MENU
klinika

Dita e shtatë e zjarrit në Malin e Tomorit

Banorët e fshatrave, zjarrfikëset dhe helikopterët në “luftë” me flakët

04.07.2021 - 16:25

BERAT
Vijon prej 7 ditësh zjarri në Malin e Tomorit.
Temperaturat e larta dhe era kanë bërë që zjarri të përhapet, duke krijuar vatra të reja, ndërkohë që në disa zona raportohet se shumë vatra zjarri janë drejt neutralizimit. Në ndihmë të punonjësve të ADZM-së kanë mbërritur edhe 25 forca të ushtrisë dhe banorë të fshatrave përreth Tomorit.
Duke qenë se terreni është i vështirë dhe mjetet e kanë të pamundur futjen në zonë, zjarri është duke u fikur me forca njerëzore.

Katër helikopterë kanë kryer gjatë ditës së sotme rreth 36 hedhje uji nga lartësia në të gjithë hapësirën që po digjet, por kjo nuk ka mjaftuar që të neutralizohen të gjitha vatrat e zjarrit që edhe sot janë përhapur në disa zona nga era.

Burimet zyrtare nga ADZM Berat konfirmojnë se deri më tani janë djegur rreth 23 hektar pyll me pisha si dhe janë djegur disa vendbanime të kafshëve të egra dhe shumë fole zogjsh.

ADZM bën me dije se, nga ana e kësaj drejtorie janë kërkuar për ndihmë më shumë forca ushtarake dhe helikopterë por deri më tani nuk ka ardhur asnjë ndihmë shtesë.