MENU
klinika

Dhjetë vjet bisedime Kosovë – Serbi

SHBA dhe BE kërkojnë marrëveshje brenda vitit

16.06.2021 - 10:16

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë nisur në vitin 2011. Fillimi i këtyre bisedimeve u parapri nga miratimi nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2010 i rezolutës së sponsorizuar nga Bashkimi Evropian e cila hapi rrugën për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të ndërmjetësuar nga Brukseli me qëllim vendosjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm mes dy shteteve por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë çështje kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare te Drejtësisë në 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedonte me Serbinë vetëm për çështje teknike në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në tetor të vitit 2012, procesi i dialogut në nivel politik u realizua nga ish kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve. Marrëveshja e parë e arritur në vitin 2011 ishte për regjistrat civil, me tej ajo marrëveshja për lirinë e lëvizjes, vulat doganore, pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufirit, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomin dhe për vizitat zyrtare.

Në vitin 2015 u arrit marrëveshja për shpërbërjen dhe integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në veri të Kosovës si dhe marrëveshja për njohjen reciproke të policave të automjeteve. Ndërkaq, nëJ të vitit 2017, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për integrimin e sistemit te gjyqësorit në veri të vendit.

Marrëveshjet e zbatuara plotësisht janë ato për vulat doganore, dhe për mbledhjen e të ardhurave doganore si dhe për njohjen reciproke të certifikatave. Pjesërisht janë zbatuar marrëveshjet për kadastrën, për regjistrin civil, për lirinë e lëvizjes, për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal dhe për shpërbërjen e “Mbrojtjes civile”.

Në proces të zbatimit janë marrëveshjet për menaxhimin e integruar të kufirit, për telekomin, për certifikatat e produkteve farmaceutike. Kurse të pazbatuara janë marrëveshjet për pranimin e diplomave universitare, për energjinë, dhe për njohjen e policave të automjeteve. Paralelisht me zhvillimi e dialogut ne Bruksel, Serbia vazhdoi të udhëheqë një fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të vendit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Per shkak të mospranimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb. Ky vendim shkaktoi një ngërç në procesin e negociatave, sepse Beogradi zyrtar nuk pranoi të kthehej në Bruksel derisa të shfuqizohet vendimi për tarifat. Pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, i cili drejtoi Qeverinë e Kosovës për rreth një muaj e gjysmë, e shfuqizoi vendimin për taksat dhe e zëvendësoi atë me masa të reciprocitetit. Ky vendim nuk gjeti mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, e cila u kërkoi palëve të angazhohen për të krijuar një klimë pozitive për rifillimin e dialogut.

Qeveria e re e udhëhequr nga Avdullah Hoti, e shfuqizoi vendimin për reciprocitetin në ditët e para të punës së saj, duke deklaruar se kështu u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu Kosovë – Serbi rifilloi më 16 korrik 2020 në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Dy temat kryesore në këtë takim ishin problematika e personave të pagjetur gjate konfliktit te vitit 1999 si dhe bashkëpunim ekonomik.

Përfshirja intensive e administratës së ish-presidentit Trump krijoi mundësi që në Shtator të vitit 2020 në Shtepinë e Bardhë të nënshkruhej dokumenti ku parashikohet vënia në jetë e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe projekte të tjera me një vlerë të përgjithshme që e kalon shifrën 1 miliard euro.

Marrëveshja kryesore qe mban peng arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve është ajo për themelimin e bashkësisë së komunave serbe të cilën heziton ta zbatojë Kryeministri Albin Kurti. Propozimi i krijimit të bashkësisë së komunave serbe erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit e nënshkruar nga qeveria e Kosovës dhe Serbisë ne vitin 2013.

Ky organizëm pritej të krijohej zyrtarisht brenda kuadrit ligjor të Kosovës në vitin 2015, por u shty pafundësisht për kontradiktat rreth shkallës së kompetencave. Në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, asociacioni i ri i Komunave Serbe dhe Asambleja e saj me selinë në Mitrovicën Veriore nuk ka autoritet legjislativ, duke pasur vetëm një “pushtet të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural” në përputhje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjin e Kosovës.

Administrata e re amerikane e presidentit Biden si dhe krerët e BE-se janë angazhuar intensivisht që deri në fund të këtij viti të arrihet një marrëveshje gjithpërfshirëse fryt i këtij dialogu, në mënyrë që t’i jepet fund disi këtij problemi të tejzgjatur rajonal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Dialogu Prishtinë-Beograd çështje me peshë europiane”

Nazarko: Shqiptarët në Serbi po treten e pakësohen, Kurti të formojë Asosacionin

Kurti kërkoi largimin e tij nga delegacioni serb

Reagon Odaloviç: Jam i gatshëm të tërhiqem


Frika më e madhe e Vuçiçit mund të bëhet realitet

Plani i SHBA dhe Britanisë për të copëtuar Serbinë

Gjendja e dy të rinjëve të plagosur

Përplasja mes dy grupeve, humbet jetën kalimtarja

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KE

Çfarë pritet të ndodhë sot në mbledhjen e Komisionit

"Vuçiç po planifikon luftë, ja ku pritet të godasë"

Politikani austriak bën paralajmërimin e frikshëm

"Nuk është e lehtë të them se çfarë kam pranuar"

Vuçiç paralajmëron: Serbinë e presin ditë të vështira…