MENU
klinika

Skënder Minxhozi

Vija bregdetare, simptomë e një shteti të sëmurë

28.06.2021 - 11:03

Pa kaluar as 24 orë nga masakra e Velipojës, ku shezlongët dhe ndarja e hapësirës ranore lanë pas të vrarë e të plagosur, një tjetër konflikt i stilit mafioz ka tronditur parajsën turistike shqiptare, Dhërmiun. Djegia e 60 shezlongëve të stivosur anës plazhit mund të jetë gjithçka përveçse e paqëllimtë. Është një mesazh i konkurencës për kompaninë e vogël që operon në atë vend, se nuk është e mirëpritur në atë që bën. Pra, se duhet të hapë krahun dhe t’i lerë radhën një tjetri!

Në 48 orë media dhe opinioni publik janë detyruar të fokusojnë vëmendjen në një ambjent anonim dhe banal siç është ai i çadrave të plazhit e shezlongëve, a thua se ky vend s’ka kriza më të rëndësishme për t’u marrë.

Përtej banalitetit dhe marrëzisë së këtyre ndodhive që po marrin jetë njerëzish, qëndron simbolika e një sektori turistik që është ngritur qysh në krye të herës mbi parimet e xhunglës, në vend të rregullave të tregut. Mbi dhunën, kërcënimin, korrupsionin, agresivitetin e zhvatjen, në vend të të drejtës pronësore apo profesionalizmit që duhet të ketë një aktivitet që synon të shlodhë e të ofrojë kënaqësi, në vend të stresit e rrezikut për kokën.

Nëse ka sot një hapësirë gjeografike në këtë vend, ku është abuzuar, vjedhur e shkelur me këmbë çdo ligj, kjo është linja detare e liqenore rreth 400 kilometërshe e Shqipërisë. Hidhni një sy nga Velipoja e deri në Ksamil e do të shihni katrahurën: ndërtime laramane nga më luksozet e deri tek më të pistat të strukura në gardhin e njëra-tjetrës, zaptime të vijës bregdetare përtej distancave të lejuara, betonizim e ndarje me arna e detit ku s’ke më një pëllëmbë tokë që të ngulësh një çadër pa paguar sikur je në Kanë a Montekarlo, ujra të zeza e të bardha që turren drejt detit, ndërsa grykëderdhjet e lumenjve sjellin mijëra ton mbeturina nga më të pistat. Bregu ynë nuk i ngjan fatkeqësisht asnjërës prej hapësirave detare të fqinjëve, me të cilët jemi në konkurencë sa i përket industrisë së turizmit. Kjo situatë po kompromenton edhe investimet masive e shumë pozitive që janë bërë vitet e fundit në shumë nga qytetet bregdetare.

Vija jonë detare është prova materiale e krimit mjedisor e turistik 30-vjeçar. Ajo është dëshmia më flagrante e shtetit të sëmurë që kemi pasur dhe ende kemi në shumë aspekte. Është pamundësia e institucioneve qëndrore e lokale për të imponuar rregull në pasurinë më të madhe kombëtare, pasi tek ne edhe sot, në vitin 2021, ligji në bregdet vepron me “aksione”, e jo në mënyrë të vazhdueshme. I shembim ndërtimet pa leje në plazhe me kalendar e me data, jo gjatë gjithë kohës dhe sapo ato ngrihen!

Nëse duam turizëm, duhet të jemi në gjendje të ofrojmë shërbime, e jo vrajse, plehra dhe zjarrvënie. Ky sezon turistik po dëshmon se vetëfrenimi njëvjeçar që solli pandemia, po kthehet në një çlirim masiv të instikteve e babëzisë së bizneseve turistike, për të kompensuar humbjet e marrë me dhunë klientelën. Pa e çarë kokën fare se duke i vënë zjarrin komshiut, kanë prishur një herë e mirë edhe biznesin e tyre. Shezlongët janë metafora e këtij turravrapi absurd, pas të cilit shfaqet i njëjti shtet pasiv dhe i pafuqishëm për të vënë në fre arbitraritetin që sundon i palëvizur në bregdetin e shqipeve. Vija jonë bregdetare është simptomë e pafuqisë së kudondodhur për të bërë shtet dhe për imponuar ligj!