MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Prej tani duhet të nisë ideja e një lëvizje të re politike

06.06.2021 - 19:02

Zakonisht në muajt e fundit para zgjedhjeve ose vetëm pak vite më parë në Shqipëri është bërë zakon të lindë ndonjë subjekt i ri politik, që merr vëmendje, angazhohet dhe shikohet si alternativë për të mposhtur peshën e madhe të dy partive kryesore në vend. PS dhe PD vazhdojnë ende me sloganet e vjetra, ku anti-komunizmi, amerikanizmi, integrimi në Evropë etj., zënë peshën kryesore.

Për fat të keq, për mungesë të besimit që krijojnë në elektoratin shqiptar ato shuhen. “Libra”, Nisma, Aleanca “Kuqezi” e pak të tjera tashmë janë thjesht pjesë e studimeve të politologëve, por aspak forca të bindura për të vazhduar. Kjo i bën që të mbesin në histori dhe të duken më shumë si projekte sesa si parti. E njëjta gjë po duket dhe me partitë që ngritën dy ish-personalitete të PD-së, organizuar nga Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, veçmas të tjerave, që mëtonin ndryshime.

Tashmë ato duken krejt të bllokuar, ndërsa korit të ankesave të PD-së i janë bashkuar dhe ata, por në një drejtim tjetër: Mungesën e besimit nga populli, që është ende i papërgatitur. Edhe më shqetësues performanca e jashtëzakonshme e Aleancës që u mundua të mblidhte dhe kanalin nacionalist dhe formacioneve të tilla. Paçka premtimeve dhe besimit të kryetarit të saj Kreshnik Spahiu, rezultati i saj ishte më shumë se zhgënjyes.

Analizat e pakta nuk të japin mundësi të penetrosh në humbjet e tyre, por artikujt e ndryshëm të zhvilluara nga personalitete të analizës, të bëjnë të besosh se elektorati shqiptar është thjesht konservator i dy ideologjive mikse që përfaqësojnë PS dhe PD-në, pa ditur të bëjnë dot abstragimet e nevojshme për nevojën e një partie të re. LSI e humbi këtë mision me zvarritjen njëherë tek njëra dhe pastaj tek tjetra parti, duke u bërë njësoj e padashur te PS dhe PD, që duket se me zgjedhjet e fundit i kanë dhënë edhe një goditje afër knock down.

Ajo që të shqetëson është shuarja e menjëhershme e të gjithë alternativave dhe vetë angazhimi i njerëzve të këtyre partive për të vazhduar. Dorëheqjet e Patosit dhe Topallit më shumë duhen lexuar si lodhje ndaj këtij reagimi të munguar të publikut shqiptar sesa pjesë e asaj kulture që duhet të jetë në partitë shqiptare.

Por më keq akoma është se publiku nuk e lexon dot ndryshimin, ose njerëzit që janë përballë nuk dinë të frymëzojnë si duhet. Ky variabël duhet lexuar dhe me sa duket ajo vërejtja e OSBE-ODHIR-it për edukimin e publikut shqiptar është hallka kryesore. Që në momentin që vota ende blihet dhe paragjykohet duket se nuk ka ende vend për alternativa.

Kjo duhet t’i bëjë të mendojnë iniciatorët e formacioneve politike për një logjikë tjetër. Kryesore është që përpjekjet t’i fillojnë qysh në shtator dhe me piketa të qarta. Për ndryshimin. Për vendin. Pasi prej tani duhet të nisë ideja e një lëvizje të re politike. Është nevojë ulëritëse, paçka se në çfarë kahu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Shpresa për zgjedhje të rregullta ka marrë fund"

Ben Andoni: Pandemia ka shtuar krizën ekonomike tek shqiptarët