MENU
klinika

"Luani i moçëm' dhe sovrania e re"

Takimi i Dy Personaliteteve: Si lindi miqësia e thellë?

02.06.2021 - 17:46

       Dyshja që drejtoi gjatë Luftës së Dytë Botërore, me gjithë diferencat mes tyre, gëzonte një miqësi të thellë dhe të qëndrueshme. Deri në dorëheqjen më 1955, “Luani plak” ishte mentori i sovranes së re. Ai që e filloi karrierën ushtarake në shërbim të kurorës së mbretëreshës Viktoria dhe i dha fund jetës nën atë të mbretëreshës Elizabeta II, gjatë gjithë jetës qe një nga subjektet më të zjarrta të Madhërisë së Saj. Thellësisht monarkist, ky njeri me karakter të stuhishëm që i ngjallte frikë çdokujt, dinte si të ruante pozicionin e tij në prani të sovranes. Kaq e fortë ishte marrëdhënia mes të dyve, sa mbretëresha i shkroi një letër me dorë ish-kryeministrit kur doli në pension dhe theu protokollin në varrimin e tij./Konica.al

Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta II dhe Kryeministri Uinston Çërçill shërbyen të dy, në rolet përkatëse, në vitet 1950. Asokohe, Çërçilli ishte një burrë shteti i moshuar dhe i respektuar, i cili kishte udhëhequr vendin gjatë Luftës II, një konflikt që kërcënonte ekzistencën e kombit të tij. Në krahasim me të, Elizabeta ishte një monarke e sapokurorëzuar, me përgjegjësinë të mbretëronte nënshtetasit, ndërsa kombi përpiqej të çante rrugën pas konfliktit shkatërrues. Pavarësisht hendekut të moshës dhe roleve përkatëse, të dy u miqësuan shpejt. Më vonë, vajza e ish-kryeministrit do të tregonte se, ai i priste me padurim takimet e të martës pasdite me sovranen dhe shkruante shpesh, me konsideratë, për admirimin që kishte për të. Po ashtu, edhe Elizabeta e donte mentorin e saj dhe u prek kaq shumë nga vdekja e tij, saqë theu protokollin mbretëror kur mori pjesë në varrim.

Elisabeta dhe Çërçilli u takuan për herë të parë më 1928, kur mbretëresha e ardhshme ishte ende foshnjë.

Megjithatë, edhe atëherë, Çërçilli pa dinjitet dhe madhështi në pamjen e mbretëreshës së re. “Këtu nuk ndodhet askush tjetër, veç Familjes, Kujdestarëve dhe Mbretëreshës Elizabetë – dy vjeçe. E fundit është një personalitet. Ka një hije autoriteti dhe reflektimi të habitshëm për një foshnjë”, – shkroi ai./Konica.al

Më 6 shkurt 1952, mbretëresha Elizabetë ishte në Kenia, kur mësoi se i ati kishte vdekur dhe se kishte trashëguar fronin. Kur u kthye në Angli, Çërçilli thuhet se u trondit nga fakti që një grua 25-vjeçare do ishte sovranja e kombit të tij. “Ajo është vetëm një fëmijë”, – deklaroi Çërçilli… “Ishte vetëm 25-vjeçe me dy fëmijë të vegjël, por për të, ajo ishte një foshnjë dhe kjo ngaqë ajo ishte grua”, – shprehet historiania Williams. Përpos gjithçkaje, Çërçilli kishte respekt të madh për monarkinë. Të nesërmen, në fjalimin e kurorëzimit të Elisabetës, foli me përzemërsi dhe shpresëshumë për mbretërimin e monarkes së re. “Unë… ndjehem i emocionuar dhe me të madhe, edhe një herë, lutem: Zoti e Ruajtë Mbretëreshën!” – tha.

Zyrtarisht, monarku i Mbretërisë së Bashkuar supozohej të ishte neutral në të gjitha çështjet e politikës. Megjithatë, për mbretëreshën Elizabetë, bashkë me neutralitetin erdhi edhe mangësia e të kuptuarit të ngatërresave të qeverisë që vepronte nën drejtimin e tij. Çërçilli, nga ana e tij, ishte më se i lumtur të mësonte dhe të këshillonte monarken e re. Gjatë takimeve javore, Çërçilli e ndihmoi udhëheqësen e re të kuptonte ndërlikimet, zakonet dhe traditat që informonte qeveria e vendit të saj.Uinston Çërçilli vdiq më 24 janar 1965, në moshën 90-vjeçare. E dëshpëruar, mbretëresha i shkroi të vesë, Klementina, për ta ngushëlluar për humbjen e “gjeniut të gjithanshëm”. Ish-kryeministrit iu bë një funeral shtetëror, e para ngjarje e atillë që iu ofrua një jombretërori në tre dekada. Kaq i gjerë ishte ndikimi i Çërçillit, sa morën pjesë përfaqësues nga 115 vende, përfshi Shefin e atëhershëm të Drejtësisë Earl Warren, i cili përfaqësonte SHBA-në në mungesë të Presidentit Lyndon Johnson. Njerëzit u grumbulluan rrugëve të Londrës, për t’i bërë nderimet e fundit. Po ashtu, edhe mbretëresha ishte e paduruar t’i bënte nderimet e fundit, aq sa theu protokollin mbretëror. Konkretisht, ajo arriti në varrimin e tij para se të mbërrinte familja, përkundër rregullit që thotë s,e monarku duhet të jetë personi i fundit që arrin në evente. Si princeshë, ajo ishte anëtare e Ushtrisë Britanike. Madje, u bë anëtare e Shërbimit Territorial Ndihmës më 1945, kur ishte ende e njohur si princesha Elizabetë. Duke vepruar kështu, ajo hyri në histori si mbretëresha e parë femër, që mori një rol aktiv në Ushtrinë Britanike. Vetëm Çërçilli dhe Margaret Thetçer, gëzuan të drejtën e pranisë mbretërore./Konica.al