MENU
klinika

Kufiri i normave të interesit të kredisë

Guvernatori Sejko: Rregullorja hyn në fuqi në vitin 2022

07.07.2021 - 19:58

Rregullorja e Bankës së Shqipërisë për vendosjen e një norme interesi tavan për kreditë konsumatore dhe hipotekore do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Këtë e ka konfirmuar guvernatori i bankës qendrore Gent Sejko, sipas të cilit kjo iniciativë vjen pas ankesave të shumta që bizneset dhe individët kanë paraqitur lidhur me normat e larta të interesit të huave, veçanërisht nga institucionet financiare jo banka.

“Si pasojë e ankesave që kanë ardhur nga shumë subjekte, individë a biznese për normat e larta të interesit duhet të jemi të qartë që këto institucione financiare jo banka funksionojnë me donacione apo burime të tjera financimi. Kanë dhe kosto më të larta dhe tipologjia që kanë këto institucione mbart normë më të lartë interesi kudo në botë. Po sigurisht që këto norma interesi kanë një limit dhe për ta rregulluar tregun që të mos kemi tejkalime të normave të interesit banka po përgatit një rregullore dhe natyrisht që ne duam të shmangim abuzimet nëse ka dhe jemi në fazën e verifikimit dhe studimit të tregut në këtë aspekt. Faza analizuese do të mbyllet brenda këtij viti dhe rregullorja do të hyjë në fuqi vitin që vjen.” Gent Sejko, guvernator i BSH.

Rregullorja me ndryshimet e reja për vendosjen e një kufiri për normat e interesit u hodh për konsultim publik me grupet e interesit në shkurt të këtij viti.

Por, propozimet nuk janë mirëpritur nga institucionet financiare jo banka, duke argumentuar se kjo mund t’i detyrojë të heqin dorë nga dhënia e huave të vogla, pasi sipas tyre kostot për sigurimin e fondeve janë ndjeshëm më të larta se në raport me sektorin bankar.