MENU
klinika

Deklaratat

Shkarkimi i Metës/ Si reaguan PD e LSI?

09.06.2021 - 19:08

Pas shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga Kuvendi, ka ardhur edhe reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ish-deputeti Endrit Braimllari në një njoftim në rrjetet sociale thotë se parlamenti monist dhe ilegjitim ka vetëm një qëllim të heqë vëmendje nga masakra zgjedhore e 25 prillit. Për këtë thotë Braimallari, është i gatshëm të përdori çdo dallkauk për t’u bërë noter i çmendurisë së Edi Ramës.

‘Parlamenti monist dhe ilegjitim ka vetem nje qellim te heqi vemendjen nga masakra zgjedhore e 25 prillit dhe per kete eshte i gatshem te perdori çdo dallkauk per tu bere noter i cmendurise se Edi Rames.

Banditet qe vodhen dhe shkaterruan zgjedhjet sot bejne moral. Ato kane vetem nje shqetesim sesi te shmangin vemendje nga tjetersimi i vullnetit te qytetareve me 25 prill.’- tha Braimllari.

Një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike e cila e konsideron veprim antikushtetues. Nëpërmjet një komunikimi në rrjetin social “Facebook”, PD thekson se ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes së votave.

Gjithashtu Partia Demokratike kërkon që Gjykata Kushtetuese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, ndërsa kërkon nga kjo e fundit të refuzojë shkarkimin e Presidentit Meta.

“Sulmi antikushtetues i Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit të Republikës është akt që thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi.

Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë.

Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj.

Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor.

Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.”, deklaron PD