MENU
klinika

"Durrësi: Dum babën"

Tre burra shteti në garë: kaos e anarki, në Shqipëri!

08.06.2021 - 12:00

      Shënon fundin e përpjekjeve kryengritëse të Haxhi Qamilit kundër ardhjes së princ Vidit në qeverinë shqiptare, 8 qershori i vitit 1915. Ndaj vendimit të fuqive europiane, kjo lëvizje do të niste më 17 maj 1914.

E nxitur nga forcat osmane, lëvizja e Haxhi Qamilit dhe fshatarëve të tjerë (sipas historianëve) të Durrësit, Tiranës dhe Shijakut, karakterizohej nga kërkesa për rikthimin e një udhëheqësi osman ose marrëdhënie të ndërlidhura me Perandorinë Osmane për drejtimin e Shqipërisë, jo evropianë dhe aq më pak, shqiptarë. Nën thirrjet “dum babën” (referuar sulltanit të Perandorisë Osmane), kryengritësit morën Shijakun dhe iu drejtuan kryeqytetit, Durrësit.

Njëkohësisht, Esat Pashë Toptani po thurte komplote kundër princ Vidit, ndërkohë që jugu i vendit po mbahej nga grekët e shtirur si vorio-epirotë.

Më 19 maj 1914, princ Vidi dha urdhër të arrestohej Esat Pashë Toptani, si pjesë e kryengritësve, por ai u largua nga vendi, i lirë.

Mes ktij kaosi, princ Vidi urdhëroi Turhan Pashë Përmetin të formonte kabinetin e ri qeveritar. Sakaq, kryengritësit hartuan memorandumin e Shijakut, pëmes të cilit i kërkonin princ Vidit të largohej dhe në vend të tij, propozuan ardhjen e një princi nga Turqia. Do të zëvendësoheshin edhe simbolet kombëtare shqiptare me simbolet turke.

Më 5 qershor, hynë në vend forcat e Ahmet Zogut, të cilët pas një tentative të dështuar për bashkëpunim me Haxhi Qamilin, vendosën të kthehen me Vidin. Mes fundit të qershorit e fillimit të korrikut, kryengritja kundër Vidit, u shtri në pjesën më të madhe të qyteteve: Krujë, Lushnjë, Pogradec, Fier, Kavajë, Berat dhe Elbasan. Më pas, u nënshkruan një marrëveshje antikombëtare me vorio-epirotët, duke u lënë atyre nën dorëzim, Gjirokastrën e Korçën.

Me të mbërritur në Vlorë, Haxhi Qamili ngriti flamurin turk, vetëm 2 vjet pas ngritjes së flamurit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë.

Fillimi i shtatorit të vitit 1914, solli largimin e princ Vidit nga Shqipëria, kohë që përkonte edhe me Luftën I. Thirrjeve të tij për ndihmë, nuk iu përgjigj askush, përveç Ahmet Zogut.

Me pushtimin e Durrësit, kryengritësit krijuan “Këshillin e Përgjithshëm”, me kryetar Mustafa Ndroqin, duke shënuar nisjen e fazës së dytë të kryengritjes; sulmi i pronave dhe njerëzve të Esat Pashës.

Më 2 tetor 1914, Esat Pashë Toptani i mbështetur nga forcat serbe, hyri në Durrës, largoi kryengritësit dhe u vetëshpall Kryeministër i shqiptarëve.

Në prag të ndërrimit të viteve 1914-1915, grupi i Haxhi Qamilit sulmojnë përsëri forcat e Esatit, mes terrorit dhe anarkisë që zgjati 6 muaj. Çdo ditë vriteshin dhe masakroheshin klerikë, civilë, tregtarë, intelektualë e krahas kësaj, dobësohej edhe ekonomia e vendit.

Më 8 qershor 1915, trupat serbe hynë masivisht në Shqipëri. Serbët do të ndalonin kryengritësit, duke arrestuar Haxhi Qamilin dhe duke e dënuar me varje në litar, bashkë edhe me 40 fshatarë.

Pas kryengritjes, vendi u përfshi sërish nga kaosi dhe anarkia, nën drejtimin e Esat Pashës.