MENU
klinika

Muzeu Kombëtar

Rivjen një prej ikonave të rralla, nga David Selenica

11.06.2021 - 15:26

         Përfundon restaurimi i veprës: “Vajtimi i mbivarrshëm”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Vepra është një ndër ikonat e rralla, që ndodhen në këtë muze, të realizuara nga David Selenica, piktori i madh shqiptar i gjysmës së parë të shek. XVIII.

Kjo ikonë ishte pjesë e veprave të grabitura nga MHK në vitin 1994, bashkë me “Epitafin e Gllavenicës”, që u gjetën më pas, në vitin 1996.

Përsa i përket mjeshtërisë artistike ndër piktorët e shkollës së Korçës, më i talentuari është David Selenica.

Në pavijonin e ikonave pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara dy ikona të ikonografit: “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” dhe “Shpërfytyrimi”, ndërsa në fondin e Muzeut Historik Kombëtar është ikona “Vajtimi i mbivarrshëm”.

Pavijoni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV-XIX, ku vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenica, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonakun e shumë autorë anonimë. Ikonografia lindi, triumfoi dhe u zhvillua bashkë me krishtërimin.

Ikonat pikturohen mbi dërrasë dhe më pas vendosen në ikonostas sipas një renditje të caktuar. Arti bizantin i pikturimit të ikonave i nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës.

Ikonografit nuk i lejohej të ndryshonte përmbajtjen dhe rregullat që përcaktonin kanonet e shenjta dhe tradita e kishës. Fytyrat e shenjtorëve që paraqiten në ikonat, shprehin asketizëm dhe përulësi, sepse ata kanë qenë njerëz që kreshmonin, luteshin dhe bënin jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar