MENU
klinika

Edi Rama shkarkoi Fatos Tushen

Emërohet kryetari i ri i Bashkisë së Lushnjes

16.07.2021 - 11:24

Eriselda Sefa do të jetë kryebashkiakja e re e Lushnjës.

Emërimi i saj në këtë post vjen pak ditë pasi ish-kryebashkiaku socialist Fatos Tushe u arrestua nga Prokuroria SPeciale SPAK, nën akuzën e korrupsionit dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Menjëherë pas arrestimit, kryeministri Rama u distancua nga Fatos Tushe dhe firmosi shkarkimin e tij nga detyra.

Në garë për kryetar të Bashkisë së Lushnjës ishte dhe nënkryetari tjetër Gentian Nushi, por ai u tërhoq nga gara dhe nuk pranoi të zgjidhej kryebashkiak, pasi mban postin e kryetarit të PS. Me 24 vota pro, Këshilli Bashkiak ka zgjedhur Eriselda Sefën si kryetare të re.

Në dosjen e SPAK thuhet se Fatos Tushe dhe Flamur Peqini, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike, në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë, kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.

Bashkë me Fatos Tushen dhe Peqinin u arrestuan dhe disa funksionarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjës.