MENU
klinika

Nga grupet, te finalja

Sa përfitojnë skuadrat pjesëmarrëse në Europian

03.06.2021 - 22:08

Mbetet edhe një javë nga starti i Kampionatit Europian. Favoritët mbeten pak a shumë të njëjtën, që nga Portugalia që mban kurorën dhe deri te Belgjika e Italia, pa përmendur të njëjtët e viteve të fundit: Francën, Anglinë, Gjermaninë dhe Spanjën.

Përvec triumfit, Europiani vlen edhe në aspektin ekonomik. Secila prej 24 kombëtareve të kualifikuara ka arkëtuar 9.25 milionë euro, premio kjo e cila është rritur ndjeshëm kundrejt edicionit të kaluar “Francë 2016”.

Në total, UEFA ka vendosur që të rrisë me 25 për qind shpërblimet për kompeticionin. Gjithsesi, për fazën e grupeve këto nuk do të jenë përfitimet e vetme, duke qenë se UEFA ka vendosur që çdo fitore ta vlerësojë me 1.5 milionë euro, ndërsa barazimi do të vlejë 750 mijë euro.

Për sa i përket fazës me eliminim direkt, kualifikimi për në 1/ 8-at do të sjellë 2 milionë euro të tjera shtesë. Ndërkohë, premiot do të vazhdojnë me shtimin e 3.25 milionëve për arritjen në çerekfinale, 5 milionë euro kush arrin në gjysmëfinale, ndërsa të qenit finalist garanton 7 milionë.

Për më shumë, skuadra që do të ngrejë trofeun do të marrë edhe 3 milionë euro të tjera. E thënë ndryshe, çdo kombëtare që arrin të shkojë deri te trofeu do t’i çojë federatës respektive një shifër mes 31 dhe 34 milionë eurove totale, sepse varet edhe nga rezultatet në grupe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN