Edhe pse u bë shkaku për bllokimin e bisedimeve të anëtarësimit, Bullgaria ka kërkuar së fundmi ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, në mënyrë që vendi ynë të mos mbetet peng i mosmarrëveshjeve historike mes Sofjes dhe Shkupit.
Bullgaria ka thënë së fundmi se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për mbajtjen e konferencën së parë ndërqeveritare me BE-në edhe pse vetoja e saj bllokoi hapin e radhës në integrimin e Tiranës dhe Shkupit.
Dy vendet humbën më 22 qershor, për të tretin vit radhazi shansin për tu bërë palë në negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Por dhe pse ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj Shkupit, Bullgaria mësohet se kërkoi gjatë mbledhjes së Këshillit të BE-së në qershor që Shqipëria të mos bllokohej dhe të vazhdonte e vetme përpara me negociatat.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria Punëve të Jashtme të Bullgarisë në një deklaratë të fundit. Bullgaria thotë se do e vijojë dialogun me Shkupin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por thekson se secili vend duhet të vazhdojë negociatat në bazë të meritave të veta.
“Për ne, parimi i meritës i secilit vend kandidat mbetet parimi udhëheqës në procesin e zgjerimit. Në bazë të kësaj dhe të progresit të arritur nga Shqipëria në plotësimin e kushteve përkatëse, kemi bërë thirrje herë pas herë, edhe në Këshillin e fundit të Çështjeve të Përgjithshme, që të miratohej Korniza e Negocimit me Shqipërinë”, thotë Ministria e Jashtme bullgare.
Megjithatë, pjesa më e madhe e vendeve anëtare, përfshirë edhe Gjermaninë, këmbëngulin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndahen nga rruga e përbashkët drejt integrimit europian dhe kërkojnë që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet me të dyja vendet. E vetmja që ka mbështetur këtë strategji është Hungaria.
Thirrja e Bullgarisë për ecjen përpara vetëm me vendin tonë vjen mes raporteve se fillimi bisedimeve nuk ka gjasa të zhbllokohet as gjatë Presidencës Sllovene të BE-së. Kjo do të thotë se negociatat me vendin tonë do të shtyhen për në vitin 2022.
Sllovenia është zotuar se do të luajë një rol më të fuqishëm për ta bindur Sofjen që të ndryshojë qëndrim ndaj Shkupit, por duke marrë parasysh fuqinë e saj ndikuese brenda BE-së, analistët maqedonas thonë se nuk ka shumë vend për optimizëm.
Portugalia, kryesuesja e fundit e BE-së, u angazhua fuqishëm në “pajtimin” e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është anëtarësuar shumë më herët në Bashkimin Europian se Sllovenia. Kjo nënkupton se ajo ka shumë avantazhe dhe fuqi më të madhe ndikuese brenda BE-së krahasuar Lubjana, por ajo nuk mundi të ketë sukses për zhbllokimin e rrugës së Tiranës dhe Shkupit për në Bruksel.
Gjermania u përfshi fuqishëm në zgjedhjen e kontestit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe si dhe fuqia më e madhe ekonomik në Union, aj nuk arriti që ta bind Sofjen që të tërhiqet nga qëndrimi i saj.
Duhet ta kemi parasysh së Sllovenia është një nga nismëtaret e procesit të Bërdo-Brioni, e cila është themeluar në vitin 2013, por gjatë kësaj periudhe 8 vjeçare ajo nuk ka prodhuar një rezultat pozitiv për zgjidhjen e kontesteve mes shteteve të Ballkanit Perëndimorë. Kjo ka bërë që në Shkup të mbizotërojë fryma se as Sllovenia nuk do të mund të zgjidhë kontestin mes Sofjes dhe Shkupit.
Por pavarësisht kësaj, vetë Sllovenia ka dalë sot kundër ndarjes së dy vendeve. Duke folur disa ditë përpara se unioni të merrte vendimin për mbajtjen e konferencës së parë qeveritare, Presidenti slloven, Borut Pahor tha se të ishte tragjike që Shkupi të ndahej nga Tirana
“Jam i vetëdijshëm se nuk do të jetë lehtë, përpos kësaj, si duket ka më tepër gjasa që Shqipëria të merr dritë jeshile”, tha Pahor.(SI)