MENU
klinika

Shqetësuese apo jo?

Rritje jonormale e kockave në gojë? Mësoni çfarë është

17.06.2021 - 13:00

Osteiti kondensues nuk konsiderohet një gjendje shumë e zakonshme dentare. Sidoqoftë, është ai që mund të çojë në komplikime nëse nuk trajtohet.

Lajmi i mirë është se dentisti mund ta zbulojë këtë gjendje me rrezet X të rregullta. Ju gjithashtu mund të referoheni tek një specialist i njohur si endodontist për trajtim.

Oseiti kondensues konsiston në rritjen jonormale të kockave dhe lezione që mund të rezultojnë nga inflamacioni i dhëmbëve ose infeksionet. E njohur gjithashtu si osteit skelorozues fokal, kjo gjendje dentare është e njohur për rritjen e kockave më të forta, të cilat prekin kryesisht dhëmbët molarë në zonën e nofullës.

Një diagnozë e osteitit kondensues mund të jetë e papritur, pasi kjo gjendje dentare nuk shkakton domosdoshmërisht ndonjë simptomë të dukshme. Gjithashtu nuk konsiderohet një sëmundje e zakonshme.

Sidoqoftë, nëse dentisti ka përcaktuar që e keni këtë gjendje, është e rëndësishme të kërkoni trajtime të rekomanduara për të ndihmuar në parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme të dhëmbëve.

Cilat janë simptomat e osteitit kondensues?

Ndryshe nga shumë çështje të tjera dentare, osteiti kondensues është kryesisht asimptomatik. Kjo gjendje zakonisht zbulohet gjatë një vizite rutinë dentare me rrezet X.

Ndonjëherë shkaqet fillestare themelore të osteitit kondensues mund të shkaktojnë simptoma, të tilla si dhimbje të lehtë. Sidoqoftë, rritja jonormale e kockave zakonisht nuk mund të zbulohet pa një dentist.

Çfarë e shkakton osteitin kondensues?

Osteiti kondensues shënohet nga forcimi jonormal i kockave (skleroza). Ngurtësimi i kockave ka tendencë të lokalizohet, nuk është një çështje e përhapur në gojë. Inflamacioni dhe infeksionet mendohet të jenë shkaqet kryesore të osteitit kondensues, i cili mund të shoqërohet me gjendje të tjera dentare.

Pulpiti është një gjendje e mundshme e lidhur me këtë sëmundje dentare, e cila shkatërron indet brenda dhëmbëve. Inflamacioni kronik, por i lehtë i kanalit rrënjë është një tjetër mundësi, së bashku me infeksionet e shpeshta.

Në përgjithësi, osteiti kondensues prek rreth 4 deri në 7 për qind të njerëzve. Sidoqoftë, duke pasur parasysh mungesën e simptomave, ju nuk mund ta kuptoni se keni këtë gjendje derisa dentisti ta zbulojë  atë.

Megjithëse nuk është një gjendje e zakonshme në vetvete, osteiti kondensues konsiderohet si një nga format më të shpeshta të lezioneve të nofullës.

Si trajtohet osteiti kondensues?

Trajtimi për osteitin kondensues varet nga shkaku themelor. Një dentist ose endodontist mund të rekomandojë opsionet e mëposhtme:

një kanal rrënjor për të ndihmuar në trajtimin e inflamacionit dhe çdo infeksioni rreth dhëmbit të prekur

antibiotikë për ndonjë infeksion ekzistues

nxjerrja e dhëmbit të prekur nëse dyshohet për dëmtim të përhershëm

një qasje e mundshme e pritjes dhe e ndjekjes së ecurisë për të parë nëse gjendja përparon, veçanërisht nëse nuk vërehen simptoma të tjera

Hulumtimi  ka treguar se pasi dhëmbët janë trajtuar me një kanal rrënjë, lezionet e kockave të lidhura me këtë gjendje mund të zgjidhen me kalimin e kohës, me shërimin e pjesshëm gjithashtu të mundshëm. Megjithatë, studiues të tjerë kanë vërejtur se inflamacioni dhe dëmtimi i përhershëm i dhëmbit mund të ekzistoj akoma.