MENU
klinika

Frrok Çupi

Si të ishim nën pushtim

24.06.2021 - 17:09

Frrok Çupi

Po të ishim të pushtuar, atëherë do ta dinim pse e ndryshonim sjelljen nga mëngjesi në mbrëmje:

Do t’i kishim prerë dasmat dhe fejesat; apo edhe përkujtimin e shenjtorëve nuk do ta kishim bërë me zë të lartë.

Me siguri do të kishim kufizuar nxënësit në shkollë dhe vajtjet në kishë. Miqtë e të afërmit do t’i mbanim ‘të ngrirë’, derisa të pushojë gjendja.

Po të ishim nën pushtim do t’i nxirrnim për në vende sekrete zahiretë e dimrit. Si në romanin ‘Kështjella’ të Ismail Kadaresë ku uji i stereve ruhej natë e ditë nga luftëtarët që të mos ndodhte helmimi nga mijtë e hedhur prej pushtuesit.

Nën një situatë të pushtuar do ta qetësonim mendjen se nuk mund të mblidhej pleqësia e fshatit, as bajraku, as kodet nuk mund të funksiononin krejtësisht, as familjet e mëdha nuk mund të ndaheshin.

Por ne nuk jemi të pushtuar; e as ia vlen të mendohet pushtimi në këtë epokë marrëveshjesh e paqeje. Atëherë pse na ndodh që shumë kode dhe ‘zahire’ të familjes i dërgojmë jashtë për t’i pasur më të siguruar?!

Kjo e bën çështjen një invers të ‘Kështjellës’ së Kadaresë, por përsëri ‘nën pushtim’. Në roman janë pushtuesit e huaj që rrezikojnë të helmojnë ujin e kështjellës, ndërsa në realitetin tonë janë pushtuesit ‘tanë’ që na detyrojnë t’i dërgojmë zahiretë jashtë ‘shtëpisë’.

Dje nisëm për në botë pakon e fundit: Gjykata Kushtetuese vendosi që të dërgojë në ‘Komisionin e Venecias’ çështjen gjyqësore të zgjedhjeve lokale të vitit 2019, 30 qershor. Atëherë u zhvilluan zgjedhjet rregullisht, por pa pjesëmarrjen e PD dhe LSI, të cilat nuk deshën të merrnin pjesë në zgjedhje. Sapo u afrua dita e dekretuar nga presidenti (30 qershor), bash atëherë presidenti ndërroi mendje dhe tha se ‘anuloj dekretin’. Sipas kushtetutës, ai mund ta bënte këtë akt veç nëse vendi do të ishte nën ‘një krizë të rëndë, ose nën pushtim’. Atëherë vendi nuk ishte nën pushtim dhe presidenti theu ligjin, ndërsa tani duket si të jetë gjendje pushtimi. A nuk e nxori jashtë juridiksionit Gjykata Kushtetuese ‘pasurinë’ e vet; njësoj si të largonte zahiretë nga helmimi i ‘tanëve’? Gjykata Kushtetuese, në kushte jo lufte,  i merr vendimet për çështje të Shqipërisë, jo dikush tjetër jashtë juridiksionit.

Kështu po na ndodh gjithë këto vitet e fundit:

Në vitin 2019 Parlamenti i shtetit shqiptar, pasi formuloi një raport për shkarkimin e Presidentit të Republikës, u tkurr dhe vendosi ta dërgojë vendimin e vet në ‘Komisionin e Venecias’ që në fakt është Komision i Evropës për Demokraci në vende me Demokraci të re. Presidenti e shtoi vrullin e shkeljes së Kushtetutës dhe të ndezjes së urrejtjes mes njerëzve dhe palëve politike, por Parlamenti nuk mundi të bëjë asgjë. Presidenti mund ta kishte helmuar me minj gjithë ujin e kështjellës, por mbajtësit e sovranitetit të popullit nuk mund të kishin bërë asgjë. Pa fjalën e Venecias nuk mund të ruante ‘steret e ujit’. Prapë në fillim të këtij muaji: Parlamenti ndërtoi një raport dhe vendim tjetër që kërkon shkarkimin e Presidentit. Por shumë zëra po thërrasin se ‘ta çojmë në Venecia’.

Ka të ngjarë që Gjykata Kushtetuese, që detyrohet të vendosë mbi vendimin e Parlamentit, prapë ta dërgojë çështjen në Venecia…

Çfarë po ndodh kështu? Shteti nuk po ecën me këmbët e veta. Deri më sot asnjë fajtor i madh nuk është kapur nga duart e shtetit tonë.

Pse po ndodh?

1.

E para, sepse vërtet vendi ndodhet nën pushtimin e të vetëve. Që nga viti 1992 kur e emërtuam ‘demokraci’, Drejtësia u dominua nga ushtarët e padrejtësisë të zgjedhur me dorë nga presidenti Sali Berisha dhe rrethi i tij. U rekrutuan injorantë, jo- profesionistë, xhahilë… dhe i dhanë të drejtë të keqes, vjedhjes dhe krimit. Tani ja ku jemi; megjithëse fuqi të mëdha si SHBA dhe BE kanë nisur betejën për Drejtësinë e re, prapë Drejtësia është e trembur nga ‘kuçedra’ që ndal ujin. Pra Gjykata Kushtetuese mendon se ‘më mirë të vendosë Venecia’; se kështu katalanët nuk mund të vrasin ‘Venecianët’. Njeriut këtu i ka hyrë frika dhe helmi në palcë; dhe po kështu shteti nuk është i fortë.

2.

Çfarë po ndodh, vallë?…

Po ndodh ruajtja nga helmimi i ujit pikërisht për arsyen se ‘kështjella’ është helmuar. Kjo është një stinë e nxehtë e cila do të sjellë një vjeshtë ndryshe- me siguri. Fajtorët e mëdhenj janë pikasur me gisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po priten në derën e Drejtësisë. Mirëpo këta, edhe pse të rrëzuar, kanë nisur luftën kundër Amerikës; këta kanë dëshmuar gjithnjë forcë dhe arrogancë, kanë përdorur armët dhe intrigën, vjedhjen dhe urinë, pa-ndëshkueshmërinë dhe pa-bindjen para Drejtësisë. Njerëzit (jo të gjithë) nuk janë të sigurt se cili do të fitojë mes palëve: Do të të fitojnë Berisha dhe Meta apo Amerika?- kjo është dilema… Epo njerëzit nuk mund ta dinë të gjithë se fiton Amerika. Atëherë edhe gjykatësi, edhe gjykata, edhe deputeti, edhe Parlamenti vendosin: ‘Më mirë zahiretë jashtë vendit, se sa të na kapë rreziku këtu!’.

Në këtë klimë po jetojmë edhe pak.