MENU
klinika

Çështja shqiptare

Rilindasi mendjendritur, Sami Frashëri

18.06.2021 - 15:41

                                   Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës

      Romancier e dramaturg, gjuhëtar i madh e filozof, përkthyes e pedagog, Sami Frashëri është si autor i një sërë veprash shkencore për masat, si autor tekstesh për shkollën, si autor i manifestit të Rilindjes kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, si ideologu dhe politikani largpamës.

“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, është ndër të paktat vepra të tij në shqip, që shpalos forqë të ndjesh forcën e mendjes dhe të karakterit të këtij biri të madh që lindi kombi ynë; por për të pasur një përfytyrim të plotë e të saktë për rrugën e formimit të tij si shkencëtar i shquar dhe si ideolog i Rilindjes sonë, studimi i veprave të tij të shkruara në gjuhën shqipe është i pamjaftueshëm.

Një ndër veprat e tij, që njihet fare pak (vetëm nga rrethet e studionjësve të Samiut dhe nga ata që zotërojnë turqishten) është edhe një përmbledhje fjalësh të urta, të cilën Samiu e botoi aty nga viti 1878, në serinë e botimeve “Biblioteka e xhepit”.

Sami Bej Frashëri (1 qershor 1850, Frashër – 18 qershor 1904, Stamboll). Ai ishte rilindas i shquar, dijetar i madh, shkrimtar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i njohur në literaturën e huaj si Shemseddin Sami.

Lindi në Frashër, Përmet, më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu (Kalkendelenli Mahmut Efendi), mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj.

Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe më pas “Dituria” (Stamboll, 1884-85), ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe, hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899, pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ku u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës.

Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe, që mbeti i pabotuar.

Gjithashtu ai la në dorëshkrim, një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.

Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes.

Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri “Besa”, e botuar më 1875, e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.

Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroj disa libra dhe broshura, të ciat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”, hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: “” (“Mëngjezi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, (“Java”) etj.

Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll.

Ka thë thënë, Sami Frashëri:

Për të jetuar njeriu rehat në botë, i nevojiten katër gjëra prej metali: një torbë me florinj, një pishtar i argjendtë, një fytyrë prej bronzi, një zemër prej hekuri.

Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë

Është për keqardhje që në botën politike nuk është bërë zakon të respektohet nderi dhe mirësjellja. Një njeri i rëndomtë humb besimin po nuk e mbajti fjalën, një diplomat që qeverisë një shtet, sa më shumë të gënjejë, aq më shumë numërohet për diplomat.

Në kohën tonë të gjithë po merren me politikë; kjo punë ka bërë që të rinjtë të harrojnë zbavitjet e tyre, pleqtë -hallet e tyre, gratë – qeverisjen e shtëpive të tyre, adhuruesit – adhurimin, tregtarë- fitimin dhe mjekët – të sëmurët e tyre.

Tre vetë që ndihmojnë njëri-tjetrin çojnë një peshë, të cilën s’mund ta ngrenë gjashtë vetë, të cilët kërkojnë t’ia lënë barrën njëri-tjetrit.

 Jeta e njeriut është një pe i dredhur nga lumturia dhe fatkeqësia. Po të ishte dredhur vetëm nga fatkeqësia, do të ishte këputur shpejt, po të ishte përbërë vetëm nga lumturia, do të ishte tepër i ashpër dhe nuk do të hynte në punë.

Fjala e keqdashësit është si qymyri, edhe kur nuk të djeg, të nxin.

Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.

Ai që i përgjigjet me ligësi mirësisë sate, bëhet mjet për të bërë të njohur mirësinë tënde dhe ligësinë e vet.

Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen, mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia e dorëlirësia shthurjen dhe keqsjelljen.

Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’i mbyllësh gojën keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën kusarit që i kalon afër, ashtu i leh edhe njeriut të ndershëm.

Lëvdata e bën njeriun të kthehet nga rruga që ka zënë, kurse kritika e bën ta kontrollojë rrugën e vet dhe ta vazhdojë.

Njeriut të gëzuar gjembi i duket trëndafil, për njeriun e pezmatuar s’ka ndryshim trëndafili nga gjembi; në çdo gjë ai sheh një pezmatim, një dëshpërim, s’kënaqet me asgjë.

Babai që neglizhon edukimin e së bijës, përgatit turpin e vet dhe shkatërrimin e dhëndrit të tij.

Miqësia është si drita e rrufesë, sa më i errët të jetë vendi, aq më shumë ndriçon.

Po të dyshosh për besnikërinë e një shoku, dyshimi yt mund të bëhet shkak që edhe ai të dyshojë për ty.

Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e gëzuar.

Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk largohet nga sjelljet e këqija; kjo është si kur ke frikë nga lagështira e banon në moçal.

Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në formën më të përsosur.

Virtyti i bën të dashur me njëri- tjetrin, njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm- dëfrimi dhe zbavitja, të këqinjtë, vagabondazhi dhe delikti.

Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: të ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje të vështirë, të thuash të vërtetën edhe në zemërim, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh ose të hakmerresh

Gjëja që ka shkaktuar fanatizmin (fetar) janë përrallat të shpikura nga keqdashja, të pranuara nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.

Filozofi kinez Ming Çu ,thotë: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’u mbyllësh portën, për të mos i pranuar.”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit