MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Glorifikimi i mërzitshëm i krimit

31.07.2021 - 20:38

Ajo që po ndodh këto kohë me Sali Berishën nuk është thjesht një ngjarje e shenjuar mes SHBA-ve dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike, ishpresidentit dhe ish kryeministrit të Shqipërisë.
Më shumë se kaq, ajo është një ballafaqim mes dy botëve apo mes dy mentaliteteve, të cilat, jo vetëm që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por janë diametralisht të kundërta.
Për mentalitetin e Sali Berishës, një drejtues i lartë politik, siç është rasti i tij, është riprodhimi i modelit të
prijësit nga pikëpamja tiplogjike dhe i Enver Hoxhës nga pikëpamja historike. Kjo tipologji e identifikon
një drejtues të një fomacioni politik me popullin, me kohën dhe me hapësirën në të cilën ai gjëllon.
Ndërsa për mentalitetin amerikan dhe për atë perëndimor, në përgjithësi, që është ndërtuar mbi
konkurencën e ideve dhe të partive politike, fati i një drejtuesi të një formacioni politik, është një fat
individual dhe askush nuk mund të marrë peng historinë, kohën, hapësirën e aq më pak popullin.
Administrata amerikane ka marrë një vendim sipas ligjeve të saj dhe ka shpallur person « non grata »
individin Sali Berisha, i cili, gjatë ushtrimit të funksioneve të larta të tij, gjithnjë sipas kësaj administrate,
ka kryer shkelje të rënda duke favorizuar korrupsionin për familjen dhe aletatët e tij, ka bërë presion mbi
drejtësinë dhe ka minuar demokracinë. Ky është një qëndrim politik i SHBA-ve, nuk është qëndrim juridik.
Institucionet e drejtësisë në Shqipëri kanë tagrin që, nëse e shohin të drejtë këtë qëndrim, dhe nëse
gjejnë prova të besueshme, të nisin edhe ndjekjen penale ndaj individit Sali Berisha. Mirëpo, Berisha nuk
identifikohet dot me qytetarin Sali, ai ka zgjedhur të identifikohet me prijësin e popullit shqiptar që, sipas
tij, e ka udhëhequr atë në ndërtimin e demokracisë. Ndaj, gjithnjë sipas Berishës, ambasadorja e SHBA-ve
në Tiranë, zonja Juri Kim, kur i thotë Lulëzim Bashës se ju nuk mund të bini në pozitat e asaj shprehjes që
shenjonte kohën e mbylljes së egër dhe kur Enver Hoxha betohej se edhe bar do të hamë po parimet nuk
i shkelim, ajo, ka fyer popullin, sipas Berishës, sepse Saliu është populli shqiptar.
Ky arsyetim jo vetëm që është banal, por është edhe grotesk dhe qesharak. Ai po tregon kështu se
brenda tij modeli i diktatorit që identifikohet me popullin apo modeli i tiranëve që identifikohen me ata
që u shpëlajnë trurin turmave që i ndjekin, mund të funksionojë ende. Është e vërtetë se, ashtu si për çdo
diktator, edhe për modelet groteske si Berisha, ka ndjekës dhe militantë që përgjërohen për të dhe që
nuk arrijnë të ndajnë dot fatin e individit nga ai i administratorit publik. Në traditën e varfër shqiptare,
politika është konceptuar gjithnjë si një luftë me armiq herë imagjinarë e herë realë. Mirëpo modeli që po
tregon Berisha në sjelljen ndaj Ambasadores së SHBA-ve në Tiranë dhe ndaj sekretarit të Shtetit të SHBAve,

na kujton të gjithëve se ai është projektimi i fundit i udhëheqësit komunist në Ballkan, i cili kujton se
duke u fshehur pas njëjtësimit me popullin apo me fanatikët e PD-së, do të shpëtojë qytetarin Sali
Berisha nga ndëshkimi që i kanë dhënë SHBA-të sot dhe drejtësia shqiptare nesër.
Një tipar tjetër e këtij modeli që po shfaq Sali Berisha është edhe transformimi i akuzave nga krime të
kryera gjatë ushtrimit të një funksioni në akuza armiqësore. Krimet e liderëve që ndjekin modelet e
udhëheqësve komunistë apo populistët e sotëm, u paraqiten të tjerëve si projekte të realizuara për të
mirën e përgjithshme. Komunistët apo diktatorët dhe tiranët e të gjitha ngjyrave janë të bindur se duke
vrarë kundërshtarët politikë, duke abuzuar me të drejtën e pushtetit, duke mposhtur me të gjitha mjetet
ata që nuk besojnë në projektin e tyre, duke mos respektuar asnjë institucion tjetër veç atij që
materializohet në veprimin autoritar, pra, duke vepruar kështu, ata janë të bindur se po i shërbejnë
popullit, pikërisht atij populli imagjinar që ekziston vetëm në paranojat e tyre.
Berisha thotë se unë nuk kam shkelur asnjë ligj, se nuk kam kryer asnjë vepër penale, se unë sulmohem
nga kundërshtarët politikë. Ndërkaq, ka të paktën që nga viti 1992, kur ai nisi të konsolidojë pushtetin
personal, që publikisht i janë numëruar mbi 30 vepra të rënda që kanë lidhje me të drjetpërdrejt ose
tërthorazi. Mirëpo ai, të gjitha shkeljet e rënda që ka kryer, i justifikon se i ka bërë në emër dhe për të
mirën e popullit. Fjala vjen, kur shkarkoi Zef Brozin dhe kur donte ta arrestonte atë, e bëri sepse Zef Brozi
donte të mbronte grekët ndërsa Berisha popullin shqiptar, kur strukturat që drejtonte ai rrëmbyen dhe
vranë Remzi Hoxhën e bëri sepse donte të ruante Kosovën nga ata që ai i quante si të kompromentuar,
kur manipuloi zgjedhjet e vitit 1996 e bëri sepse donte të shkallmonte komunizmin e kështu me radhë.
Pra, ky mentalitet i Berishës, që sot shfaqet në formën e glorifikimit grotesk të « krimit », është i njëllojtë
me paradigmat dhe me përgjigjet që u jepte dikur administrata e shtetit socialist « imperializmit amerikan
dhe borgjezisë ndërkombëtare ».
Ndërkohë, mjaft të shohim se çfarë po ndodh me presidentin Sarkozi në Francë dhe do të bindemi se në
një vend demokratik siç është Franca, qytetari dhe administratori më i lartë i vendit, janë të ndarë. Akuzat
që të bëhen për veprime që ke kryer gjatë ushtrimit të pushtetit janë të adresuar te qytetari Sali Berisha
dhe jo te figura imagjinare e prijësit komunist që është përfaqësuesi i një populli imagjinar dhe i një
kauze imagjinare.