MENU
klinika

Përgjigjet guvernatori

Pse u fut tani 10 mijë lekëshi i ri në qarkullim?

18.06.2021 - 19:12

Dy ditë më parë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi dy prerje të reja të kartëmonedhave, 1.000 lekëshe dhe 10.000 lekëshe. Prerja 10 mijëshe është më e madhja deri më tani dhe del për herë të parë në treg duke filluar nga 30 Qershori.

Por përse Banka e Shqipërisë hodhi në qarkullim prerjet e reja në këtë moment? Në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në Radarin Informativ në ABC, Guvernatori Gent Sejko shpjegoi se vendimi për kartëmonedhat e reja është marrë 9 vite më parë.

Vendimi për hedhjen e kësaj kartëmonedhe është marrë 9 vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe është elaboruar i gjithë procesi, që është i gjatë. Ne kemi rishikuar të gjithë kartëmonedhat tona. Në 2019 kemi prezantuar serinë, por puna ka filluar më herët për të rishikuar këtë seri, pasi është një proces i gjatë. Rishikimi i serisë së plotë është prezantuar. Ne kemi konkluduar punën e nisur kohë më parë për prerjen 10 mijë lekë dhe së bashku me prerjen 1 mijë lekëshe do të marrin kurs ligjor në 30 qershor. Pra përdoruesit do i kenë këto dy prerje pas datës 30 qershor” tha ai.

Por përse u hodh tani në qarkullim prerja 10 mijë lekëshe? Sejko vendimin e lidhi edhe me çmimet dhe pagat. “Kjo prerje mund të ishte hedhur edhe më herët. Për ekonominë në këtë moment kjo prerje i përgjigjet nivelit të çmimeve dhe të pagave, të rritjes së çmimeve dhe pagave, rritjes. Prerja më e madhe që kemi pasur ka qenë, 5 mijë lekë, pjesë e emisionit të vitit ’96, nga ‘96 pagat dhe çmimet në Shqipëri janë rritur me disa herë mbi 5 herë dhe një prerje e tillë do i përgjigjej nevojës së ekonomisë. Kjo prerje i shërben edhe BSH për një mirë-administrim qoftë për stokun e parasë dhe rezervave” tha ai, ndërsa mori edhe një shembull konkret “Po ta thjeshtoj, edhe ju, edhe neve, nëse nga pikëpamja praktike, nëse do të shkonim me pushime në një vend të bukur të Shqipërisë do të kishim një lehtësi, pra për të shpenzuar një sasi të caktuar parash, nëpërmjet prerjes së re do të na lehtësohej portofoli dhe do të kryenim të njëjtin  funksion financiar me një sasi më të vogël paraje në qarkullim” tha ai.

Por ditët e fundit ka pasur një debat për prerjen e re, që lidhet me shqetësimin mbi trafiqet dhe informalitetin. Por Sejko, kishte një përgjigje qetësuese. “Aktiviteti i pastrimit të parave parandalohet nga mjaft masa të reja, edhe BSH është një nga institucionet. Pjesa më e madhe e trafiqeve nuk bëhet me lekë, por euro dhe parandalimi është detyrë e institucioneve ligjzbatuese. Ne nuk mund të mos hedhim në qarkullim një prerje që i shërben sistemit vetëm për faktin që mund të paragjykohet apo gjykohet nga disa komente si element që mund të shërbejë për trafiqe apo korrupsion. Është euro, kryesisht ajo…Pjesa e aktiviteteve kriminale kryhen në monedhë të huaj” tha ai.

Prerja e kartëmonedhës së re në cash vjen në një moment kur bota po “zien” nga debati i monedhës virtuale, por a do të thotë kjo se nuk jemi në një linjë me zhvillimet globale? “E gjithë bota ka kartëmonedhën dhe njëkohësisht punon  drejt modernizimit të parasë elektronike dhe pagesave. Ka një strategji nga BSH që po zbatohet, vjet ne kemi miratuar një ligj për pagesat dhe po marrim disa iniciativa për modernizimin e sistemit të pagesave për formalizimin e ekonomisë, rritjen e numrit të shqiptarëve me llogari bankare dhe dixhitalizimin e pagesave. Shqipëria ka pasur progres të madh. Synimi është që mjaft pagesa, si drita dhe ujë ti kryejnë në mënyrë dixhitale.

Ne jemi duke punuar për modernizimin e sistemit të pagesave që në radhë të parë të kemi një përfshirë më të madhe financiare në sistemin bankar, veprimet të jenë të formalizuara. BSH e ka objekt, e ka strategji, për zvogëlimin e cash-it në ekonomi dhe rritjen e pagesave elektronike. Hapat konkretë janë ndërmarrë, përmirësimi i serisë është një gjë tjetër dhe modernizimi është gjë tjetër. Kam parë disa komente, që janë të cekta, jo nga ekspertë” përfundoi ai.

Në fund ai foli edhe për situatën ekonomike dhe pritshmëritë nga turizmi. “Kjo është në varësi të ecurisë së pandemisë. Shifrat janë optimiste. Numrat e infeksioneve tregojnë ulje. Shpresojmë që vjeshta të mos ketë sërish rritje. Sektori i turizmit ndikon në rritjen e ekonomisë. Shpresojmë të kemi një sezon të mirë turistik. Elementët e tjerë kanë treguar rezultatet pozitive. Të dhënat janë pozitive dhe parametrat parashikojnë një rritje ekonomike 5.3% këtë vit. Ka pritshmëri për ringritje ekonomike edhe në rajon” përfundoi Sejko.