MENU
klinika

Nga Mero Baze

Aleati më i madh i korrupsionit është mbipushteti politik

09.07.2021 - 21:02

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama po përpiqet të trembë administratën e tij, përfshi policinë dhe kryetarët e bashkive në gjithë Shqipërinë, duke iu kujtuar përballjen me ligjin, për shkak të korrupsionit të shtuar dhe papërgjegjësisë në kryerjen e detyrës. Është qartazi një betejë e cila kërkon të frenojë arrogancën e mandatit të tretë nga administrata e tij, e cila në kushtet e mungesës së opozitës në pushtet lokal dhe mbipushtetit të socialistëve në gjithë qeverisjen e vendit, është një barrë e rëndë, e cila mund ta zërë nën vete Qeverinë, nëse nuk luftohet në kohë.

Por nga përvoja e tetë viteve të shkuara në pushtetin e Edi Ramës, mund të nxirren disa mësime për fenomenin e korrupsionit.

Rreziku i parë dhe më i madhi që ka prodhuar korrupsion në administraten e Edi Ramës, është mbipushteti, dhe këtu kam parasysh jo vetëm mbipushtetin e Edi Ramës, por dhe të individëve që ai u ka deleguar mbipushtet.

Asnjë person që ka marrë mbipushtet në mandatin e tij nuk i ka shpëtuar korrupsionit, pa paragjykuar vullnetin e tij.

Njerëzit e mbipushteshëm të Edi Ramës kanë përfunduar të gjithë në gjykata, janë djegur politikisht dhe mund të ballafaqohen në një periudhë afatgjatë me problemet e periudhës së mbipushtetit të tyre. Thjesht i ka marrë më qafë.

Kjo jo pse ata ishin doemos të prirur për t’u korruptuar, por se mbipushteti në një shoqëri si e jona, të prodhon një enturash të korruptuar, të nxitur nga fuqia e pushtetit.

Edhe në prag të mandatit të tretë, duket se Edi Rama ka tendenca që disa ministrave të vet, t’u japë më shumë aksese dhe pushtet, se të tjerëve, duke kontrolluar thuajse në një dorë shumë nga sektorët më të rëndësishëm që kanë të bëjnë me prokurimet publike.

Nuk është se po u bën nder. Po u bën dëm dhe mund t’i shikojë pas ca kohësh në bankën e të akuzuarve, duke u shndërruar nga “yje në ngjitje”, në pluhur meteori. Dhe këtë e ka në dorë vetë. Nuk i mungojnë shembujt e hidhur të bërë me dorën e tij.

Rreziku i dytë është pushteti i pakontrolluar i shumë agjencive apo ndërmarrjeve publike të tij, që kanë lidhje vertikale me të dhe injorojnë pushtetin politik të ministrave dhe nevojën për të qenë kompatibël me politikat e zhvillimit.

Duke qenë se janë të krekosur nga lidhja direkte me kryeministrin dhe kanë aftësinë të zbulojnë shijet dhe dëshirat e tij, ata janë kthyer praktikisht në individë fuqiplotë, klientelistë, apolitikë, dhe natyrisht legjenda urbane të korrupsionit.

Këta janë individët e mbipushtetshëm financiarë të pushtetit, që shpërndajnë fonde ku u do qejfi, marrin parapagim për çdo subvencion nga programet shtetërore apo ndërkombëtare, flasin për përqindje tenderash ende pa të paguar paratë etj. Dhe i kap gazi kur i merr ndonjë ministër në telefon, se u duken si miza para pushtetit të tyre financiar.

Rreziku i tretë është mungesa e opozitës në pushtetin lokal dhe në Parlament, që deri tani ka qenë një arsye për të “punuar rehat” dhe korruptimi i saj prej pushtetit. Kjo natyrisht nuk është në dorë të Edi Ramës, por të opozitës, por është problem i Edi Ramës.

Akoma më keq është kur kemi të bëjmë me një opozitë të korruptuar, që kërkon pjesën nëpër tendera e agjenci prokurimesh, dhe në vend të bëhet pjesë e debatit publik kundër korrupsionit, bëhet pjesë e luftës së bërrylave për të vjedhur klientë të caktuar.

Dhe i kemi te freskëta rastet kur opozita bente betejë duke lexuar buletinin e prokurimeve dhe ndërpriste betejën kur një klient i kryetarit merrte një pjese rruge, si tek Unaza.

Ne kemi sot disa emra të fuqishëm të botës së biznesit, që janë të tejngopur me kontrata dhe favore shtetërore, për të cilët askush nuk thotë asgjë, pikërisht për shkak të korruptimit të opozitës, shtypit dhe drejtësisë.

Sot njerëzit që emërojnë e shkarkojnë gjykatës apo prokurorë, janë më shumë biznesmenë, se sa politikanë.

Ndaj Edi Rama nuk ka shumë gjëra për të bërë kundër korrupsionit. Ai thjesht duhet të heqë dorë nga pushteti politikë për të favorizuar individë, për t’u dhënë mbipushtet ministrave apo drejtuesve të agjencive, kryetarëve të bashkive apo drejtoreve të policisë.

Ai duhet ta lërë shtetin të punojë vetë, drejtësinë të bëjë punën e vet, garën për tendera pa ndërhyrje politike, dhe nuk ka nevojë fare të mbajë fjalime kundër korrupsionit.

Ilaçi i vetëm kundër tij është një shoqëri e lirë, që nuk influencohet nga qendra mbipushteti për të devijuar ligjet dhe rregullat e tregut. Pjesën tjetër e bën vetë drejtësia. E di që mund të mos e bëj shumë mirë, por e bën më mirë se Qeveria.

Veteranët rusë i bëjnë thirrje Putinit

“Ushtria ka dështuar në Ukrainë, pranoje se…”

“Të japë shpjegime për vrasjen në Elbasan”

PD – Berishës: Je peng i bandave, i përdore kundër demokratëve

"Të zbardhë rolin e tij në vrasjen në Elbasan"

Akuza e fortë e Sali Berishës për Gazment Bardhin

Nga Agron Gjekmarkaj

Po vjen presidenti!