MENU
klinika

Garda

Ushtria e popullit të vogël

24.06.2021 - 14:31

       Historia e popullit shqiptar ka njohur kurdoherë një trupë të gatshme dhe të armatosur, për të ruajtur dhe siguruar personalitetet shtetërore, krahinore, kuvendore, intelektuale dhe klerikale.\

Por, në historinë e shkruar me sakrificat vetëmohuese të shqiptarëve – për trojet, gjuhën e zakonet – ylli i Shqipërisë do të ndriste më fort, në shekullin e pesëmbëdhjetë. De Rada i madh, do të ta përcaktonte atë, sikurse edhe mbeti në histori, si “Shekulli i Lavdisë së Madhe”.

Për njëzet e pesë vite radhazi, 1443-1468, Skënderbeu organizoi, drejtoi dhe udhëhoqi njëzet e pesë beteja të mëdha, duke fituar me nder e lavdi, njëzet e katër prej tyre.

Ushtria e popullit të vogël, u bë barriera kryesore në mbrojtje të qytetërimit.

Krahas ushtrisë kombëtare, në përbërje të saj në këtë kohë u krijua dhe veproi Garda Pretoriane ose siç do të quhej më vonë, Garda mbretërore.

Në krye të Gardës kanë drejtuar gjeneralët më të talentuar të Skënderbeut, Ajdin Muzaka dhe Gjergj Balsha.

Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, Gardë quhet: Repart i posaçëm, i përbërë nga trupa të zgjedhura ushtarake, që mbahen për të mbrojtur, a për të ruajtur udhëheqësit e drejtuesit e lartë të një vendi.

Më 10 06 1878 u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me qëllim mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë nga copëtimi i fuqive të mëdha.

Lidhja është er para organizatë politiko-ushtarake mbarëkombëtare, me një platformë të qartë ideologjike kombëtare, një organizim në shkallë kombëtare, me një ushtri të vetën. Në përbërje të saj u krijua edhe një strukturë e veçantë për ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve drejtuese të Lidhjes.

Kjo ishte Garda e Rilindjes Kombëtare.

Pas Rilindjes, nicioni “gardë” do të qartësohej. Më 23 nëntor 1912, kur Plaku i Vlorës do të nisej nga Durrësi për në Vlorë, do të përcillej nga Garda Ushtarake e Nderit, në shenjë respekti dhe mbrojtjeje të atij burri shteti dhe patriotëve të tjerë, të cilët e shoqëronin nga Evropa për në Shqipëri.

Kuvendi i shpallur në Vlorë, i përbërë nga tetëdhjetë e tre delegatë, shpalli Pavarësinë kombëtare.

Në përbërje të forcave të armatosura, që garantonin mbrojtjen dhe sigurimin kombëtar, do të funksiononte dhe një strukturë speciale e emërtuar “kavaleri”, që të kishte një detyrë të vetme: shoqërimin e pushtetarëve dhe të shtetarëve, kur ata do të lëviznin dhe të kryenin shërbimet ceremoniale.

 

Ky nënrepart i armatosur do të inkurajohej në strukturën speciale të emërtuar “Garda e Shtetit”.

Isa Boletini ka meritën e veçantë, si organizuesi dhe krijuesi i parë i Gardës Kombëtare në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës.