MENU
klinika

Ndoshta surprizë, por...

A është tashmë Holanda narko-shteti i Evropës?

21.07.2021 - 19:27

Nga Ferry Biedermann “The New European

Atentati ndaj një gazetari të njohur holandez të kronikës së zezë ka nxitur një debat kombëtar mbi imazhin e vendit si kryeqendra e trafikut të drogës në kontinentin evropian. Pak minuta pasi plumbat goditën gazetarin Peter R.De Vries mbrëmjen e 6 korrikut, një debat i veçantë shpërtheu midis politikanëve, gazetarëve dhe analistëve rreth mënyrës së interpretimit dhe përcaktimit të atij sulmi të rëndë me armë.

Nga njëra anë, atentati u cilësua si një goditje kundër gazetarisë investigative dhe sundimit të ligjit. Të tjerët, që shpesh anojnë nga e djathta, gjykuan se akti ishte një manifestim shumë tipik për këtë vend, që po shndërrohet në një “narko-shtet”.

Vetë emërtimi narko-shtet mund të jetë një surprizë për ata që e mendojnë Holandën si një vend në dukje me rregulla të forta, ku sundon rendi dhe ligji, një motor ekonomik dhe si një shembull i stabilitetit politik.

Ky kategorizim nuk është i pranuar botërisht në qarqet akademike dhe politike, por po përdoret gjithnjë e më shumë që nga ndodhja e një serie vrasjesh brutale, dhe një serie raportesh shqetësuese mbi rolin e vendit si një qendër e trafikut të marijuanës, kokainës dhe MDMA (ekstazi).

Pak analistë do të argumentonin se situata i ngjan asaj në Meksikë. Por 2 vjet më parë Holanda u trondit nga vrasja e avokatit të dëshmitarit kryesor në një proces të madh mbi një vrasje të kryer midis trafikantëve të drogës, duke mbajtur emrin e zgjedhur rastësisht “Marengo”.

Gjyqi përfshinte një drejtues të një prej grupe kryesore të krimit të organizuar në Holandë, që u kap në Dubai dhe u ekstradua. Një nga vëllezërit e dëshmitarit (që nuk merrej me asnjë aktivitet kriminal), që kishte qenë ish-anëtar i grupit, ishte vrarë më herët.

Pas vrasjes së avokatit, një sondazh tregoi se rreth 60 për qind e holandezëve ishin dakord me etiketimin e vendit të tyre si një narko-shtet. Në Gjermaninë dhe Belgjikën fqinje, politikanët dhe zyrtarët e policisë kanë shprehur shqetësim rreth rolit të Holandës si një qendër e trafikut të drogës.

Një zyrtar i policisë gjermane, e quajti vitin e kaluar Holandën si një “zyrë postare” për drogën, pas një rritje të sekuestrimi të substancave narkotike të dërguara me postë. Kryebashkiaku i krahut të djathtë në Antverpen, Bart de Wever, që drejton luftën e tij të diskutueshme ndaj trafikut të drogës, thotë:“Hol është bërë një narko-shtet për shkak të politikës së saj tolerante ndaj drogës”.

Toleranca e Holandës ndaj konsumit të marijuanës që në vitet 1970, e ka shndërruar këtë vend në një magnet për turizmin e drogës dhe tregtinë e saj. Sipas raportit më të fundit të agjencisë evropiane të luftës kundër drogës, EMCDDA, ajo luan një rol të madh në trafikun e marijuanës dhe kokainës, dhe është një nga prodhueset kryesore të drogave sintetike, me 20 nga 23 laboratorët e drogave ekstazi të shkatërruara në vitin 2018, që ndodheshin pikërisht në Holandë.

Për më tepër, me dy nga portet më të mëdha në Evropë, Roterdamin dhe Amsterdamin, dhe një nga aeroportet më të frekuentuara në Evropë, Shifol, Holanda ka qenë gjithashtu një shënjestër e kontrabandistëve.

De Vries, një gazetar i vjetër i kronikës së zezë, i njohur në Holandë por edhe në nivel ndërkombëtar, vdiq më 15 korrik,pasi qëndroi disa ditë në koma Ai ishte një figurë e diskutueshme për shkak të disa prej metodave që përdorte në punën e tij,dhe një hero kombëtar për shkak të rolit të tij në zgjidhjen e rasteve të vështira, duke ngushëlluar familjarët e viktimave dhe duke liruar nga burgu të pafajshmit.

Në fillim të këtij viti ai ndërmori hapin e guximshëm për të pranuar një kërkesë nga dëshmitari i drejtësi në procesin Marengo, për t’u bërë këshilltar dhe zëdhënës i tij. Kjo është ajo që shumë njerëz tani e konsiderojnë si arsyen më të mundshme të atentatit ndaj tij, që ndodhi në kohën kur po ai po largohej nga një studio televizive në qendër të Amsterdamit.

Policia arrestoi dy të dyshuar menjëherë pas sulmit, bazuar në pamjet e kudogjendura të kamerave së sigurisë. Midis tyre është qitësi i dyshuar i identifikuar në shtyp si 21-vjeçari Delano G. Banor, ai thuhet të jetë një pjesëtar i njohur i organizatës kriminale që po shënjestrohet në procesin Marengo.

I dyshuari i dytë është një shtetas polak 35 vjeçar, që dyshohet se drejtonte makinën me

të cilën u krye largimi nga vendngjarja. Procesi Marengo, përfshin një seri vrasjesh të tmerrshme në të ashtuquajturën Mafia Mokro, që përbëhet zakonisht nga emigrantë me origjinë marokene.

Qëndrimi tradicionalisht i ashpër ndaj sundimit të ligjit dhe rendit i liberalëve konservatorë të kryeministrit Mark Rutte, ka sjellë dekadën e fundit politika buxhetore shtrënguese,të cilat kanë çuar në mbylljen e shumë stacioneve policore, apo shpërbërjen e ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë.

Njëherazi, partia dhe kryeministri Rutte mbeten mbështetës të llojit të politikave financiare dhe tatimore liberale,që e bëjnë Holandën shumë tërheqëse për organizatat ndërkombëtare të pastrimit të parave dhe krimit. Kjo ka krijuar hapësirë që​​me këtë çështje të merren partitë e tjera.

Gati të gjithë kërkojnë një kombinim më të mirë të trupës policore, ligje më të ashpra apo goditje të krimit financiar. Partitë e ekstremit të djathtë kërkojnë deportimin dhe heqjen e shtetësisë për kriminelët me kombësi të dyfishtë, duke pasur shpesh parasysh qytetarët marokeno-holandezë.

Vlera totale e eksporteve holandeze për vitin 2019 ishte rreth 7 miliardë euro, ndërsa vlerësimet mbi sasinë e parave të lidhura me drogën që qarkullojnë në Holandë variojnë midis 16-20 miliardë euro.