MENU
klinika

Frymëzimi i Mandelës!

Ditari i një vajze… e detyruar të vdiste

06.07.2021 - 10:23

       “Unë dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes”. Falë ditarit të saj të botuar në 35 milionë kopje, Ana Franku ia arriti qëllimit./Konica.al

Pikërish më 6 korrik 1942, si sot 79 vjet më parë, Ana Franku me familjen u fshehën nga Gestapo gjatë holokaustit.

Teksa Adolf Hitleri dhe nazistët filluan të merrnin pushtetin, familja Franku u zhvendosën nga shtëpia e tyre në Gjermani, për të jetuar në Amsterdam, që në fakt, nuk vonoi të pushtohej nga forcat gjermane. Më 5 korrik, ata morën një letër që motra e madhe e Anës do të dëbohej dhe ndoshta do të dërgohej në një kamp pune, si shumë hebrenj gjatë holokaustit. Të nesërmen, ata u futën në strehim. Familja: babai Oto, nëna Edit, motra e madhe Margot dhe Ana, u fshehën në një strehim pas biznesit të Oto Frankut, të cilin, Ana e quajti “Aneksi sekret”. Shumë shpejt, me ta u bashkua edhe familja van Pels, një ortak i biznesit të Otos. Me ushqime dhe furnizime u ndihmuan nga disa miq johebrenj, përfshirë edhe Miep Gies. Vendstrehimi u gjet nga Gestapo, më 4 gusht 1944, pasi kishin kaluar dy vite të fshehur, nisur nga një informacioni anonim. Si rrjedhojë, familja u nda dhe u dërgua në kampe përqendrimi. Ana e regjistroi përvojën e “Aneksit sekret” në ditarin e saj, të cilin ia botoi i ati në Amerikë, pas vdekjes, në 1952, me titullin: “Ditari i një vajze të re”.

Ditarin e kishte marrë dhuratë për ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, Më 12 qershor 1942, pak më pak se një muaj para se të fshiheshin, duke shkruar në faqet e tij, se shpresonte t’i besonte atij, pasi asnjëherë nuk kishte pasur askënd kujt t’i besonte. Ditari është përkthyer në 70 gjuhë dhe është përshtatur për skenën dhe ekranin. “Ditari” u shfaq premierë në “Broadway” më 1955, kurse në vitin 1956 fitoi çmimin “Tony”, për lojën më të mirë dhe çmimin “Pulitzer”, për dramën më të mirë.

“Aneksi sekret” u shndërrua në shtëpinë e Ana Frankut, i hapur për vizitorët. Mbetet e paharruar shprehja e famshme e saj: “Pavarësisht gjithçkaje, unë ende besoj, se në zemër njerëzit janë vërtet të mirë”.

Ditarin e ktheu në mjet reflektimi dhe riafirmimi në një situatë të pasigurisë së madhe. Ana ëndërronte të bëhej gazetare dhe, më pas, një shkrimtare e shkëlqyer. Ky ishte plani për të ardhmen, kur filloi të shkruante ditarin, një projekt që mendonte ta bënte realitet pas luftës, kur gjithçka të ishte kthyer në normalitet. Gjërat nuk shkuan siç i imagjinonte, por në fund Ana e bëri realitet ëndrrën e saj. “Ditari” konsiderohet si një nga dëshmitë më prekëse të shkruar ndonjëherë. Stili i drejtpërdrejtë dhe pafajësia përmes së cilës, ajo përshkruan tmerret e luftës, e bëjnë atë të veçantë. Ai vazhdon të jetë një nga librat më të lexuar dhe është përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Botërore në UNESCO. Në të gjejmë jetën e një vajze të re në zhvillim të plotë, të hedhur në një realitet të tmerrshëm, shkruar me shumë hijeshi. Frankët jetuan në strehim, për gati dy vjet. Tetë vetë, për të ndarë një strehim. Secilin prej tyre, Ana i përshkroi me thellësi dhe mprehtësi, duke i bërë ata karaktere letrare./Konica.al

Kur u gjetën nga nazitët, Ana mbeti vetëm me të motrën dhe përfunduan në kampin Bergen-Belsen, ku edhe vdiqën të dyja nga tifoja. I vetmi që mbijetoi ishte Oto Franku. Kur u kthye në vendstrehimin, duke kërkuar të dhëna për fatin e anëtarëve të familjes, Kryqi i Kuq e informoi se i kishin vdekur gjithë pjesëtarët e familjes. Nga ana tjetër, i dhanë ditarin e Anës, për ekzistencën e të cilit, nuk dinte asgjë. E kuptoi se ishte një dokument me rëndësi historike.

Dy vjet më vonë, arriti ta botonte, duke përmbushur ëndrrën e një vajze, të detyruar të vdiste në moshën 15-vjeçare. Nelson Mandela është shprehur, se “Ditari” i kishte dhënë forcë gjatë robërisë./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filozofi 90-vjeçar: Shteti të shpëtojë çdo jetë

“Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri… për paditurinë tonë”

Një rrëfim ndryshe nga të tjerët...

“Çuni i mirë, Jim Morrison”