MENU
klinika

"Flladi i detit"

Super manovra ushtarake në Detin e Zi

28.06.2021 - 10:21

Emërtimi “Flladi i detit” tingëllon romantik për një manovër ndërkombëtare ushtarake, që këtë vit jo vetëm që është shumë e madhe, por provokon edhe Moskën.

Në manovrën ushtarake, që drejtohet nga SHBA dhe Ukraina, marrin pjesë mijëra ushtarë, si edhe duzina avionësh e anijesh nga 32 vende. Ushtria amerikane ka bërë të ditur, se manovra do të zgjasë dy javë, dhe është një nga më të mëdhatë në Detin e Zi që nga viti 1997. Moska e shikon si provokim manovrën që kryhet para territorit të saj dhe i kërkoi Washingtonit të heqë dorë.

Pak pas apelit drejtuar SHBA-së pati një incident në afërsi të Gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia. Sipas të dhënave të Moskës, roja bregdetare ruse largoi nga ujërat e saj luftanijen britanike “HMS Defender”. Mediat britanike e konfirmuan këtë, por theksuan, se anija vazhdoi kursin e saj. Qeveria në Londër kishte folur për një stërvitje ushtarake ruse, që nuk kishte lidhje me “Defender”. Kurse sipas Moskës, luftanija britanike kishte hyrë tre kilometra në territorin rus.

Rusia ka përdorur fjalë të qarta për SHBA në lidhje me manovrën: “Përmasat dhe mënyra dukshëm agresive e manovrave ushtarake nuk i përgjigjen në asnjë mënyrë nevojave reale të sigurisë në rajonin e Detit të Zi“, thuhet nga Ministria e Jashtme e Rusisë. Zëdhënësja, Maria Saharova e cilësoi manovrën si provokim, që ka si synim sjelljen e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë.

Në prill marshimet e trupave ruse dhe ukrainase përgjatë kufirit lindor të Ukrainës sollën shqetësime në nivel ndërkombëtar dhe frikën se konflikti mund të shkallëzohej sërish. Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Gjermania dhe Franca në vitin 2015 ndërkohë ka ngrirë. Më shumë se 13.000 vetë kanë humbur jetën në konfliktin lindor në Ukrainë./ DW