MENU
klinika

Formula 1

Valtteri Bottas ikën në mes të sezonit nga Mercedes

14.06.2021 - 11:55

Skuderia Mercedes e Formula 1 nuk po gjen qetësi. Mediat britanike konfirmojnë se George Russell do të zëvendësojë që këtë sezon Valtteri Bottas te Mercedes. Kjo gjë pritet të ndodhë pas garës së Silverstone, që do të zhvillohet më 18 korrik në Britaninë e Madhe.

Pra, pas 3 garash. Gjatë kësaj periudhe, Mercedes do të shohë nëse do të ndryshojë ndonjë gjë për mirë te piloti finlandez apo jo. Në rast se situata me Bottas do të vijojë të jetë problematike, si deri më tani, ai do të zëvendësohet nga Russell.

Këtë sezon të Formula 1, Bottas ka grumbulluar pikë vetëm në 3 nga 6 gara, teksa dy nuk i ka mbyllur dot. Russell, që garon me Williams, është piloti që sezonin e kaluar zëvendësoi Lewis Hamilton, kur u infektua me koronavirus.

Ky ndryshim bëhet edhe për një fakt tjetër. Sezonin e ardhshëm hyjnë në fuqi rregullat e reja, ku pilotët nuk mund të kalojnë tavanin e 30 milionë eurove. Bottas përfiton aktualisht 9 milionë euro, ndërsa do mbeteshin 21 milionë për Hamilton, që mendohet se do të vijojë me Mercedes.

Britaniku aktualisht përfiton 40 milionë euro dhe nuk do të ishte dakord, kështu skuderia gjermane po mendon t’i japë 25-26 milionë euro Hamilton dhe pjesa tjetër për pilotin tjetër të skuadrës, që mendohet të jetë Rusell.