MENU
klinika

Raporti i "Blerimit"

Spiunazhi dhe historia e zhdukjes së sportistit

17.06.2021 - 11:50

        Vijon historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27-vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Nga: Dashnor Kaloçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

Raport-informacion i funksionarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, me emrin e koduar “Blerimi”, i kamufluar si diplomat, që u takua me Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin, në Zyrën e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët në Beograd, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Tiranë

S e k r e t

Eksemplar nr.1

Pozitë, me 8.6.1985

I n f o r m a c i o n

Me datën 6.6.1985 së bashku me sh. ………………..shkuam në orën 10.00 në Zyrën e Komisariatit të Lartë të OKB-së, për refugjatë, ku u pritëm nga…………………., shefi i kësaj zyre, zëvendës shef, siç tha vetë, sepse nuk e dha kartvizitën, të dy me shtetësi jugosllave, ……………………..siç u prezantua, politolog i diplomuar, përkthyes dhe një grua punonjëse teknike – jugosllave.

Porsa filluam të bënim këmbimin e kartvizitave të tyre dhe unë po i thosha shefit të zyrës për të biseduar me të, ata sollën menjëherë dy qytetarët tanë, Aleksandër Kondon dhe……………………….. Sa hynë brenda, Aleksandri tha: “Më falni, nuk u’a jap dorën, kot që u çuat në këmbë, bile keni bërë gabim që keni ardhur këtu, sepse neve kemi ikur vetë dhe nuk na ka rrëmbyer njeri, siç doni ta paraqitni ju. Të ishte për neve, nuk do të kishin ardhur, por çfarë t’u bëjmë këtyre që na thirrën”.

Ne i thamë: si ju ndodhi, sepse është shqetësuar e gjithë familja, shoqëria, shteti ynë, gjithë kolektivi juaj i sportistëve, të cilët ju presin në gjirin e vet, për të vazhduar jetën normale. Në këtë kohë, Aleksandri tha se: unë nuk dua të bisedoj fare me juve dhe në këtë kohë u ngrit në këmbë për t’u larguar, e duke i’u drejtuar edhe Xhelalit, që të çohej, me fjalët se: nuk kemi punë me ta.

Ne me gjakftohtësi, i ftuam të uleshin, duke u vënë në dukje se gjendja e juaj shpirtërore, të cilën ne e kuptojmë shumë mirë, nuk duhet të bëhet shkak për një sjellje të tillë. Pavarësisht nga rrethanat që u kanë ndodhur dhe si u kanë ndodhur, do të ishte mirë të na e tregoni atë që ngjau me ju.

Aleksandri tha se: çfarë mendoni ju, mos na ka rrëmbyer njeri, nëse doni ta dini, këta na kanë trajtuar shumë mirë, i falenderojmë dhe siç e shihni, jemi shumë mirë. Ne mezi kemi pritur këtë ditë që të vinim këtu, në këtë vend ku njerëzit janë të lirë, e jo si në Shqipëri, ku njerëzit vuajnë për bukë, nuk kanë asnjë liri, nuk i lë kush të dalin jashtë dhe populli mbahet vetëm me fjalë të bukura. Unë jam rekordmen dhe nuk kam parë asnjë të mirë nga sporti.

Ne i thamë se kjo gjendje në të cilën ndodheni ju, nuk duhet t’u bëjë të bini në ato pozita dhe të flisni kështu për atdheun tuaj, për gjendjen e mrekullueshme në vendi tonë, për gjithë atë që kemi ndërtuar me gjak e me djersë, pasi nuk i kemi shtrirë dorën askujt, për një vend të lirë, që është i vetmi në botë, për atë punë të madhe që ka bërë Partia për ju dhe për gjithë popullin, sepse kujt nuk i ka munguar as puna, e as shtëpia, as shkolla dhe as mënyra socialiste e jetesës, e jo më buka që nuk është problem në Shqipëri.

Nëse ju flisni për privilegje, e dini shumë mirë se tek ne nuk ka të pasur dhe të varfër e as polarizime, që disa të jetojnë shumë mirë dhe disa të vuajnë. Prandaj ju themi se çdo lloj presioni nuk duhet t’ju çojë juve deri në këtë pozitë. Në këtë kohë iu drejtuam………………………, i cili deri në atë moment nuk kishte folur fare dhe i thamë: Hë more…………………………, si ju ndodhi, se kemi gjithë këtë shqetësim?!

Ndërhyri Aleksandri dhe tha: mos u përgjigj, se u përgjigjem unë këtyre dhe na drejtohet me fjalët se edhe ky, po ato mendime që kam unë, ka. Nëse doni të dini, po ju them se unë jam djali i shefit të shtabit të Gardës dhe për shkakun tim, sepse mora dy revista kur isha në Spanjë, u ul nga përgjegjësia. Megjithëse njerëzit e dinë se ne jetojmë mirë, ju duhet të dini, se për javë të tëra nuk kemi patur bukë në shtëpi. Merreni me mend si këto janë të tjerët. Juve flisni këshut sepse jeni jashtë shtetit dhe i keni ca plaçka. Nuk e dini si jeton populli në Shqipëri, të cilin e ka çuar regjimi i Enver Hoxhës në këtë gjendje. Unë e realizova qëllimin tim, do të iki në fund të botës dhe do të jem kundërshtar deri në fund i atij vendi.

Ndërhyn………………………….nuk e ka populli, Aleksandri e ndërpret………………… duke thënë, se fajin e ka qeveria që e ka çuar popullin në atë gjendje e fut në miniera dhe e ka lënë në atë gjendje.

Ne i thamë se nervozizmi juaj na habit, gjë që tregon se diçka e madhe ju mundon dhe përsa i përket të tjerave, që thatë, mos i’a lejoni vetes që rrethanat e krijuara t’u çojnë deri në shprehje të tilla. Ju e dini mirë se puna tek ne është nder dhe njeri pa punë nuk ka, minierat, tokat, fabrikat dhe çdo vend pune janë tonat dhe secili punon e fiton për të jetuar me nder e lavdi.

Në këtë kohë, Aleksandri u nervozua dhe tha: Kështu u takon të flisni juve, mua më bënë polic, gjoja se më dhanë ndonjë gjë të madhe. Këto që po u them juve, unë i them edhe publikisht, bile edhe në televizion dhe do t’i them.

Ne ndërhymë duke i thënë se: nuk ju takon juve të flisni kështu dhe pozita e ndodhia, nuk duhet t’u bëjë të zhyteni në llum. Ne kemi dëgjuar prej këtej edhe intervista, por ato nuk u takojnë juve. Neve ju themi edhe njëherë në emër të familjes, të Federatës e të shtetit tone, që të ktheheni në jetën tuaj të qetë, pranë familjes, në vendin tonë, sepse duhet të dini që pas nesh, do të kërkojë familja juaj t’u takojë.

Aleksandri u ngrit në këmbë, po me të njëjtin nervozizëm, por ndërhyri shefi i zyrës dhe u thotë: uluni, po deshët mos jepni përgjigje, ndërsa shokët që kanë ardhur të pyesin dhe të thonë fjalët e tyre.

Ne i thamë se duam të dimë konkretisht ngjarjen. Aleksandri tha se: unë e as shoku im, nuk do të përgjigjemi, e nuk do t’u japim asnjë hollësi. Ne dimë se çfarë na gjen po të kthehemi, por edhe po të jetë kështu siç thoni ju, nuk e duam atë jetë. A e di ti se unë nuk të përgjigjem fare dhe do të më lesh rehat, apo të veproj ndryshe të të qëlloj me këtë filxhan?!

Ne i thamë se me këtë gjendje, ju edhe këtë mund ta bëni dhe ne nuk do të kundërpërgjigjemi, sepse e kuptojmë gjendjen tuaj, pavarësisht se jemi këtu si përfaqësues shteti. Ne nuk kemi marrë me presione të tjerë, e jo me juve që nuk u bëjmë fajtorë.

Në këtë kohë ndërhyri shefi i zyrës dhe thotë se: këtu jam unë dhe për mua ligj është fjala juaj: çfarë do të thoni juve, do të veprojmë neve (këto i tha duke i’u drejtuar qytetarëve tanë dhe e përsëriti disa herë).

Pastaj na u drejtua neve: Ju e shikoni se këta nuk duan të bisedojnë me ju, ne mezi i kemi bindur për t’u takuar me ju, prandaj nuk kam çfarë të them tjetër!

Ne i thamë atij se: është e drejta jonë që të kërkojmë të gjitha hollësitë, sepse qoftë nervozizmi i dy qytetarëve tanë, i lenë të gjitha gjërat të paqarta dhe nuk na bindin. Qytetarët tanë janë të tronditur, këtë e shpjegon edhe vet mënyrën e qëndrimit të tyre, që është e çuditshme e aspak bindëse dhe ana psikologjike nuk tregon vetëdashje, por i le rrethanat të paqarta. Bile këtu ka nuanca artificiale.

Aleksandri tha se unë nuk dua të bisedoj më me juve, i bëri thirrje edhe……………………..dhe u nisën të largoheshin. Ne ndërhymë duke i’u drejtuar atyre se është hera e parë që vijmë në këtë zyrë të shtyrë nga pafajësia juaj, prandaj edhe njëherë ju themi, se ne jemi këtu. Ambasada është këtu dhe presim të kërkoni ndihmën tonë për t’u kthyer në Atdhe, pranë familjes.

Aleksandri tha se: mua më vjen keq për familjen, asnjë të mos bëjë asnjë përçapje, se nuk do t’i pranoj, qoftë babën, qoftë nënën time.

Ne i thamë se: familja juaj e ka krijuar avenirin e vet me luftë e djersë, por vetkuptohet që mungesa juaj i godet shpirtërisht, ndaj kthehuni në gjirin e saj. Ata u larguan.

Gjatë gjithë kohës, foli Aleksandri. Dukej i verdhë, shumë i nervozuar, por i përgatitur vetëm ai për të folur,……………………rrinte në heshtje dhe kur i ndërhynim neve, menjëherë përgjigjej se jam dakord me ato që thotë Aleksandri, i cili nuk e lejonte të fliste. Mendojmë se tek ata ka luftë motivesh.

Duhet thënë se Aleksandri tha që: edhe sikur me flori të ma shtroni, nuk kthehem. Unë do të kthehem një ditë, por kur të përmbyset regjimi, sepse do të përmbyset një ditë.

Pasi u larguan ata, shefi i zyrës, pyeti nëse jemi të qartë dhe ne i’u përgjigjëm: çdo gjë është e paqartë, duke filluar nga mënyra e sjelljes të dy qytetarëve tanë, tek përgjigjet e tyre, ose më mirë mos përgjigjet, për asnjë nga ato që ne pyetëm, gjë që bën fjalë për artificializëm dhe gjendje jo të qartë shpirtërore të qytetarëve tanë.

Na çudit mungesa e gatishmërisë, për të evituar qoftë edhe një rrethanë lidhur me zhdukjen e tyre. Një njeri i ndërgjegjshëm për aktin që kryen, nuk ka pse të mos thotë gjithë ndodhinë si ka rrjedhur?! Besojmë se këtë e kuptoni edhe ju fare mirë. Shefi, i zënë ngushtë, tha se: kjo është e drejta e tyre, kurse neve jemi një organ humanitar i OKB-së.

Në këtë rast ne e pyetëm nëse punonjësit e kësaj zyre janë jugosllavë. Ata fillimisht bënë sikur nuk e kuptuan, por kur iu përsërit, thane: po jemi shtetas jugosllavë, por kjo nuk do të thotë gjë. Shefi u çua dhe na tregoi kartën e identitetit, si përfaqësues i OKB-së.

Ne i evidentuam se, këtë pyetje e bëmë vetëm për ta ditur. Gjithashtu i thamë atij, se do të dëshironim të denim disa rrethana që vazhdojnë të ngelet të paqarta:

-Kur kanë rënë në kontakt për herë të parë qytetarët tanë me organet e vendit dhe kur jeni njoftuar juve?

-Shefi tha se këto janë çështjet tona dhe nuk mund tua themi juve. Juve ju kanë sqaruar organet jugosllave.

-Ne ndërhymë se nuk dinim asnjë hollësi dhe asnjë rrethanë. Është mirë që ju si organizëm i një organizate ndërkombëtare, ku neve bëjmë pjesë dhe japim një kontribut jo të vogël, bile shumë të madh në të, duhet të na i bëni të qarta gjërat. Dhe në fakt kjo është detyra e një organizmi të tillë. Qartësimi i gjërave deri në fund, do t’i kontribuonte edhe marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Predispozicioni juaj, do t’i shërbente një gjëje të tillë. Mirpo kjo mungon. Ne nuk kërkojmë hollësira se çfarë kanë deponuar ata, por duam të dimë çdo rrethanë mbi humbjen e qytetarëve tanë, për një kohë kaq të gjatë.

-Shefi tha se janë paraqitur me datën 29 maj në organet e Punëve të Brendshme, kurse tek neve me 3 qershor. Ne e pyetëm se në cilin vend ka ndodhur ngjarja, por shefi nuk deshi të përgjigjej dhe pasi i ndëryhri përkthyesi, i cili i tha në Titograd, këtu nuk ka ndonjë gjë, ai e pohoi këtë.

Ne e pyetëm nëse: qytetarët tanë organeve të vendit dhe juve u kanë drejtuar ndonjë kërkesë me shkrim. Shefi përsëri u nervozua, tha se kjo është çështja jonë dhe nuk jemi të detyruar të përgjigjemi. Përsëri i thamë se: e dimë se kemi të bëjmë me një organizëm ndërkombëtar, që në mënyrë të pa anëshme, është i obliguar të bëjë sqarime deri në fund, e jo të përgjigjet në një mënyrë të tillë. Në qoftë se do të ishit ju në vendin tonë, do të bënit të njëjtat pyetje të cilat janë të natyrshme.

Shefi hapi dokumentat e tyre (dy dosje formale, me nga një proçes – verbal) dhe na tregoi firmat e qytetarëve tanë, duke menduar se e kreu “detyrën” e tij. Ne i kërkuam lutjet me shkrim që është akti i parë dhe kryesor në raste të tilla.

Ai nuk dinte çfarë të thoshte dhe shtoi se: më shumë se kaq nuk kam çfarë të them. Çfarë të them unë, që nga Shqipëria arratisen njerëz në Jugosllavi, ndërsa nga Jugosllavia, nuk ka asnjë rast të tillë, të paktën këto 10 vjetët e fundit, ndërhyri ai.

Shfrytëzuam rastin për t’i shprehur atij habinë, se si qenka kaq i painformuar, apo më tepër, kur dihet se nga Jugosllavia në Shqipëri, kanë ikur me qindra vetë, të shtresave e funksioneve të ndryshme, të cilët pala jonë i ka kthyer kryesisht.

Kësaj zyre do t’i takonte ta njihte këtë fakt kaq të rëndësishëm, i cili do të ndihmonte shumë në gjykimin dhe praktikën e saj. Këto që themi neve, i keni edhe në shtypin e këtushëm. Neve na çuditi ky fakt, që ju jeni kaq të painformuar?!

Shefi tha se: nuk jemi shtet në Jugosllavi, por zyre që kryejmë një detyrë humane.

I bëmë të qartë se njohja e praktikës midis dy vendeve, do t’u ndihmonte juve, në këtë humanizëm që na theksoni. Megjithatë ne duhet të dimë nëse kjo proçedurë e shpejtë gati 3-4 ditore ndiqte edhe me të arratisurit në Jugosllavi?

Shefi njëherë tha: po, pastaj tha: varet nga rastet dhe duke parë se kjo nuk ishte përgjigje, tha se: kjo varet nga rastet dhe duke parë se kjo nuk ishte përgjigje, tha se: kjo varet nga organet e vendit, kush ikën nëpërmjet kufirit dhe kush me pasaportë.

Duhet të dini se: zyra jonë nuk bën veprimtari kundër Shqipërisë dhe nuk pranojmë të hyjmë në çështje politike, se çfarë keni ju me Jugosllavinë, për komunizmin, apo për Lidhjen e Veteranëve. Nëse doni, neve ju kontaktojmë edhe me të arratisur të tjerë, nëse dëshironi, megjithëse nuk e kemi praktikë me vendet e tjera.

Ne i thamë se: është hera e parë që vijmë në këtë zyrë dhe këtë e bëjmë pikërisht, për ndodhinë dhe mënyrën e çuditshme të saj.

Ai tha: pse nuk jeni të qartë?! Ne i’u përgjigjëm se: paqartësia u thellua akoma më shumë, jo vetëm nga qëndrimi i qytetarëve tanë, por edhe nga qëndrimi juaj. Në fakt të nervozuar duhet të ishim neve, por ndodhi e kundërta. Të pa qartë dhe të nervozuar ishin qytetarët tanë dhe ju si zyrë, gjë që nuk do të kishte arsye të ndodhte. Këto biseda të çuditshme të pa qarta e pa shpjegime, i mjegullojnë akoma më shumë rrethanat e zhdukjes së dy qytetarëve tanë. Ne, mund t’u falenderojmë juve për pritjen dhe organizimin e takimit, ndërsa të tjerat na befasojnë.

Shefi i zyrës tha: Na i bëni kërkesat me shkrim, për shembull, me notë.

Ne i’u përgjigjëm: kërkesave tona, për të cilat deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Ai tha në mënyrë të prerë se unë nuk kam tjetër gjë të them.

U larguam duke bërë përshëndetjen e rastit, por në gjendje të pa qartë. Në dalje të ndërtesës, përkthyesi, i cili na shoqëroi, na pyeti: nëse e kishte kryer mirë detyrën e tij si përkthyes.

E falenderuam, por i theksuam se: me përjashtim të përkthimit, çdo gjë është e pa qartë, e çuditshme e artificiale.

Në këtë kohë ai mblodhi supet.

Ne do të përpiqemi të grumbullojmë hollësi mbi dy personat për të parë gjendjen e mëtejshme të tyre.

Për këtë është vënë në dijeni Ministria e Punëve të Jashtme.

I evidentojmë për dosjet e tyre.

U bë informacioni Drejtorisë së Parë.

12.VI.1985

“B l e r i m i”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historia e panjohur e Aleksandër Kondos

Si u survejua, një prej sportistëve më në zë…


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit