MENU
klinika

Çështje personaliteti!

Njeriu këndon pas luftës…

15.06.2021 - 19:14

       Bëri emër në kinemanë botërore, skaliti profilin e një personaliteti të rrallë dhe talenti, lindur për në skenë. Bekim Fehmiu, u njoh në vendin e tij të origjinës, Kosovë dhe Shqipëri, për të marrë jehonë deri përtej Ballkanit, Evropë dhe Amerikë, Hollivudin ekstravagant./Konica.al

Në intervistat e rralla të aktorit të madh shqiptar – pas magjepsjes skenike, që bota pati më parë, me Aleksandër Moisiun, – Fehmiu, mësohet të ketë refuzuar një ftesë nga kompania e madhe filmike “Paramount Picture”, sikur është shprehur vetë ai. Kjo, pasi nuk pranoi as ngjyrimin më të vogël artistik, të emrit të tij…

“Unë iu drejtova atyre, duke u thënë shkoqur: emri im është Be-kim Fe-hmi u, duke ua shqiptuar në rrokje. Unë do të mbaj vetëm atë emër që më ka vendosur nëna dhe baba im”.

U bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmike nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura, janë në: “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, që përmenden si kryevepra. Ndërsa ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore, si: John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Bekim Fehmiu u gjet pa jetë në apartamentin e tij në Beograd, më 15 qershor 2010. Sipas deklaratave të para, u njoftua se ai kishte kryer vetëvrasje. Në atë kohë, ai ishte 74-vjeçar.

“Njeriu këndon pas luftës” nga Dushan Vasiljev, ishte poezia që vetë artisti e kishte lënë testament, të recitohej në mbledhjen komemorative në Prishtinë.

(Poeti serb, Dushan Vasiljev)

 

Njeriu këndon pas luftës

 

Unë kam shkelur në gjak deri në gju
Dhe ëndrra më nuk kam.
Motra ime është shitur, nënës flokët e thinjur ia kanë prerë
Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur.

Unë jam i etshëm për ajër, qumësht
Dhe për këtë vesë të bardhë mëngjesi.
Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjë
Dhe nuk kam ditur pse?

Vëllanë armik të madh e kam quajtur
Dhe jam sulur në errësirë përpara duke klithur
Dhe atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikami
Fluturojnë në ferr.

Dhe sot i qetë shikoj se si cikërrimtari zgjeban
Të dashurën grua ma përqafon
Se si vërshima pullazin ma shpartallon
Dhe nuk kam dëshirë e as fuqi që t’i hakmirrem.

Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe qumësht
Dhe pakëz vesë,
Vesë të bardhë mëngjesi
Të tjerat i paçit për nder.

 

Ndoshta, vetëm këto vargje do ta përcillnin atë denjësisht, në një botë të barabartë… Çfarë nuk e pa kurrë, në realitetin e vrazhdë social, të 74 viteve…/Konica.al