Edhe dy persona të tjerë kanë përfunduar në pranga pas vrasjes së vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill të vitit të shkuar.
Operacioni i koduar “Vazhdimi” çoi në arrestimin e 30-vjeçarit Besian Xhixha, banues në Larushkë të Krujës dhe Enver Divës, 42 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, Kurbin.
Me arrestimin e tyre, shkon në katër numri i personave prapa hekurave për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Shkozet, ndërsa në kërkim janë edhe dy persona të tjerë, përkatësisht Talo Çela nga Elbasani dhe Nuredin Dumani nga Dibra.
Arrestimi i Xhixhës dhe Divës nga Policia ka ardhur pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Pavarësisht se dy të arrestuarit nga zona e Krujës nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në vrasjen e vëllezërve, ata akuzohen nga SPAK për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim dhe për “Mashtrim”.
“Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së shtetasve B. H. dhe V. H. (vëllezër)”, thuhet në njoftim.
Nga bisedat midis dy organizatorëve të vrasjeve, rezulton që ata të kenë thënë:
“Besmiri po fliste shumë, i kishte hyrë vetja në qejf dhe nuk duhej më të qarkullonte”.
Diva rezulton person me precedentë penalë, pasi është përfshirë në grabitjen e një argjendarie, si dhe është arratisur nga Burgu i Shënkollit. Dy të arrestuarit, sipas SPAK, janë kontaktuar nga Nuredin Dumani për të kryerjen vrasjen e vëllezërve, ku në shënjestër ishte Besmir Haxhia.
Megjithatë, krimin e rëndë që tronditi opinionin publik në atë kohë e kryen dy persona të tjerë, Klevis Alla, 22 vjeç, si dhe Altin Ndoci, 33 vjeç.
Ka qenë i riu Klevis Alla ai që zbuluar të gjithë grupin kriminal që kreu vrasjen e vëllezërve, si dhe të një sërë krimesh të tjera të kryera prej tyre, përfshirë grabitjen e bujshme të milionave eurove në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill të vitit 2019.
“KONTRATAT” E VRASJEVE
Besmir-Haxhia-Viktor-Haxhia-dhe-Dorjan-Shkoza-Anxhelo-Avdija
Pavarësisht se grupi kriminal kishte kontraktuar Enver Divën për kryerjen e vrasjes së Besmir Haxhisë, ndërsa Besian Xhixha do të bënte rolin e mbikëqyrësit. Sipas hetimeve, Diva dhe Xhixha ishin paguar para prakisht nga 5 mijë euro për të realizuar “kontratën” e vrasjes.
Por plani nuk shkoi ashtu siç ishte parashikuar. Shkak u bë pandemia, pasi Enver Diva ishte infektuar me koronavirus. Madje ai kishte dalë edhe në media duke denoncuar fasonerinë ku punonte gruaja, e cila e kishte infektuar atë. Dida ankohej gjithashtu se nuk kishte mundësi ekonomike për të përballuar kurimin.
“Nuk mund ta bëj vrasjen, se jam në karantinë, s’më lënë të dal”, u ka thënë Dida drejtuesve të grupit kriminal.
Ky infektim i Didës bëri që Talo Çela dhe Nuredin Dumani të kontraktonin dy persona të tjerë për të kryer ekzekutimin e Besmir Haxhisë, pikërisht të arrestuarit Klevis Alla dhe Altin Ndocin. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Klevis Alla, ka zbërthyer jo vetëm mënyrën se si u organizua vrasje e vëllezërve Haxhia, por edhe se si nisi konflikti që çoi deri në vrasjen e tyre.
Sipas të penduarit, ishte Nuredin Dumani ai që i dërgoi foton e Besmir Haxhisë dhe i tha se do ta vriste.
“Kur mbërrita te tuneli në Shënavlash, aty ishte Talo Çela, Altin Ndoci e Nuredini. Talo kishte maskë me fytyrë njeriu. Nuredini kapuç si RENEA, xhup pa krahë me mbishkrimin ‘OFL’. Ata zbritën nga makina e tyre dhe morën 3 armë në bagazh. Talo me kërcënoi: Ti do vish se s’bën dhe me ka kërcënuar. Unë telefonova Besmir Haxhinë dhe lashë takimin”.
Megjithëse në shënjestër të vrasjes ishte Besmir Haxhia, me të ka ardhur edhe vëllai tjetër, Viktor Haxhia, me profesion jurist, duke mbetur edhe ai i vrarë.
PRISHJA PËR PARATË E GRABITURA
Nuredin Dumani dhe Talo Çela, të cilët aktualisht janë të shumëkërkuar nga Policia, kanë qenë miq midis tyre dhe grabitja e miliona eurove në Rinas ka shërbyer si shkak jo vetëm për prishjen e miqësisë midis tyre, por edhe kryerjen e vrasjeve.
Ky ka qenë edhe shkaku i vendimit për të vrarë Besmir Haxhinë, i cili sipas të penduarit, kishte marrë si detyrë ruajtjen e parave.
Talo Çela dhe Nuredin Dumani nuk e kishin besuar alibinë e vëllezërve se paratë ishin vjedhur në servisin që ata kishin ngritur në Shkozet.
Ndërkohë, disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata kanë vrarë edhe Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn. Vrasja e vëllezërve Haxhia nuk e mbylli sagën e krimeve të Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit.
Prishja për paratë e grabitura bëri që jo vetëm të prishej miqësia midis tyre, por edhe të niste një hakmarrje e egër. Në 16 shtator 2020 në qytetin e Elbasanit vritet me armë zjarri Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës.