MENU
klinika

Gazeta ‘Dielli’ në Boston

“Një zagar n’ Itali, laro i Fan Nolit, i degjeneruar, një palaço që leh…”

12.06.2021 - 09:55
Memorie.al publikon një shkrim të panjohur të botuar në gazetën “Dielli”, të Boston-it, organ i Shoqërisë Atdhetare e Patriotike “Vatra”, në datën 14 dhjetor të vitit 1926, me autor Fuat I. Babameto me origjinë nga Gjirokastra, i cili me tone shumë të ashpra, polemizon me një shkrim të publikuar më datën 10 nëntor të atij viti në gazetën që botohej në Gjenevë të Zvicrës nga Fan Noli, duke e quajtur atë një “levere të Peshkopit Bolshevik” dhe autorin e saj që e ka nënshkruar me pseudonimin “W”, si: “i ç’nderçëm, i degjeneruar si njeri, i rritur me qumësht arixhofke, zagar i kasapve” etj., etj. Shkrimi i plotë ku autori i saj, pasi tregon lidhur me studimet e tij të larta për Teologji në gjuhën arabishte dhe turqishte, duke treguar për formimin e tij dhe librat e tekstet e historisë që kishte lexuar, merr në mbrojtje qeverisjen e Kryeministrit Ahmet Zogu dhe Faik Konicën, duke akuzuar qeverisjen e shkurtër të Peshkopit Fan Noli, me krimet e tyre që mbytën vendin në gjak dhe mungesën e rendit publik, ku hajdutët dhe kusarët, si Shuk Qeni, Sinan Azizi, Bilbilenjtë, Shemo Brahimi etj., çeta hajdutësh, vinin deri në Virua, duke marrë peng 12 veta, midis të cilëve Prefektin e dhe kryepolicin e Gjirokastrës…

Nga Dashnor Kaloçi

Kryengritja e armatosur e forcave antiqeveritare të udhëhequra nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Barjam Curri etj., e cila kishte filluar që në ditët e para të muajit maj të vitit 1924 pas varrimit të Avni Rustemit në Vlorë, arriti që me forcën e armëve të realizonte grushtin e shtetit, duke e ‘finalizuar’ atë më 10 qershor të po atij viti dhe të rrëzonte qeverinë e kryeministrit Iljaz Vrioni, duke bërë që ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, me mbështetësit e tij të largohej për në Jugosllavi. Kjo ngjarje, e cila gjatë gjithë historisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës, si nga historiografia zyrtare ashtu dhe nga propaganda e kohës, do të njihej si “Revolucioni demokratiko-borgjez i Qershorit”, solli në fuqi qeverinë e drejtuar nga kryeministri Fan Noli, apo siç njihej dhe konsiderohej ndryshme asokohe nga kundërshtarët e tij politik, si “Peshkopi i kuq”, edhe për shkak se pranoi mbështetjen e Bashkimit Sovjetik të asaj kohe.

Qeveria e Fan Nolit e pati jetëgjatësinë e saj deri në fundin e dhjetorit të atij viti, kur Ahmet Zogu, me mbështetësit e tij dhe me ndihmën edhe të rreth 100 ushtarakëve rusë të bardhë, (apo siç njiheshin ndryshe si “Bjellogardistë”, të cilët ishin larguar nga Bashkimi Sovjetik pas triumfit të Revolucionit Socialist të Tetorit në vitin 1917 dhe që ishin si emigrant politik në mbretërinë serbo-kroate-sllovene) mundi që të kthehej në Shqipëri, po me forcën e armëve, ashtu siç dhe e kishin larguar forcat kryengritëse në qershorin e atij viti. Këto dy ngjarje, si “Revolucioni i Qershorit”, ashtu dhe rikthimi i Zogut në pushtet, për vite me rradhë do të ishin “mollë sherri” në mes mbështetësve të dy palëve kundërshtare, (zogistëve dhe fanolistëve), duke pasur polemika të ashpra edhe në shtypin e kohës. Një nga këto është dhe ky shkrim që Memorie.al po publikon sot në rubrikën dossier, i cili është marrë nga gazeta “Dielli” e datës 14 dhjetor 1926 që botohej në Boston nga Shoqata Atdhetare Patriotike “Vatra”, duke e sjellë atë në gjuhën e shkruar të asaj kohe dhe pa asnjë ndryshim.

Shkrimi i gazetës “Dielli” në Boston nga Fuat Babameto

NJË ZAGAR N’ ITALI LEH, PO NUK KAFSHON

Në leveren të Peshkopit Bolshevik, që del në Genevë të Zvicrës, – No. 33 dhe datë 10 nëntor 1926, këndova vrerët dhe shkumbëzimet e një qeni të tërbuar. Ky i degjeneruar si njeri, i rritur me qumësht arixhofke q’është, nuk ka guximin të dalë në shesh të nderit, po – si njeri ç’ndershëm që është, – me emrin e tij, po mjafton me një “W” si pseudonim.

Ky zagar i kasapëve, kujton që neve të mos i nxjerrim në shesh të palarat dhe maskarallëqet e tij. Neve me këtë bukurosh kemi qenë në Stamboll, dhe gjetkë’ e gjetkë, kemi pasur korrespondencë, dhe shkrimet e tij dhe talentin e tij të shtypit ja kemi kënduar, dhe sido që fshihet me “Ë”, e kuptuam që është një krye udhëheqës i Iuqseq Kalladrem-it, I Chicheqchi Sokakut, dhe i Taksim-it. S’është çudi që të jetë dhe i dipllomuar edhe i Brusa Hotel-it.

Llustraxhiu nacionalist, nxirë fytyrën e tij me bojën e këpucve, dhe barku i tij i mbushur me makarona pa të lyem, dhe me breshka, i dehur me verë nga Italia, kujton që goj e tij është grykë e Vezuvit dhe pend’ e tij, që është katart i vaporve. I pajosur me këto, ky bukurosh merr në dorë pendën “Hatrap”-e dhe ka paturpësinë të atakojë Presidentin Zogu, Faik Konitzën, dhe mua.

Këtu nuk do të i qortoj aspak llustraxhinjë nacionalistë për ataket që i bëjnë Presidentit, se shuplakat dhe dackat e Shk. Tij, j’ua zbritën gradën nga Ansamblistë, në Llustraxhi, po do t’i përgjigjem për Faikun, për vehte, dhe kurdo që të vij rasti, do t’ju përgjigjem e për regjimin e sotëm.

Unë morr lipcak, studimet e mija vërtet i bëra në gjuhën arabishte dhe turqishte po, dhe ti vetë e di fort mirë, se unë nuk kam ndenjur asnjë ditë në Medrese. Siç e dinë tërë shqiptarët, unë roje në Hafuz Pasha dhe jo në Medrese.

Unë mor palaço, historinë e kam studiuar vetiu dhe i kam kënduar këto histori: Ibn-i Haldum, Taberi, Revdhatul-ahbab, Musafal Tori Othmani dhe Islam, historin’ e përgjithshme, historitë Shani Zade, Ali Sejdi, Abdurrahman Sheref, Murad, Ebul-faruk, Ahmed Refik, Xhevdet, dhe Iniklab-i qebirin te Francës, e kam studiuar më mirë se ty.

Këto, jo ti, po cilido që më ka njohur, nuk i mohon dot. Harrova t’ emroj Qainat-in t’ Ahmed Midhat-it dhe Kamusl—alem-in të Sami Frashërit. Ti mor laro, si i dipllomuar i Jusqeq Kalldremit, i Çiçeqi Sokak-ut, dhe i Taksim-it a i ke studiuar kaq volume të historisë?

Për të këshilluar shqiptarët që të mos bien viktima t’aventurierve si ty’ dhe të ustajt t’ënd, jo unë që kam një zotësi po, ka të drejtë çdo Shqiptar’ dhe mohim’ i një të drejte sociale që m’a jep çdo nom e llogjik, është margaritar i larove si ty.

Bukuria me kto laro është që i japin të drejtë dhe një dhaskali të shkollave greke n”Egjypt, të bëhet Mbreti në Shqipëri, i japin të drejtë të vrasë dhe të rrjepë popullin shqiptar, një bostanxhiu të Makri – Qojt –se Ibrik Tepelinjtë atje, punojnë bostane – dhe Fuad Babametua q’ë është Shqiptar dhe nga Shqipëria brenda, Fuad Babametua që në çdo lëvizje ka marur pjesë – brenda dhe jashtë Shqipërisë – Fuadi që ka sakrifikuar çdo interes personal të mos flasë, dhe t’i lërë të lirë të shijnë në dëm të asaj Shqipërie, dhe të atij populli që Fuadi është përpjekur që njëzet vjet e lart, bravo llustraxhiu nacionalist.

Ujku i tërbuar nga Italia, me emrin “Ë”, na thotë se në regjimin faqe me nder të nacionalistave nuk u – bë vëlla-vrasje dhe tortura e grabitje. Me këto fraza le të kuptoj se mbretëronte qetësi shembullore. Mirë mor llustraxhi Effendi, këto do t’i thuash ku të shkojnë.

Të pyes, mor palaço, kolltukët ti dhe shokët e tu, qysh i muarrt? A nuk i muarrt me një revolver q’i kushtoi, popullit mijra frymë, dhe qindar okë gjak? A nuk ish regjimi spiritual i Peshkopit kur muarrnë robër Prefektin e Gjirokastrës, Direktorin e Policisë, Hysni Babameton, Qazim Puton dhe të tjerë prej mbretit të maleve, Sulo Begës nga Progonati?

A nuk ishte regjimi juaj faqe me nder nacionalist q’u-muarr rrob i mjeri Avni Vehbi, dy çape lark nga zyrat qeveritare, dhe u mbyt me rrip të dufekut në vreshtat e Kakozit prej Mero Lamçes?

Pa më thuaj mor gogol i Nolit se në cilën qeverim kanë kuxuar hajdutët, si Shuk Qeni, Sinan Azizi, Bilbilenjtë, Shemo Brahimi e të tjera çeta të vinë gjer në Virua dhe të marrin dymbëdhjetë robër, dhe në mes të tyre, të jetë Prefekt dhe Kryepolic, dhe më në fund të rrëmbejnë dhe skllav brenda në Gjirokastrë dhe dy çape lark qeveritare?

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit