MENU
klinika

Shkarkohet Voltana Ademi

Pjerin Ndreu zgjidhet kryetar i Shoqatës së Bashkive

08.06.2021 - 13:47

Ka përfunduar mbledhja e Shoqatës së Bashkive, në të cilën është vendosur zgjedhja e Pjerin Ndreut në krye të saj, duke shkarkuar kësisoj nga detyra Voltana Ademin.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes Pjerin Ndreu u shpreh: “Kjo është Asamble e Jashtëzakonshme e mbledhur sipas statutit nga 1/5 e anëtarëve. Në Asamble marrin pjesë kryetarët e bashkive, të 15 bashkive dhe kryetarët e këshillave bashkiakë. Nga 30 morën pjesë 23. Zgjodhëm ekipin drejtues të shoqatës e cila kishte dy vite që nuk mblidhej, asnjë nga anëtarët nuk vihej në dijeni. Kërkuam mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë. Pas propozimeve dhe votimeve u zgjodh kryesia e shoqatës e përbërë nga tre vetë, unë u zgjodha kryetar. Ne nuk merremi me fantazira, në shoqata aderojnë bashkitë dhe jo kryetarët, nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit, nuk kanë të bëjnë emrat“.

Më herët sot Voltana Ademi, në emër të SHBSH u është drejtuar me një letër ambasadorëve dhe Misioneve të Huaja në vendin tonë, ku denoncon kapjen e shoqatës nga individë të PS. Kryebashkiakja e Shkodrës është shprehur se ata nuk kanë të drejtë të ndërmarrin një veprim të tillë, duke theksuar se kryetarët e rinj të bashkive nuk janë anëtarë të shoqatës.

Në 30 qershor mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca për zgjedhjet e 30 qershorit. Me shkarkimin e Ademit shoqata e bashkive do të përfaqësohej me një kryetar të ri socialist, që do të mbante një tjetër qëndrim në Kushtetuese lidhur me çështjen.

LETRA

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, përmes një letre drejtuar ambasadorëve dhe Misioneve të Huaja në Shqipëri, ka shprehur edhe një herë shqetësimin për kapjen e SHBSH-së nga individë të Partisë Socialiste.

Shoqata në fjalë ka publikuar edhe një email, që sipas SHBSH vërteton pretendimet e saj.

Në emailin që mban datën 7 qershor dhe u drejtohet anëtarëve të Komitetit Drejtues të Shoqatës së Bashkive, thuhet se me porosi të Pjerin Ndreut do të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme me qëllim mbrojtjen e interesave të shoqatës gjatë përfaqësimit në Gjykatë Kushtetetuese lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

“Të nderuar Shkëlqesi, Më datën 24 maj 2021 përmes letrës dërguar në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), ndamë me ju shqetësimet tona mbi një iniciativë të kohëve të fundit për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), veprime te ndërmarra nga individë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë SHBSH. Dyshimet tona tashmë u vërtetuan nga një email i komunikuar, tekstin e të cilit po e dërgojmë të plotë bashkangjitur”, thuhet në shkresën e Shoqatës së Bashkive.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aktualisht mban postin e kryetares

Voltana Ademi drejt shkarkimit nga SHBSH