MENU
klinika

Bujar Nishani

A dëshiron vërtet t’i sjellë demokratët në pushtet, Lulzim Basha?

02.07.2021 - 19:10

A dëshiron vërtet L. Basha ti sjellë demokratët në pushtet?!!

Kjo nuk është një dilemë hamletjane por një pikëpyetje e madhe ngritur tashmë si një mur betoni para një partie të tërë e madje para të gjithë shoqërisë!

Ky mur i madh është ngritur kohë pas kohe me qëndrimet, sjelljet, vendimet e aktet krejt në dëm të PD, prej L. Bashës ndër vitet e qëndrimit të tij në krye të PD!

Le të sjellim në kujtesën tonë veç disa prej tyre!

Që nga ardhja në krye të PD në 2013, L. Basha nisi praktikën e lagimit nga PD pa proçese konkurimi e vlerësimi politik, pa gjykime kolegjiale, të një numëri të madh personalitetesh që mund të kishin konsumin e tyre politik nga njëra anë por nga ana tjetër kishin edhe kontribute reale, eksperienca të gjata politike, kishin lidhjet e tyre me grupime të caktuara përfaqësuese lokale e kombëtare të PD, kishin vokacion të komunikimit publik.

Në vend të pasurimit të PD me gjeneratën e re që integrohej politikisht me gjeneratat e kontributeve të gjata duke kuruar konsumin dhe prioritarizuar energjinë dhe kapacitetet e reja, L. Basha margjinalizoi këdo që mund të kishte influenca politike por që nuk ishte “borxhli” tek Luli!

Piktura u pa e qartë fare kur L. Basha drejtoi Bashkinë e Tiranës, se si e ndërtoi ekipin qeverisës bashkiak dhe që në fakt ishte treguesi “par excellence” mbi modelin e mundshëm qeverisës të Shqipërisë prej L. Bashës!

Tentativa hileqare e zëvendësimit të trashëgimisë pozitive të PD me dogmën e “Republikës së Re”, një Déjà vu e “Rilindjes” së Edi Ramës, i lëndoi ndjeshmëritë e gjeneratave të tëra e shumë aktive të bazës së PD, duke i demotivuar në angazhimin e tyre politik dhe elektoral e si pasojë rrudhjen e forcës politike dhe elektorale të PD.

Në 2017 futja në bashkëqeverisje, nën pushtetin e socialistëve, duke u njehësuar me modelin e Edi Ramës, përveç rënies pre e talljes që Rama bëri me zyrat e ministrave të PD siç bënte me ata socialistë gjithë kohës, nuk solli asnjë përfitim politik veçse ushqeu perceptimin se ; “këta njësoj janë”, madje se ; Edi Rama është “shefi” edhe i ministrave të PD-së!

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit në 2019 ishin një provë domethënëse për ato parlamentare të ardhëshme në 2021.

Në ato zgjedhje, PD do të fitonte ndoshta jo shumicën e bashkive por e sigurtë një numër të madh të tyre.

Në këtë rast PD do të kishte mundësinë të tregonte modelin e vet qeverisës dhe një numër i madh demokratësh do të ishin fitues dhe do të drejtonin pushtetin vendor në shumë qytete.

I vetmi që mund të konsiderohej humbës (politikisht) do të ishte L. Basha, pasi nuk do të arrinte fitoren në shumicën e vendit.

Pikërisht për këtë, L. Badha zgjodhi që të mos ishte ai humbësi politik, por përmes dorëzimit të 100% të bashkive tek Edi Rama sakrifikoi fitoren e të gjithë atyre demokratëve që do të mund të fitonin bashkitë.

Në proçesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet të 2021, u aplikua votimi negativ, prej antarësisë sipas parimit ; “kush është më i keqi” e jo “kush është më i miri”!!!

Kjo formulë që nuk ekziston kurrkund në ndonjë parti politike në botë, përtej ngritjes së proçesit mbi energjitë dhe frymën negativiste, tek lobimi për të dënuar tjetrin e jo për të fituar besimin pozitiv mbi veten, rezultoi një tezë me kontekst armiqësimi dhe përçarje mes strukturave, antarësisë dhe votuesve.

Në fushatën e fundit elektorale të 25 prillit duke parë diferencën e madhe të mbështetjes që ishte mes tij dhe partisë (PD ; 35-37%, Basha ; 25-28%), vendosi përsëri të sakrifikoi fitoren e pushtetit përmes partisë dhe angazhoi çdo gjë në funksion të UNIT, të perceptimit se ai ishte i pari dhe i vetmi që komandon, vendos, fiton e kontrollon PD !

PD ju paraqit shqiptarëve gjatë fushatës jo me ekip, jo me potenciale qeverisëse, jo me interesa gjithëpërfshirëse e përfaqësim të gjerë por me figurën, ofertën, interesin e veç një njeriu që për më tepër ishte shumë larg besimit të të pavendosurve elektoralisht!

Në fakt qasja e L. Bashës ka qenë gjithmonë ; margjinalizimi e mbajtja larg deri në injorim të militantëve të sinqertë që besonin e angazhoheshin mbi bazën e besimit dhe emocionit të parimeve ideologjike tek PD, duke i zëvendësuar ata me një grup të vogël protagonistësh pa produkt, që si interes e motiv të vetëm kishin listimin e parakohshem të vetes në listat për drejtor, tatimor e doganier!

Pa fituar pushtetin bënë listat e posteve të tyre, ndërsa punën dhe sakrificat jua lanë militantëve e demokratëve të vërtetë e idealistë, që në fakt do të vijojnë të jenë të humburit e mëdhenj edhe në 4 (katër) vitet në vijim .

Ndaj muri i madh ngritur para demokratëve dhe në tërësi para shqiptarëve mbi pikëpyetjen se a do vërtet L. Basha ti sjellë demokratët në pushtet e për pasojë ta rrëzojë apo jo E. Ramën nga pushteti, nuk është më një dilemë hamletiane!

Çdo ditë që qeverisja e E. Ramës vijon në këtë vend, aq më shumë ky vend zhytet në kurthin e varfërimit, moszhvillimit, deprimimit!

Basha nuk e disponon aftësinë e drejtimit të PD drejt rrëzimit të pushtetit që mori tashmë edhe mandatin e 3 (tretë) qeverisës.

Basha duhet të kuptojë se manipulimi e tij për të qëndruar formalisht në krye të PD nuk po pengon vetëm PD nga ndryshimi, modernizimi, përshtatja me rrethanat e reja, rritjen e saj, por përmes kësaj ai po pengon mundësine e ndryshimit të situatës së kolapsit dhe krizës permanente të vendit në tërësi.

Kjo për arsye të pamundësisë së tij për rrëzimin politik dhe largimin nga pushteti të Edi Ramës dhe modelit të tij qeverisës që e mban peng, të dobët, të pazhvilluar dhe aktor rajonal pa peshën e duhur, Shqipërinë.

Status quo e një situate të tillë ku qeverisja betonizohet si një rregjim korrupsioni, antiligji dhe kufizimi të lirive e nga ana tjetër opozita humbet çdo ditë e më shumë forcën e besimin si alternativë qeverisëse, është realisht destabiliteti më i mash për vendin dhe vetë jetën e përditëshme të shqiptarëve.