MENU
klinika

Analiza

Basti i madh i Emmanuel Macron me vaksinimin

30.07.2021 - 09:38

Nga Michele Barbero “Foreing Policy

Në një nga vendet më hezituese ndaj vaksinave në botë, presidenti francez Emmanuel Macron po imponon kritere të rrepta të vaksinimit, duke i bërë vaksinat anti-koronavirus praktikisht të pashmangshme për këdo që dëshiron të bëjë një jetë sociale normale.

Pas një rritje dramatike të rasteve të reja të nxitura nga varianti Delta, javën e kaluar e ashtuquajtura leje shëndetësore (prova e vaksinimit apo një test i fundit negativ ndajCovid-19) u bë e detyrueshme në Francë për të hyrë në vendet kulturore dhe të kohës së lirë, siç janë kinematë dhe muzetë.

Pas miratimit nga parlamenti dhe në pritje të një drite të gjelbër nga Këshilli Kushtetues, kritere të ngjashme pritet të shtrihen në fillim të muajit gusht për restorantet, baret dhe transportin publik në distanca të gjata.

Për t’i inkurajuar njerëzit të vaksinohen, duke filluar nga vjeshta, testet PCR për koronavirusin nuk do të jenë më falas, në rast se nuk rekomandohen nga një mjek. Ndërkohë vaksinat kundër Covid-19 do të bëhen të detyrueshme për të gjithë stafin e kujdesit shëndetësor.

“Fjala është për një pjesëmarrje në këtë përpjekje kolektive për t’u përballur me virusin. Ne do të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë vetëm nëse të gjithë bëjmë një përpjekje për të ulur tensionet”- tha Patrick Vignal, deputet i parlamentit nga partia e Macron, En Marche.

Masat e njoftuara nga Macron në mesin e këtij muaji, janë ndër më të guximshmet në Evropë, dhe mund të dështojnë në mënyrë spektakolare.

Ato kanë shkaktuar që tani një reagim të fortë kundërshtimi përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Partitë e opozitës e denoncuan atë si një veprim autoritar, duke thënë se qeveria po u heq qytetarëve lirinë e zgjedhjes pa pasur një debat kuptimplotë në parlament dhe në mesin e shoqërisë civile.

Një lëvizje proteste duket se po fiton vrull, me dhjetëra mijëra njerëz që kanë dalë në rrugë në mbarë vendin gjatë dy fundjavave të fundit. Gjithsesi masat e reja e kanë shtuar ritmin e vaksinimit, që javët e mëparshme ishte zbehur ndjeshëm.

Një javë pas fjalimit të Macron, një numër rekord prej 3.7 milionë njerëzish rezervuan takimin e tyre me mjekun për të marrë vaksinën. Sipas sondazheve, rreth 60 për qind e francezëve janë pro pasaportës së vaksinës, një nivel i jashtëzakonshëm i mbështetjes, duke pasur parasysh historinë e gjatë të këtij vendi me hezitimin në masë ndaj vaksinave në përgjithësi.

Në të njëjtën ditë me Macron, edhe qeveria greke shpalli kriterin e vaksinimit deri në fund të muajit gusht si një kusht për hyrjen në vende të tilla si baret, kinematë dhe teatrot. Javën e kaluar, Italia ndoqi shembullin e Francës me hapa të krahasueshëm, ndërsa edhe Britania tha se po planifikon ta bëjë të detyrueshme provën e vaksinimit për frekuentuesit e klubeve të natës.

Me zgjedhjet presidenciale të prillit 2022 që po afrohen shpejt, kjo përplasje po shoqërohet me një fushatë elektorale që tashmë po nxehet. Macron pritet të kërkojë një mandat të dytë, ndaj i duhet të shmangë çdo gabim të madh.

Rivalja e tij më serioze ka të ngjarë të jetë sërish udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, drejtuesja e partisë Tubimi Kombëtar, që është ndër kritiket më të zëshme ndaj kërkesave të reja të vaksinimit. Macron duket i etur të përforcojë imazhin e një presidenti që ka guximin të ndërmarrë veprime të forta.

Kjo është në përputhje me idenë e tij për “qeveri të fortë, e cila shqetësohet për interesat e Francës dhe që nuk merret me politikat e buta” thotë Jean-Yves Camus, politolog në fondacionin Jean Jaurès. Ky bast mund të japë frytet e veta vitin e ardhshëm.

Bonapartizmi, magjepsja e përhershme franceze ndaj figurave politike të dorës së fortë si Napoleon Bonaparte ose Charles de Gaulle, është vërejtur nga shumë analistë gjatë dekadave. Ajo karakterizon edhe kushtetutën aktuale franceze, që e konsideron presidentin të plotfuqishëm, një gjë kjo e rrallë në Evropën Perëndimore.

Dhe ndërsa Le Pen është përpjekur të udhëheqë kundërshtimin ndaj masave të reja të Macron, ajo e sheh veten në një pozitë delikate. Kjo për shkak të përplasjeve të brendshme. Anëtarët e Tubimit National që kanë marrë pjesë në tubime në rrugë, akuzuan qeverinë për imponimin e një “diktature” dhe madje e krahasuan veten me hebrenjtë në Evropën e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Le Pen, që nuk e mohon dobinë e vaksinave, ka marrë një qëndrim më të nuancuar. Kjo i ka dhënë mundësinë udhëheqësve të lëvizjeve më të vogla të ekstremit të djathtë, si Nicolas Dupont-Aignan dhe Florian Philippot, të tejkalojnë partinë e Le Pen, duke udhëhequr reagimin kundër vaksinimeve të detyrueshme.

Protestat e fundit të sjellin në kujtesë ato të “Jelekëve të Verdhë” kundër taksave dhe pabarazisë ekonomike, që e tronditën presidencën e Macron disa vjet më parë. Në kulmin e asaj krize, midis fundit të vitit 2018 dhe fillimit të vitit 2019, vlerësimi për Macron ishte vetëm 25 për qind, para se të ngjitej sërish në 40 për qind, ku qëndron edhe aktualisht.

Camus thotë se rreziku më i madh politik për Macron, është nëse kundërshtimi ndaj vaksinimeve të detyrueshme, do të shkaktojë një valë të re të trazirave sociale në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Një raport i policisë javën e kaluar, paralajmëroi se lëvizja kundër politikave të Macron ndaj Covid-19, mund të bëhet më radikale dhe më e dhunshme ashtu si protestat “Jelek-verdhëve”.