MENU
klinika

Të gjithë shqiptarët po ikin në Stamboll!

Qyteti turk bëhet destinacioni i parë i fluturimeve për vitin 2021

12.06.2021 - 12:19

Kufizimet e fluturimeve për shkak të pandemisë kanë ndryshuar tërësisht destinacionet ku fluturojnë shqiptarët. Tashmë nuk janë më qytetet italiane, por për 4-mujorin e parë të këtij viti, destinacioni i parë është Stambolli, me 58,014 pasagjerë. Të dhënat u bënë të ditura nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Turqia ishte ndër të paktat shtete që nuk vendosi kufizime të rrepta për hyrjen e shqiptarëve. Megjithatë, në krahasim me 2019-n, numri i pasagjerëve drejt Turqisë për 4-mujorin është me rënie prej 27%. Për vitin 2019, destinacioni me numrin më të lartë të pasagjerëve ka qenë Milano, me 94,214 pasagjerë. Për 4-mujorin e këtij viti, Milano renditet i dyti, me 37.6 mijë pasagjerë, teksa drejt këtij destinacioni fluturimet janë 60% më të ulëta se në janar-prill 2019.

Qytetet italiane kanë shënuar rënien më të madhe të pasagjerëve që fluturojnë nga/drejt Rinasit. Pasagjerët me Romën janë tkurrur me 75%, Pizës me -68%. Drejt qyteteve italiane, qytetarët shqiptarë ende nuk lejohen të udhëtojnë, përveçse në raste të veçanta. Historikisht Italia zinte më shumë se 50% të tregut të fluturimeve deri në 2019-n, por nga 2020-a kjo ka ndryshuar si rrjedhojë e kufizimeve të fluturimeve, por edhe shtimit të destinacioneve të tjera.

Rënie të fortë ka shënuar dhe destinacioni i Vjenës, me -66% për 4-mujorin 2021, në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s. Vjena është një nga aeroportet kryesore që shërben si tranzit për shtete të tjera të Europës dhe për kontinente të tjera. Ky vit, krahasimisht me 2019, ka shënuar futjen e destinacioneve të reja si, Dubai, Baden-Baden, Basel, Berlin dhe Memmingem.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, në prill, pjesën kryesore të tregut e kishte Wizz Air, operatori me kosto të ulët, që e shfrytëzoi periudhën e krizës për të  zgjeruar destinacionet. Ai kishte 34% të tregut të fluturimeve. E dyta ishte Air Albania me 24%, e ndjekur nga Alba Wings me 8%.

Marrë nga Monitor.al