MENU
klinika

Furnizimi i brishtë energjitik i Bashkimit Europian

Nord Stream 2 dhe tranzicionit energjitik gjerman

10.06.2021 - 14:22

Finalizimi i projektit Nord Stream 2 (NS2), gazsjellësit të markës Gazprom që duhet të transportojë gazin rus në Gjermani dhe vende të tjera të Europës Perëndimore po vjen duke e dyfishuar shtrirjen e lidhjes tashmë në funksionim, duket se është bërë një vijë ndarëse në dinamikat politike energjitike. Nga njëra anë do të ndodhej fusha e të “mirëve”, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë që ja pengojnë kompletimin; nga ana tjetër ajo e të “këqinjve”, në radhë të parë Rusia dhe Vladimir Putini, por edhe Gjermania e Angela Merkel, e akuzuar për bashkëpunim me armikun e ditës. Megjithatë, problemi është shumë më i thellë se deklarimet megjithatë të kuptueshme e synimeve nga ana e të dyja palëve dhe do të meritonte që zhvishej nga tonet retorike për t’u sqaruar siç duhet.

Perimetri i kontestimit është i qartë. Në vijueshmëri të qartë me presidencën Trump, ashtu si me dosje të tjera të politikës së jashtme, administrata Biden i kërkon me zë të lartë Gjermanisë që ta braktisë NS2, duke kërcënuar pasoja dhe sanksione për kompanitë gjermane që bashkëpunojnë me projektin. Heiko Mass, ministri i Jashtëm gjerman, gjatë samitit të Ministrave të Jashtëm të G7 të 5 majit në Londër ka thënë se “përveç kësaj çështjeje, në këtë moment nuk shikoj as edhe përmendjen e një problemi që do të mund ta quaja serioz” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Një pozicion i njohur ky i Berlinit, i shprehur qysh në mars dhe i theksuar në mesin e prillit gjatë lëvizjeve të trupave ruse në kufi me Ukrainën, që kishin shkaktuar preokupime nëpër kancelari të ndryshme perëndimore.

Domethënë asnjë hap prapa, edhe pse afrimi i zgjedhjeve politike në vjeshtë dhe fundi i epokës së Angela Merkel po krijojnë një të çarë midis partive gjermane, e përmbledhur në pozicionin e Annalena Baerbock, lidere e të Gjelbërve, e cila gëzon një influencë në rritje në politikën gjermane. Nëse të Gjelbërit do të kishin qenë në qeveri, projekti në fjalë do të ishte ndaluar prej kohësh, ka deklaruar Baerbock, duke u pozicionuar në sintoni të përkryer me pozicionet e administratës Biden. Sa mbi projektin NS2, aq edhe mbi politikën europiane ndaj Rusisë dhe Kinës. Por projekti nuk mund t’i atribuohet vetëm një dikotomie midis të drejtës dhe të gabuarës nga pikëpamja diplomatike, sidomos në një periudhë ku tranzicioni energjitik, “Green Deal” europian dhe diplomacia e klimës e Uashingtonit diktojnë axhendën jo vetëm e së tashmes, por edhe të së ardhmes.

Furnizimi i brishtë energjitik i Bashkimit Europian

Varësia e Bashkimit Europian nga importet e energjisë, sidomos të naftës dhe të gazit natyror, vendos në qendër të preokupimeve sigurimin e furnizimit energjitik. Sipas të dhënave më të fundit të botuara nga Eurostat, të gjitha shtetet anëtare janë importues neto të energjisë, edhe në vijim të një rënieje konstante të prodhimit të energjisë në periudhën 2008 – 2018. Importuesit më të mëdhenj në shifra absolute janë Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja. Në vitin 2008 eksportuesi i vetëm neto i energjisë midis shteteve anëtare të Bashkimit Europian ishte Danimarka, por në vitin 2013 importet daneze të energjisë i kanë tejkaluar eksportet dhe një tendencë e tillë është konfirmuar deri më 2018, vit ku prodhimi më i rëndësishëm i energjisë parësore në Bashkimin Europian në terma sasiorë vinte nga burime energjie të rinovueshme, më shumë se 1/3 e prodhimit total.

Harta e vendeve kryesore të prejardhjes së importeve të energjisë – Rusi, Norvegji, Arabi Saudite, Algjeri, Katar, Irak – ka ndryshuar pak në vitet e fundit, megjithëse në dekadën deri më 2018 Rusia ka ruajtur pozicionin e furnizueses më të madhe e lëndëve të para energjitike: qymyr fosil, naftë bruto dhe baz natyror. 2/3 e konsumit të gazit vjen nga jashtë dhe Gazpromi furnizon rreth 40% e të gjitha importeve europiane të gazit nëpërmjet 3 gazsjellësve të mëdhenj: Nord Stream (NS), një gazsjellës i dytë që përshkon Ukrainën dhe një i tretë që kalon nga Bjellorusia. Klienti kryesor europian i Gazrpomit është Gjermania, të cilës NS i furnizon 1/3 e gazit natyror të konsumuar në vend. NS2 do ta dyfishonte fluksin ekzistues të gazit natyror nga Rusia veriore në Greifswald, në verilindje të vendit.

Gjermania po kalon një fazë tranzicioni energjitik dhe e ka synuar gazin rus për ta reduktuar varësinë nga qymri dhe energjia bërthamore, aq më pak në periudhë afatmesme. Një zgjedhje e domosdoshme, por e pakthyeshme, që bile duhet të pësojë një përshpejtim edhe në dritën e vendimit të kohëve të fundit të Gjykatës Kushtetuese gjermane, që e detyron qeverinë të japë brenda fundit të ardhshëm detaje lidhur me objektivat e reduktimit të gazit me efekt serë për periudhën pas 2030.

Vështirësitë e Nord Stream 2 dhe strategjia ruse

Faktikisht NS2 është një sistem gazsjellësish offshore, i përbërë nga dy gazsjellës paralelë që lidhin Rusinë me Gjermaninë dhe që në pjesën më të madhe shkojnë paralel me NS, i ndërtuar në vitin 2012 dhe i kryesuar nga ish kancelari gjerman Gerhard Schroeder. Në të vërtetë, qysh nga tetori i 2012, aksionerët e Nord Stream AG, konsorciumit që menaxhon projektin, kanë shqyrtuar rezultat paraprake e studimit të fizibilitetit për linjën e tretë e të katërt të gazsjellësit, që më pas do të riemërtoheshin Nord Stream 2.

Projekti futet në strategjinë ruse e diversifikimit të tranzitit të energjisë, me objektivin dyfish e pasjes së një kapaciteti më të madh eksportues të gazit në Europë pa i besuar në mënyrë të tepruar vendeve të tranzitit: NS2 kalon në fakt nën ujërat e Detit Balltik, pa prekur territoret e Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë.

NS2 futet në këtë kornizë shumë më të artikuluar, me një bisht në të tashmen dhe rrënjë që i paraprijnë kësaj faze historike, veç të tjerash kzr G7 ishte akoma G8 prej pranisë së Rusisë, e përjashtuar më pas në 2014 në vijim të krizës së Krimesë. Mbështetësit e shikojnë si një hap drejt stabilitetit energiitik europian, ndërsa kritikët e konsiderojnë si një skemë që favorizon vetëm Gazpromin dhe konglomeratet energjitike. Për Shtetet e Bashkuara, NS2 është një “projekt gjeopolitik rus i destinuar të përçajë Europën dhe të dobësojë sigurinë energjitike europiane”, siç i theksua nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, së fundi në G7 e Ministrave të jashtëm në Londër.

Megjithëse NS2 ishte programuar që ta fillonte furnizimin me gaz nga fundi i 2019, pengesa të ndryshme kanë çuar në vonesë. Sipas vlerësimeve të fundit, mbesin për t’u ndërtuar pakashumë 140 kilometra tubacione, mbi 100 kilometra në Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE) daneze dhe rreth 30 kilometra në atë gjermane, baraz me rreth 6% të gjatësisë totale. I filluar më 2018, një prej sfidave më serioze të realizimit të tij ka ardhur nga Danimarka, që e ka dhënë lejen e saj të ndërtimit 2 vjet e gjysmë pas kërkesës së parë. Në mes, Kopenagheni ka miratuar një ligj që mundëson refuzimin e lejeve lidhur me gazsjellësit që përshkojnë detin territorial danez jo vetëm për arësye mjedisore, si më parë, por edhe mbi bazën e motiveve të politikës së jashtme e të sigurisë. Kur është dhënë leja daneze, ndërtimi i pjesëve finlandeze, sudeze, ruse dhe (pjesës më të madhe) gjermane ishte kompletuar. Pak javë pasi ndërtimi i pjesës daneze, dy linja prej 147 kilometrash secila, la filluar në dhjetorin e 2019 për t’u kompletuar brenda mesit të janarit 2020, kompania zvicerane Allseas e shërbimeve për ndërtimin i ka pezulluar operacionet nën kërcënimin e sanksioneve amerikane.

Kundërshtia në rritje amerikane

Mund të konsiderohet në këtë datë hapi i parë konkret në fushën e sanksioneve të vendosura nga Uashingtoni për ta ndaluar projektin, edhe pse qysh në verën e 2017 ishte adoptuar Countering American Adversaries Through Sanctions Act (CAATSA) ad hoc për ë penguar “ndërtimin e tubacioneve për eksportimin e energjisë nga Rusia”. Mbështetja e qeverisë gjermane ndaj projektit i detyrohej përfundimit të marrëveshjes së tranzitit Rusi – Ukrainë pas 2019, që garantonte një të ardhur tranziti të vazhdueshme për Ukrainën të paktën deri në fund të 2024, edhe pse disa flukse gazi duhet të ridrejtoheshin drejt NS2 dhe larg nga Ukraina. Protestat e Gjermanisë dhe Bashkimit Europian nëpërmjet Josep Borrell, Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme, kanë rezultuar të kota, edhe pse të mbështetura mbi pozicionin e përbashkët se sanksionet ekstraterritoriale janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, bile dëmtojnë “kompani europiane që zhvillojnë aktivitete legjitime”.

Por Shtëpia e Bardhë po përballet me presione në rritje nga ana e Kongresit për të ndjekur një shtytje të plotë diplomatike dhe adoptimin e ligjit mbi Mbrojtjen e Sigurisë Energjitike Europiane në prillin e kaluar e ka mbyllur rrethin, edhe pse mbetet nevoja për të mos e anashkaluar aleatin europian. Faktikisht, pozicioni ndaj kompanive europiane është zbutur pak, megjithëse duke e mbajtur fort pikën ndaj atyre ruse. Në një takim të ditëve të fundit me homologun e tij rus Sergei Lavrov në margjinat e samitit ministerial të Këshillit Arktik në Rejkjavik të Islandës, Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar se sanksionet lidhur me Nord Stream 2 dhe CEO e tij do të revokoheshin, ndërsa sanksione të reja do të vendosen ndaj 8 kompanishë dhe anijesh ruse, midis të cilave ato që në prill kanë nisur vendosjen e tubave për përfundimin e projektit në ujërat daneze.

Siç vërehet në një artikull brilant të botuar kohët e fundit në revistën “Foreign Policy”, politika e naftësjellësve të Gjermanisë ka kuptim vetëm në sfondin e tranfromimit energjitik të vendit apo “Energiewende”. Nga viti 2000, Gjermania ka punuar për ta vendosur sektorin elektrik të saj mbi një bazë diellore, eolike dhe biogazi, një proces që është përshpejtuar nga katastrofa bërthamore e 2011 në Fukushima. Projektet e mëdha në energjitë e rinovueshme janë financuar me mbitaksime, taksime dhe tarifa të rënda, duke u dhënë gjermanëve disa prej çmimeve të elektricitetit ndër më të lartat në botë. Duke i kërkuar mbylljen e NS2, Shtetet e Bashkuara jo vetëm i krijojnë vështirësi politikës klimaterike gjermane, por dëmtojnë edhe marrëdhëniet transatlantike dhe minojnë besueshmërinë e diplomacisë bashkëpunuese për të cilën Europa dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për të luftuar ndryshimet klimaterike.

Strategjia e Gjermanisë është e modeluar nga ideja se përfshirja e Rusisë, më shumë sesa ndërprerja e lidhjeve, është e nevojshme, përveçse e dobishme. Por gjithësesi për Berlini mospasja e lidhjeve energjitike nuk është opsion për këtë moment, boll që kompanitë pjesëmarrëse në projekt të respektojnë ligjin. Nëse pozicioni i Annalena Baerbock është i qartë, ka zëra edhe të favorshëm ndaj projektit, në vetëdijen se realizimi i tij është gjithësesi alternativa më e mirë dhe e dobishme për ta përfunduar me sukses “Energiewende”.

(nga Aspenia Insitute)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Russian Today/ "Ne do të kemi nevojë për gaz në vitet e ardhshme..."

“Nord Stream 2 i Rusisë është i besueshëm për Evropën”