MENU
klinika

"I mbyll sytë që të shoh"

Pol Gogen, gjeniu francez në arrati…

07.06.2021 - 15:35

            Artisti nuk duhet të kopjojë natyrën, por të marrë elementet e natyrës dhe të krijojë një element të ri.

       

Paul Gaugin, artisti far i postimpresionizmit, ishte subjekt i një kulti të vërtetë, veçanërisht për grubin “Nabis” që panë tek ai mesinë e ri të artit modern. Paul Gauguin lindi në Paris më 7 qershor 1848 dhe vdiq në Hiva Oa më 8 maj 1903. Gauguin “i egër” ishte një personalitet i jashtëzakonshëm: jeta e shënuar nga miqësia me Van Gogh, udhëtimet në Polinezi në kërkim të vërtetësisë, është e denjë për një subjekt romani, ndërsa krijimtaria mbetet pasqyrimi i atij temperamenti të pakompromis. I lindur nga Impresionizmi, Gauguin zhvilloi stilin e vet personal (të pikturuar dhe të skalitur) që synonte sintetizmin zyrtar dhe ku nuk mungoi kurrë misticizmi. Shpengimi dekorativ i pikturave të tij ndikoi në lëvizjet artistike të shekullit XX. Me një vizion të karakterizuar nga abstraksionizmi progresiv, i përbërë nga forma të sheshta, ngjyra të qarta dhe mospërdorimi i efekteve perspektive dhe dritëhijeve, stili i tij u quajt sintetizëm ose copëzim, stil që i qëndroi përherë besnik ndërsa e zhvilloi atë gjatë gjithë jetë, duke e sjellë në pjekurinë e plotë në ishujt e deteve të Jugut, kur propozoi temën e përfaqësimit artistik të marrëveshjes harmonike të jetës njerëzore me atë të formave natyrore, sipas një konceptimi të konsideruar asokohe tipik për popullatat primitive. Gauguin pikturonte ashtu si jetonte: si njeri i lirë. I përbuzur nga publiku, por i admiruar nga kolegët, ai mishëronte karakterin dyshues të atyre që, të lënë pas dore, e dinë se janë keqkuptuar. Borgjezia qesëndiste format e tij të thjeshta, ngjyrat naive, mirëpo piktori diti si të qëndronte gjakftohtë. Rinovimin e artit e kërkoi në botën e egër, madje shkoi deri në Tahiti dhe ishujt Marquises në kërkim të një parajse të humbur./Konica.al

Vështirë të zgjedhësh mes kryeveprave, por po veçojmë 5 nga më të rëndësishmit për të kuptuar evolucionin e karrierës së tij artistike:

“La Seine au pont d’Iéna” (“Sena në urën e Jenës”), 1875, muzeu “Orsay”, Paris

Piktura është e moshës rinore, ku dallohet tendenca drejt impresionizmit: pamja, temperatura dhe atmosfera janë tipike impresioniste. Gauguin i përmbahet stilit, por nuk i qëndron besnik trendit, sepse ka stilin e vet.

“Suzanne en train de coudre” (“Nudo e një gruaje që qep”), 1881, Ny Carlsberg Glyptotek, Kopenhagë

Skena është vendosur në një dhomë gjumi, me gruan ulur mbi shtrat përballë një muri të purpurt, të zbukuruar nga një mandolinë dhe një sixhade. Pavarësisht ndikimit që pati piktura në ekspozitën impresioniste, Gauguin nuk arriti ta shiste. E shoqja, Mette, nuk pranoi ta varte as në shtëpinë e tyre. Gjithsesi, kur Gauguin u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën, kanavacën e mbajti e shoqja, derisa iu shit në 1892 artistit danez Theodor Philipsen, i cili më vonë ia dhuroi atë Galerisë Kombëtare të Danimarkës.

“Dhoma në shtëpinë e artistit”, 1881, Nasjonalgalleriet, Oslo

Vërehet menjëherë zgjedhja jokonvencionale dhe e guximshme e vendosjes së buqetës së bozhureve në plan të parë, një referencë e dukshme për ngjyrat e paletës dhe e frymëzuar qartazi nga lulet e Monet dhe veçanërisht Degas. Kujdesi për detajet zbulon, se artisti është ende i lidhur me natyralizmin dhe realizmin e mësuar nga mjeshtrat e tij. Piktura u prezantua në 1882 në ekspozitën e shtatë impresionistëve dhe ngjalli interes të kritikës./Konica.al

“Lopët në një baltovinë”, 1885, Galeria e Artit Modern, Milano

Kur pikturoi këtë tablo, kishte arritur stilin personal. Pamja shënohet dhe dominohet nga prania e trungjeve të pemëve që e ndajnë kompozimin në dy pjesë: pjesa e ndriçuar nga dielli dhe pjesa e errët, e ndriçuar nga reflektimi i ujit të shndritshëm. Bimësia e harlisur luan një rol të rëndësishëm në pikturë.

“Arearea”, 1892, nuzeu i “Orsay”- it, Paris

Në kërkim të gjurmëve të jetesës primitive, Paul Gauguin qëndroi fillimisht në Tahiti, prill 1891. Në ishullin polinezian, artisti u frymëzua nga ato që pa, por edhe nga përrallat lokale dhe traditat e lashta fetare për të përshkruar skena fantazie. “Arearea” përfaqëson një nga ato vepra, ku ëndrra dhe realiteti bashkëjetojnë lumturisht. “Arearea” është pjesë e pikturave tahitiane të ekspozuara në Paris në nëntor 1893. Gauguin dëshiron të demonstrojë, sesa i bazuar është kërkimi i tij për ekzotiken./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Cilat ishin ato shqiptare

Gratë që drejtuan botën


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit