MENU
klinika

Lufta e Ftohtë

Rosenbergsët: njolla më e shëmtuar e Amerikës!

24.06.2021 - 15:50

        Të pakta janë proceset gjyqësore në historinë amerikane, që mund të krahasohen me sensacionin që shkaktoi procesi i Ethel dhe Julius Rosenberg. Çifti u arrestua në vitin 1950, për spiunazh atomik. Ende s’ishte mbushur viti, kur befas Bashkimi Sovjetik kishte provuar bombën e parë bërthamore, vetëm katër vjet pas sulmeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki./Konica.al/ Mao Ce Duni shpalli Republikën Popullore të Kinës. Histeria e Luftës së Ftohtë kishte arritur kulmin. Procesi i çiftit rrodhi shpejt, u dënua me vdekje dhe, pas dy vitesh protestë ndaj sistemit dhe një seri apelimesh të dështuara, në qershor 1953 u ekzekutuan. Në historinë amerikane janë të vetmit individë të vrarë për spiunazh në kohë paqeje, për më tepër, thuajse të gjithë pohojnë se nuk duheshin vrarë. Një portret prekës i qytetarit amerikan, që u ekzekutua për kalim sekretesh atomike tek rusët.

A mund ta zbulojnë të vërtetën, fëmijët e tyre? /Konica.al

Rasti i Ethel dhe Julius Rosenberg, çifti i ri hebrejo-amerikan i ekzekutuar në qershor 1953, në kulmin e Luftës së Ftohtë për gjoja kalim të sekreteve atomike rusëve, për 70 vjet ka qenë një barrë e rëndë në ndërgjegjen politike dhe kulturore të SHBA-së. Ishin civilët e parë, që u akuzuan dhe u ekzekutuan për spiunazh në kohë paqeje, çështje e cila prej kohësh gjykohet, pjesa dërrmuese të së djathtës politike, si gabimi më i shëmtuar i SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërkohë, trillimet pasurohen me të vërteta dhe metafora të çuditshme nga histori që vërtiten rreth këtij çifti “kokëfortë”.

Libri i Silvia Plath “Tingëllima e vazos” hapet me rreshtin: “Ishte një verë e çuditshme, e zymtë, vera që ata çuan në karrigen elektrike Rosenbergsët…”.

Veç është E.L. Doctorow me “Libri i Danielit”, botuar në 1971, rrëfyer nga perspektiva mjeshtërore dhe kokëfortë e djalit të çiftit të vrarë (Isaacsons në roman), që qëndron ende si evokimi më krijues i kuptimeve më të thella politike të historisë dhe pasojave njerëzore. […] Edhe në ditët e sotme çështja vazhdon të polarizojë opinionin. Ekzistojnë ngjashmëri të jashtëzakonshme midis atmosferës helmuese të luftës së ftohtë dhe asaj të politikës bashkëkohore, veçanërisht Amerikës së Trumpit: gënjeshtrat zyrtare, mizogjinia e paargasur, përndjekja e së majtës radikale, e pakicave racore dhe etnike, mosrespektimi dhe dredhitë e procesit ligjor, frikacakëria e shumë politikanëve të moderuar, të zakonshëm. (As Truman dhe as Ajzenhuaeri, nuk e gjetën guximin të sfidonin shtypin dhe histerinë publike rreth çështjes e ta zbusnin dënimin me vdekje të çiftit Rosenbergs). Çështja ishte pjellë e personazheve të dënueshëm, nga J. Edgar Hoover te Roy Cohn, i cili në moshën 23-vjeçare ishte avokati më i ri në ekipin e prokurorisë, duke u dalluar si këshilltar kryesor në seancat e Ushtrisë-McCarthy në 1954 dhe më vonë avokat dhe ndërmjetës i gjithanshëm, për të riun Donald Trump. […].

Gjatë zhvillimit të procesit, shumica besonin se të dy Rosenbergsët ishin të pafajshëm për gjithë akuzat e ngritura kundër tyre. Më pas, kur në 1995 u botuan transkriptimet e deshifruara të mesazheve midis stërvitësve sovjetikë dhe rekrutëve të tyre amerikanë, projekti “Venona”, konfirmoi që Julius, inxhinier në një laborator strategjik të ushtrisë, gjatë luftës kishte nxjerrë sekrete, megjithëse vijojnë aludimet sa i përket rëndësisë së materialit që siguroi për rusët. Sipas Sebba-s, çështja kundër Ethelit mbetet “e paqartë”, pasi “Venona” nuk dha prova finale, që ajo të kishte punuar për KGB-në, pra nuk kishte emër të koduar, edhe pse mund të ketë qenë në dijeni për pikëpamjet e punës së bashkëshortit dhe ka miratuar motivet e tij. Në demokraci veprimi nuk është vepër kapitale e dënueshme ligjërisht dhe mbrohet liria e mendimit. Krejt e kundërta, Ethel u dënua kryesisht falë dëshmisë së rreme që dha i vëllai, David Greenglass, një spiun që punonte në Los Alamos, ku po ndërtohej bomba atomike, i cili i shpëtoi dënimit me vdekje duke deponuar kundët të motrës dhe kunatit. Greenglass, i cili shërbeu nëntë vjet e gjysmë, ndërsa e shoqja nuk u akuzua kurrë, më vonë rrëfeu se ai kishte gënjyer gjyqin, kur tha se ishte dëshmitar që motra shkruante informacione sekrete për t’i transmetuar mandej Julius. Në 2016, fëmijët e Rosenbergs, pa sukses, i bënë kërkesë Presidentit në ikje, Obama, për të shfajësuar nënën e tyre. […]  /Konica.al/Për adhuruesit, komunizmi ishte një botë e tërë shoqërore dhe ideologjike, por Sebba na kujton sesi qëndrimet zyrtare të SHBA-së ndaj Bashkimit Sovjetik u luhatën në mënyrë dramatike brenda një kohe relativisht të shkurtër. Ofenduar nga pakti sovjetiko-nazist 1939-41, Rusia e Stalinit u përqafua si një partner heroik, partner sakrifikues 1941-1945, vetëm që Shtetet e Bashkuara të bëhen paranojake në lidhje me mundësinë e Bashkimit Sovjetik që të zhvillonte armët e veta atomike, veçanërisht pas fillimit të luftës koreane më 1950. Ky ishte konteksti politik që nxiti histerinë e çështjes “Rosenberg”.

Preokupimet e vërteta të Ethelit gjatë viteve të luftës nuk ishin politike, por personale. Ajo dëshironte të ishte një nënë e mirë për djemtë: Michael dhe Robbie. Gjyqi i Rosenbergsëve për spiunazh ishte një shtrembërim i drejtësisë. Gjykatësi bashkëpunoi me një proces penal keqdashës, për ta nxjerrë atë si “partnere të plotë” në akte spiunazhi dhe minoi përdorimin e ligjshëm të amendamentit të pestë. Ethel nuk pranoi të jepte informata për të shoqin, apo të hiqte dorë nga bindjet e saj politike, gjë që nuk e ndihmoi aspak. Pas dënimit, u rrit presioni i publikut për ta zbutur dënimin me vdekje të Rosenbergs, por nuk mjaftoi për t’i shpëtuar. Ndërsa Julius, deri në fund, besoi te mëshira, Ethel ishte i bindur se do të vdisnin dhe u përpoq t’i mbronte sa më shumë fëmijët përballë fatit të afërt e të tmerrshëm të prindërve.

Letrat e fundit për fëmijët, apo tregimet e palëve të treta për vizitat e tyre të fundit në burg, janë drithëruese. “Duke u treguar bijve të saj dinjitet, besim dhe guxim përballë fatkeqësisë, ishte mantra e Ethelit dhe burimi i asaj pak force që e mbajti gjallë deri në fund”. Sebba ka gërmuar thellë nën këtë histori djallëzore të famshme dhe arketipike të spiunazhit, armëve dhe tensioneve ndërkombëtare, për të na dhënë një shpjegim inteligjent, të ndjeshëm dhe tërheqës të jetës së shkurtër, tragjike të një gruaje që rrethanat e bënë të famshme. E tradhtuar nga njerëzit e dashur në jetë: nga nëna, vëllai, vendi i saj, e rëndësishme ishte që ajo të qëndronte besnike ndaj gjërave që besonte dhe ndaj njerëzve që donte, pavarësisht nga pasojat. Duke qëndruar në këtë rrugë fatale, ajo shfaqet si një figurë guximtare kokëfortë, një grua që ngrihet mbi paradën e figurave morale, të kërkimit të vetvetes dhe figurave mizogjene, të cilët komplotuan për ta shkatërruar atë./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit