MENU
klinika

Gjyqtarja e Elbasanit bëhet hit në rrjet

Nga karriera tek polemikat për lirimin e mikut të Gaxhait

01.06.2021 - 09:49

Korridori i Gjykatës së Elbasanit ngjason me pasarelat e modës, vetëm se në skenë është kryetarja e këtij institucioni, Enkeleda Kapedani.

Drejtuesja e Gjykatës në një prej qarqeve më problematike në vend sa i përket krimit kujdeset që gjatë detyrës së saj të realizojë edhe video për rrjetin social “Tik Tok”, rrjet i popullarizuar posaçërisht për videot.

Në një prej tyre, gjyqtarja filmohet sapo del nga ashensori e deri në momentin kur hap zyrën e kryetarit, duke sfiluar posaçërisht përpara aparatit, ndërsa dikush tjetër kujdeset për të realizuar videon, shoqëruar me këngën “Buona Sera” të Gran Error e Alfie Arcuri. Performancat për rrjetin social nuk mbarojnë këtu.

Gjyqtarja kujdeset që edhe në zyrën e saj, në të cilën ka dosje të renditura në raft, të performojë përpara kamerave, shoqëruar sigurisht me muzikë në sfond. E shkujdesur totalisht nga të qenët në zyrat e institucionit, Kapedani performon me duar dhe me flokët e saj, pamje këto të denja për të ashtuquajturat “vajzat e Instagram-it”.

Brenda zyrave të saj, gjyqtarja realizon të tjera video shoqëruar në sfond me këngë hip-hopi. Në njërën prej tyre, Kapedani shoqëron shfaqjen e saj ndërsa bën një panoramim në sfond të ambienteve të zyrës, me këngën e Dom Xhonit “Maffia, maffia”, mesazhi i së cilës në thelb është mbështetje për krimin dhe drogën, ndërsa në tekst nuk mungojnë as fjalët banale.

Në video ajo reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj tip “Audi”, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.

Videot e gjyqtares u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar kritika të shumta mbi mënyrën se si gjyqtarja trajton institucionin, në një nga qytetet ku organet e drejtësisë duhet të kenë shumë punë për shkak të vrasjeve të shumta, e etiketuar nga rrjeti “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” pak javë më parë (10 maj 2021) si pika kyçe e trafikut të heroinës Lindje-Perëndim.

GJYQTARJA

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani ka qenë “Miss Shqipëria” rreth 18 vite më parë dhe duket se rritja në shkallët e drejtësisë nuk i ka shuar pasionet e saj për famën, tanimë në rrjetet sociale. Pasi u shpall më e bukura e Shqipërisë në vitin 2003, ajo vendosi të studionte për drejtësi, shoqëruar më pas me studimet në Shkollën e Magjistraturës me profil gjyqtar.

Pas përfundimit të stazhit, gjyqtarja nisi punë dhe në vitin 2015 ajo u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani si gjyqtare pranë Gjykatës së Elbasanit, ku vazhdon edhe aktualisht, por tanimë si drejtuese e kësaj Gjykate.

Përgjatë këtyre viteve, emri i Kapedanit bëri bujë në media pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës (Gaxhait), i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.

Gjyqtarja nuk është përballur ende me procesin e vetingut. Nuk dihet ende se sa kohë gjyqtarja përdorte rrjetin “Tik Tok”, ku hidhte video të tilla, por ajo që dihet është se gjyqtarja e mbante llogarinë në emrin e saj.

Pas publikimit të videove në mediat online, ato u bënë masive në rrjet, duke sjellë reagime të shumta jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga institucionet përkatëse, si Ministria e Drejtësisë apo Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Vetë gjyqtarja fillimisht i konsideroi sulme duke theksuar se ishte grua dhe nënë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bënte video në “TikTok” nga zyra

ILD kërkon hetim për Kryetaren e Gjykatës së Elbasanit