës, përfshirë shkrimin e vetëdijes, që ishin një ndikim i menjëhershëm tek romancierët në të gjithë botën. Ngjarja e romanit zhvillohet në Dublin, në harkun kohor njëditor, por paralelizon udhëtimin epik 10-vjeçar të përshkruar në “Odisenë” e Homerit. /Konica.al/Megjithëse, e ngjyrosur me aludime të shumta, forca e “Uliksit” nuk qëndron në kompleksitetin intelektual, por në thellësinë e karakterizimit, gjerësinë e humorit dhe festimin e përgjithshëm të jetës.

Tradicionalisht, romanet (si shumica e filmave sot) na prezantojnë njerëzit që shprehen me fjali të mirëformuluara, të qarta dhe të përshtatshme. Dhe ne priremi të supozojmë (pa e menduar vërtet), se ky është reflektimi i drejtë i gjendjes së tyre shpirtërore. Ata shqiptojnë mendimet dhe ndjenjat që kanë. Mirëpo, kjo nuk është aspak mënyra e Xhojsit. Ai depërton në mendjet tona dhe përpiqet të na tregojë sesi tingëllon në të vërtetë të menduarit. Në një çast, te “Uliksi”, Leopold Bloomi mediton për ciklin e jetës, teksa shikon lëvizjen e tramvajit dhe njerëzit në rrugë. Sa më shumë që Xhojsi hyn nën sipërfaqen e shprehive tona për të zbuluar kakofoninë e mendimeve, aq më shumë ai ndjente nevojën për të shtrembëruar dhe rimodeluar gjuhën, për të kapur sesi tingëllon për ne vetë./Konica.al

Xhojs është një nga shkrimtarët më të nderuar në gjuhën angleze dhe një figurë qendrore në historinë e romanit. Vijon të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak të përkushtimit ndaj disa temave thelbësore: ideja e madhështisë së jetës së zakonshme, vendosmëria për të portretizuar atë që në të vërtetë na kalon në mendje në çdo moment (atë që ne tani e njohim si përroi i ndërgjegjjes) dhe vendosmëria e tij për të fiksuar në faqet e librit sesi tingëllon në të vërtetë gjuha në mendjet tona.

Gjatë qëndrimit në Trieste, Xhojs qe mësuesi i anglishtes i Italo Svevos dhe ishte falë këtij takimi të rastit që Svevo shkroi “Ndërgjegjja e Zenos”. Injoruar në Itali në romanet e parë, Xhois e inkurajoi Svevon që t’i rithehej të shkruarit. Xhois e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke shkruar. I konsideruar gjerësisht, si autori më i madh i Irlandës, vdiq në Zyrih, Zvicër, në moshën 58-vjeçare.

Një nga shkrimtarët më të shkëlqyer dhe më të guximshëm të shekullit të 20-të, “Uliksi”, kryevepra e tij renditet ndër veprat më të mëdha në gjuhën angleze.

Jeta është si një jehonë: nëse s’të pëlqen çfarë rikthehet, duhet të ndryshosh mesazhin që dërgon./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN