MENU
klinika

Nga blerja e dronëve te ndërtimi i 500 banesave

Detaje nga takimi i Ramës me zëdhënësin e Erdogan

05.07.2021 - 13:03

Zëdhënësi i Presidentit të Turqisë, Ibrahim Kalýn, ka zhvilluar një vizitë në Tiranë ku është takuar me Kryeministrin Edi Rama. Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”, mes të tjerash në takim është diskutuar për blerjen e dronëve turq nga ana e Shqipërisë, por edhe ndërtimi i 500 banesave, që u prishën nga tërmeti.

Në një pyetje në lidhje me miratimin e buxhetit shtesë nga ana e Parlamentit shqiptar për të blerë dronë nga Turqia, Kalýn tha se bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes është i rëndësishëm dhe shtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrë që të mbështetet siguria, paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë.

“Paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë janë edhe paqja dhe stabiliteti ynë dhe paqja dhe stabiliteti i Ballkanit”, u shpreh Kalýn.

Ai gjithashtu përmendi edhe 500 banesat e ndërtuara në Shqipëri pas tërmetit, duke thënë se ato pritet të finalizohen në gusht dhe t’u dorëzohen pronarëve.

“Në të njëjtën mënyrë, në këtë periudhë pandemie, veçanërisht në kontekstin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, këtu u ndërtua një spital në një kohë shumë të shkurtër, me udhëzimet e Presidentit tonë. Ne patëm po ashtu mundësinë të bënim furnizim me vaksina. Në periudhën e ardhshme, ne do të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë në të gjitha këto fusha, përfshirë shëndetësinë”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

NDRYSHIMI NË BUXHET

Në seancën e parafundit parlamentare për këtë legjislaturë, maxhoranca me votat edhe të opozitës në ikje ndryshoi për herë të 4-t buxhetin, duke bërë ndryshime drastike në thuajse çdo zë të parashikuar më parë.

Janë 11.8 miliardë lekë shtesë, apo rreth 96 milionë euro më shumë, për t’u shpenzuar këtë vit, pavarësisht rekomandimit të FMN-së të vetëm pak ditëve më parë për të shmangur diçka të tillë. Nga krahasimi i zërave specifikë, rezulton se fondet për rrugët kanë pësuar rritjen më të madhe, me mbi 5.5 miliardë lekë.

Ndjekur nga ujësjellës-kanalizimet me 1.5 miliardë lekë dhe platforma e “e-Qeverisjes” me 1.1 miliardë lekë. Po ashtu, 978 milionë lekë më shumë shkojnë si mbështetje për bujqësinë dhe 900 milionë lekë i transferohen Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Në kurriz të këtyre shpenzimeve, pakësohen fondet për zëra të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia. Kujdesit parësor shëndetësor i hiqen 1.3 miliardë lekë, ndërsa arsimit bazë i hiqet 1 miliard lekë, arsimit të mesëm 500 milionë lekë dhe arsimit profesional 290 milionë lekë.

Por ka edhe zëra si emergjencat civile, që u pakësohen fondet pavarësisht detyrimeve të prapambetura në vite. Fonde u hiqen edhe thuajse të gjitha institucioneve të drejtësisë në vend, si KLGJ, KLP, SPAK, Gjykatës Kushtetuese, Shkollës së Magjistraturës dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Me këto ndryshime, deficiti buxhetor tejkalon 120 miliardë lekë, apo 982 milionë euro dhe pesha e borxhit të jashtëm rritet më tej, duke shtuar rreziqet që i kanosen buxhetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Flet pas takimit me Ramën

Erdogan: 500 banesa gati për 1 vit

"Do zëvendësohen godinat e rrënuara nga tërmeti"

Firmoset marrëveshja, Turqia do të ndërtojë 500 banesa në Laç