Kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe u arrestua sot nga SPAK, nën akuzat për korrupsion në një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në rrethinat e Lushnjës.
Sipas analistit Frrok Çupi, “këta janë të korruptuarit më të vegjël”. I ftuar në emisionin “Top Talk”, Çupi thotë se “shteti nuk është më në duart e qytetarëve, por në duart e këtyre njerëzve të pushtetshëm”.
“Kemi sot të korruptuarin më të madh të botës (Sali Berishën). Nuk është shpallur i tillë asnjë ish-President tjetër. Këtu janë aq shumë të korruptuar, sa mund ta vendosësh dorën te secili.
Krimi këtu është aq i rëndë, sa ne kemi hyrë në epokën e prangave. Duhet të kishim hyrë më shpejt. Kemi një sistem me politikanë shumë të këqinj, kemi njerëz që kanë qeverisur në mënyrë tragjike në vendin tonë, sa që dhe kriminelin e kanë lënë të bëhet më kriminel se sa ishte. E kanë lënë dhe hajdutin të bëhet më hajdut se sa ishte”.
Më tej, shprehet se “këta pushtetarë janë mpleksur aq keq me krimin sa nuk dalin dot më”.
“Njerëz si Meta, Berisha etj e kanë lënë veten në duart e kriminelëve dhje tani nuk dalin dot. Vjedhja dhe krimi i qeveritarëve i ka çuar të krijojnë figurën e përbindëshit dhe tani nuk shpëtojmë dot”.