MENU
klinika

KANUNI

At’ Gjeçovi në gjurmët e rrënjëve europiane shqiptare

12.07.2021 - 13:45

        Ndër tjera, Faik Konica shkruan për gjenialin e kodit të ”Kanunit të Lekës” – At Gjeçovin:
”Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u ritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.”

Në vjetin 1913 kalëroi 7-8 orë, Konica së bashku me At’ Gjergj Fishtën, nga Shkodra në Gomsiqe, te miku i tyre për vizitë, tek At Shtjefni (ku ndenji në Gomsiqe, prej majit 1907 deri – 1917).

Gomsiqja – fshat mirditor i skajit perëndimor.
Gomsiqja – Porta e Qytetnimit të Mirditës!
”Gomsiqja…i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’Orosh. (Faik Konica).

Më 14 tetor 1929, teksa kthehej nga Prizreni në Zym, aty rreth muzgut, Shtjefën Gjeçovi u sulmua në një pritë nga xhandarët serbë. Me dhjetëra plumba u shkrepën mbi të. Vdekja ishte e menjëhershme. Vendimi për vrasjen e tij, ishte marrë ne Beograd. Nga viti 1921, Gjeçovi, në mënyrë të hapur dhe aktive, i ishte kundërvënë politikës serbe, që synonte deshqiptarizimin e plotë të Kosovës. Kudo që shkonte dhe predikonte, Gjeçovi fliste hapur kundër kësaj politike. Ai ishte një intelektual tipik i Rilindjes Kombëtare, që besonte se feja, ka vlerë vetëm për aq kohë sa i shërben mirëqenies së kombit.

Si një lexues pasionant i dijeve sociologjike të kohës, ai e dinte se identiteti i një kombi është kontratë me të parët e tij, një rigjetje e rrënjëve të tij të mbulura nga stuhitë e historisë. Kështu, ai i vetëm i hyri një pune të madhe: gjetjes së këtyre rrënjëve. Sapo përfundonte liturgjitë fetare, ai shndërrohej në arkeolog dhe etnolog, për t’u dëshmuar bashkatdhetarëve të tij dhe botës rrënjët evropiane të popullit shqiptar.

Por, Gjeçovi nuk kishte shije të sofistikuara vetëm për arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë. Ai kishte edhe një sens të hollë për zhvillimet politike të kohës. Ai i kuptonte me një qartësi të mahnitshme ngjarjet politike rreth tij, lojërat dhe intrigat që luheshin në kurriz të shqiptarëve. Në vitin 1921 kryeministri dinak serb, Nikolla Pashiq ia kishte dalë ta mashtrojë kapedanin e Mirditës Gjon Marka Gjonin, duke e bindur atë se qeveria e Tiranës ishte thjesht një qeveri islamike e se ai duhej ta shpallte shtetin e tij të pavarur nga shteti shqiptar, të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”.

Pashiqi i kishte premtuar se Serbia do ta njihte menjëherë pavarësinë e Mirditës dhe do të ndikonte që edhe Lidhja e Kombeve të bënte të njëjtën gjë. I mashtruar Gjon Marka Gjoni u nis për në Prizren, aty ku ishin bërë përgatitjet për shpalljen e Republikës së Mirditës. Shtjefën Gjeçovi, që ato ditë ndodhej në Zllakuqan, e morri vesh lajmin. Tronditja e tij ishte e madhe. E la në gjysmë liturgjinë që po udhëhiqte, hyri në dhomën e tij private, morri një flamur kuq e zi që e mbante gjithmonë afër vetës dhe i tha ndihmësit të tij se duhej të niseshin menjëherë për në Prizren.

Një gjamë e madhe po i gatuhej kombit dhe ai nuk mund të rrinte duarkryq. Kur arriti në Prizren, kapedani i Mirditës kishte kohë që ndodhej aty. Gjeçovi i kërkoj takim sy me sy për t’ia hapur sytë e çorruar nga mashtrimi i Pashiqit. Gjeçovi i tha kapedanit të Mirditës se ka ra në kurthin e Pashiqit, se qeveria e Tiranës nuk është qeveri antikatolike, por një qeveri kombëtare shqiptare, se qëllimi i Pashiqit është të nxisë luftë ndërfetare midis shqiptarëve dhe kështu të shkatërroj shtetin e sapo krijuar shqiptar dhe pas kësaj t’i bindë fuqitë e mëdha për një ricoptim të tokave shqiptare. Kapedani i Mirditës s’po u besonte veshve, çfarë ishte duke dëgjuar. Gjeçovi u ngrit të dilte nga takimi dhe në derë ia tha fjalët e fundit : “Kjo rrugë që ke marrë është rrugë e tradhtisë kombëtare”.

Një njeri që nuk kishte tjetër mjet në dorë, përveç fjalës, nuk mund të bënte më shumë. Gjeçovi u nis për t’u kthyer në Zllakuqan, por fjalët e tij ndikuan shumë që mashtrimi i Pashiqit të demaskohej dhe turpërimi i Mirditës të përfundonte me pak pasoja. Natyrisht, këtë dhe shumë veprime të tjera, qeveria e Beogradit nuk do t’ia falte kurrë Gjeçovit. Pasi kishte shkatërruar lëvizjen e armatosur antiserbe në Kosovë, kjo qeveri tani i ishte kthyer shkatërrimit edhe të atyre pak individëve që po përpiqeshin për një rezistencë shpirtërore kundër sundimit brutal serb në Kosovë.

Sigurisht i pari që duhej të goditej ishte Shtjefën Gjeçovi dhe kjo gjë ndodhi në muzgun e 14 tetorit të vitit 1929. Gjeçovi, një mendje iluministe dhe guximtare, që po përpiqej të ndriqonte në natën e madhe të robërisë së Kosovës, u shua atë ditë në shpatijet e Zymit nga plumbat e xhandarëve serbë. Pas mbetën fjalët e tij profetike:

“Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”.

Shkrimtar, sa edhe arkeolog, dhe etnolog. Qe një mbledhës i shquar i krijimeve popullore, fjalorit të rrallë, dokeve, zakoneve, riteve etj. Njëkohësisht, përkthyes. Shumë nga krijimet e tij mbetën në dorëshkrime,një pjesë e të cilave gjenden pranë Arkivit të Shtetit në Tiranë, Muzeut Historik të Shkodrës dhe bibliotekës “Marin Barleti” të këtij qyteti. Gjeçovi ka qenë edhe anëtar korrespondent i Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës (1916-1918). Fillimisht përdori pseudonimin “Lkêni i Hasit” në poezitë që botoi në revistën “Albania”, këtë kryevepër të publicistikës shqiptare të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, drejtuar Faik Konica.

Më pas, u botua vepra “Agimi i Gjytetniis”. Sigurisht, vepra më madhore e Shtjefën Gjeçovit është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botuar në Shkodër, pas vdekjes, më 1933.

Këtij botimi i paraprin një biografi e shkurtër, shkruar nga A. Pashk Bardhi dhe vazhdon me një parathënie të gjatë nga Gj. Fishta, që e mbyll me këto fjalë:

“Kaq shkrova jo aq për me shtrî nji parathane kesajë vepre, sa per me diftue mallin e pakufîjshëm qi kam per të paharrueshmin auktorin e saj”.

“Agimi i Gjytetniis” (1910), botuar një shekull më parë, më 1910 në Shkodër, i paraprin një thënie në latinisht, marrë nga humanisti Marin Barleti. Autori, më pas, ka një përkushtim për Gj. Fishtën, ku ka shkruar: “A. Gjergj Fishtës, O.F.M. auktorit t’”Lahutës s’ Malciis e sa e sa shkrimeve tjera n’pêng t’ndisiis komjare kto fletë atdhedashtnijet ja truën (=kushton) me mallë – shkruesi”.

Nga “Agimi i Gjytetniis”:

“… âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet’one…do të ruhet si drita e synit… Kjo dhântii âsht giuha shqype”.

“Sa mmûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”.

Ç’âsht gjuha? Duke i dhënë vetë përgjigjet, se tipari themelor që e dallonte kombin, që e “man komin n’jetë, tuj kênë kjo shêji i paar e i vetmi, me të cillin dahen komi me komë”.

“Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr.”

“O saa hieshëm folka, si me kênë zogu i lëtinit. E at giuhë, qi Zoti natyra e nâna e jonë na msoj, dona e mâa tepër rrekena me e shlye prejë zêmret”. Gjeçovi, i mbushur me mllef kundrejt një veprimi të tillë, vinte në dukje edhe një dukuri të tillë që ndodhte në ato vite, kur në shkollat shqipe gjuhët e huaja, siç thotë autori, zinin kryet e vendit, ndërsa gjuha shqipe kishte mbetur “e shamun, e përbuzun”.

“Paa dalë faret kombi i jonë, s’ka si del faret giuha”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN