MENU
klinika

Historia e mbrojtësit të Interit

Dikur luante me Inter, sot druvar dhe bukëpjekës

17.07.2021 - 11:28

Në ditët e sotme futbollistët fitojnë miliona euro, por ka prej tyre që edhe pse prekën majat, tani bëjnë jetë normale, madje me sakrifica. E mbani mend Fabio Macellari?

Mbrojtësi i Interit fitoi shumë para dikur. Megjithatë, tani gjithçka i ka mbaruar. Ai nuk ka më pasuritë e së kaluarës dhe është i detyruar të bëjë një punë shumë më të përulur, pasi nuk ka më moshën për të luajtur futboll.

Koha kalon për të gjithë, madje edhe për futbollistët. Fabio Macellari është 46 vjeç sot. Jo të gjithë mund ta mbajnë mend, por dikur luajti për Cagliari, Bologna, Lecce dhe Inter.

Sot, duke mos qenë në gjendje ta lidhë pasionin e tij me punën e përditshme, merret me gjëra të tjera. Jeta e tij e re është e ndarë midis bukëpjekësit (furrtarit) dhe prerjes së druve në pyll. Një jetë që nuk pritet nga një ish-lojtar i Serie A:

“Unë humba gjithçka, gjithçka kisha fituar përmes futbollit. Përdora edhe drogë, por në fund i kuptoni gabimet. Në pikën që vajta unë, ose duhej t’ia rinisja nga fillimi, ose të vdisja”.

Sot Fabio është i vetëdijshëm për gabimet e së kaluarës. Nëse do të mund të kthehej, ka shumë të ngjarë, nuk do t’i kishte bërë të gjitha ato. Prej disa vitesh zgjohet çdo natë dhe bën furrtarin, ndërsa shumicën e kohës së tij të përditshme e kalon në pyll.

Padyshim që nuk i bën të gjitha këto për “hobi”, siç ishte dikur argëtimi nëpër klube nate, por puna e bukëpjekësit është e nevojshme për të jetuar. Arsyeja? E shpjegon vetë ish-futbollisti:

“Kam bërë shumë gabime, kam përdorur edhe drogën. Kur jeni i ri, aq më tepër futbollist, keni mjaft të ardhura, një standard më të lartë jetese, nuk e kuptoni se çfarë mund të ndodhë”.

Kur nuk i mbërritën më oferta nga Serie A, Fabio e gjeti veten të detyruar të pranonte të luante në ligat e vogla. Kjo do të thoshte shumë më pak para të fituara:

“Kthimi në një ritëm normal të jetës nuk është i lehtë, kur keni shpenzuar si unë, tepër bujar, gjithmonë duke paguar për të gjithë”. Varësia nga droga gjithashtu ndërlikoi gjithçka: “Në këto raste, ju e kuptoni se duhet ta nisni nga e para ose të vdisni”.

Macellari sot është një njeri tjetër. Ai u kthye për të jetuar në Bobbio, larg nga dritat e projektorëve. Duke treguar historinë e tij, Fabio dëshiron t’u japë këshilla të gjithë të rinjve:

“Ata kanë të njëjtën jetë që bëja unë, shkojnë në klube nate, shpenzojnë pa fund për makina dhe femra. Me rastin tim i këshilloj të jenë të kujdesshëm”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN