MENU
klinika

"Palma e artë"

pa vend… shkon nga Kosova në Kanë!

16.06.2021 - 14:29

       Pas filmit debutues të Kosovës në Berlinale, realizimi i dytë i regjisorit Samir Karahoda bëhet filmi i parë nga Kosova, që përzgjidhet në mesin e 10 filmave me metrazh të shkurtër që do të garojë për “Palmën e Artë”, në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës.

Filmi “Pa vend”, që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping-pongut, nga Prizreni, “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction, përcjell përpjekjet e -vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre, Rifati, që të mbajnë gjallë sportin e ping-pongut, duke zhvilluar gjenerata të reja lojtarësh.

“Personalisht, i uroj dhe përgëzoj anëtarët e klubit të ping-pongut “Lidhja e Prizrenit”, me në krye me trajnerin Rifat Rifati, për sukseset e tyre pavarësisht rrethanave – ata të cilët, ende vazhdojnë stërvitjet në kushte jo normale. Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Kana, na bën edhe më krenarë si ekip dhe dua t’i falënderoj të gjithë, për kontributet individuale”, – theksoi regjisori, Karahoda.

Qasja jonë ndaj këtij rrëfimi na jep hapësirë për të shprehur shqetësimin tonë si shoqëri, për një ndjenjë të përgjithshme të pashpresë që përshkon jetën tonë dhe me të cilën ballafaqohemi edhe sot. Kjo ngjarje fillon diku në vitin 2005, duke na dërguar në ato ditë, kur stërvitjet për zhvillimin e këtij sporti janë mbajtur vetëm falë entuziazmit të patriotëve të vërtetë, siç janë Jetoni, Ermegani, Rifati e shumë të tjerë.

Në një rrugëtim të veçantë kinematografik, ky film na sjell në ditët e sotme, duke vënë në pah bllokimin dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit.

“Ne arritëm të krijojmë një lidhje të veçantë me gjithë ekipin e ping-pongut, që ishte pjesë e stafit. Edhe me gjeneratat e vjetra, edhe me talentet e reja. Një gjë që na bashkonte, ishte dëshira e madhe që të bëjmë më të mirën, sipas mundësive tona.” – tha producenti Eroll Bilibani, duke vazhduar “në korrik, në tapetin e kuq të Kanës, ekipi ynë i filmit dhe lojtarët e ping-pongut, që asnjëherë nuk u ‘dorëzuan’, do të ecin në tapetin ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu dhe Arta Dobroshi. Por, këtë herë është me një film nga Kosova, që është duke i vendosur themelet e valës së re të filmit, nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha”.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit