MENU
klinika

"Formula e pagëzimit"

Nikolla Jorga, dëshmitari i parë i shqipes së shkruar

06.06.2021 - 12:28

        Historiani i madh rumun me origjinë shqiptare, Nikolla Jorga, i njohur edhe si burrë shteti, është një nga figurat më të shquara të Rumanisë së shekullit XX.

Pikërisht ai zbuloi dhe shkrimin e parë në gjuhën shqipe, më 1915, në bibliotekën “Laurentiana” në Firence: “Formulën e pagëzimit”. Në veprën e Jorgës, çështjet e historisë sonë zënë një vend të dukshëm.

Ai lindi në Botoshani të Rumanisë, më 5 qershor të vitit 1871, nga një familje zejtarësh muratorë.

Të dhënat mbi prejardhjen e tij i kemi nga vetë N. Jorga, i cili në njërën nga veprat e tij të shumta, na thotë se gjyshi i tij i quajtur Jorgo, në shek. 19, me trastën e muratorit në krahë, erdhi nga Shqipëria, ndoshta nga treva korçare e Gorë-Oparit, për t’u vendosur në Rumani, duke ushtruar mjeshtërinë e muratorit.

Nikolla Jorga dhe Shqipëria

Si historian, ai sundoi historinë e mirëfilltë, atë kombëtare dhe botërore.

Ai shkroi historinë e popujve të Ballkanit, duke u ndalur në atë të Shqipërisë dhe sidomos, tek ajo e popullit rumun. Vepra kryesore e tij mbetet “Historia e rumunëve”, e shkruar në 10 vëllime, gjatë viteve 1935-1939, që përfshijnë kohët më të hershme deri në vitin 1939.

Për historinë e popullit shqiptar, Nokolla Jorga dha një ndihmesë të vyer.

Në vitin 1915-1916, ai botoi në Bukuresht, në gjuhë të huaj, disa vëllime me titull: “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shek. 15”, ku paraqet një material të pasur mbi luftën antiosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së ndritur të Skënderbeut.

Në kuadrin e kësaj pune të madhe kërkimore, në vitin 1915, ai zbulon në bibliotekën “Laurentiana” të Firences, dokumentin e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” (viti 1462), shkruar nga bashkëpunëtori dhe këshilltari i ngushtë i Skënderbeut, kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli – një mbrojtës i madh i çështjes shqiptare dhe një nga diplomatët më të mëdhenj të kohës së Skënderbeut.

Në një nga fjalimet e tij para luftëtarëve shqiptarë, sipas Marin Barletit, Pal Engjëlli më 1641 tha këto fjalë për kryetrimin e atdheut tonë:

“Fatbardha dhe fort të lumtura janë ato republika, mbretëri e shtete, që qeverisen nga njerëzit më të mirë dhe më të ditur…Në kohën e sotme ne e shohim qartë si drita, se këtë fat e kanë pasur arbrit tanë, të cilët qeverisen nga Skënderbeu, i vetmi princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapedan i pathyeshëm…”

Pët t’u rikthyer te patrioti, historiani dhe mendjendrituri tjetër shqiptar i vendosur në Rumani, Jorga botoi më 1919 në gjuhën frënge, në Bukuresht, veprën: “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar” dhe një vepër tjetër, po në Paris, më 1925, titulluar: “Histori e shteteve të Ballkanit, deri në vitin 1924”, ku çështjet e historisë shqiptare zënë një vend të dukshëm.

Vepra e Jorgos, e këtij dijetari të shquar, që bëri aq shumë për historinë e Shqipërisë, paraqet një interes të veçantë. U vra nga forcat fashiste rumune, në vitin 1940. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Diplomati i parë shqiptar

Ëngjëllorët e Drishtit

Formula e Pagëzimit: 1462!

Shqiptarët e krishtërimit të hershëm