MENU
klinika

Filmi që i ka të gjitha!

“House of Gucci”, moda dhe krimi përplasen…

31.07.2021 - 13:48

Moda dhe krimi përplasen sërish, kësaj here nën një emër elitar siç është Gucci. Lady Gaga e ka treguar tanimë veten si aktore në filmin “A Star is Born” dhe iu besua roli i një prej figurave më të diskutuara të filmit. Ajo do të luajë përkrah të talentuarit Adam Driver, Jared Leto, të madhit Al Pacino dhe Jeremy Irons.

Historia ndjek Patrizia Reggiani (Lady Gaga) dhe ngjarjet e orkestrimit të vrasjes së ish-bashkëshortit të saj, Maurizio Gucci (Adam Driver), ku ajo është e dyshuara kryesore. Filmi është një përzierje e modës, vrasjes, çmendurisë, shkëlqimit, pushtetit dhe lakmisë.

1. Paraqitja e shkurtër (trailer) është publikuar dhe i ka tejkaluar parashikimet e përsosmërisë.

2. Filmi i mbylli xhirimet në Maj të këtij viti. Lady Gaga dhe Jared Leto ndanë foto në profilet e tyre përkatëse në mbarim të xhirimeve.

3. Veshjet? Janë tërësisht klas. Në Mars, Gaga postoi një foto nga Alpet Italiane gjatë xhirimeve dhe i bëri të gjithë të ëndërronin. E veshur me rroba të zeza, bizhuteri të arta elegante dhe një gëzof të bardhë në kokë përkrah Driver, i cili mbante një golf të bardhë të thurur, dukej një pikturë e përsosur e ardhur nga një kohë tjetër.

4. Kasti i aktorëve mban vetëm emra yjesh të klasit A në Hollivud. Jared Leto luan rolin e kushëririt të Maurizio-s, (Paulo Gucci), Al Pacino në rolin e babait të Paulos, Aldo Gucci, Jeremy Irons është babai i Maurizio-s, Rodolfo. Aktorja franceze Camille Cottin do të luajë rolin e Paola Franchi, gruaja me të cilën Maurizio bashkëjetonte para se të vdiste.

5. Filmi ka qenë në punë e sipër prej vitesh, 15 për të qenë të saktë. Në 2006, u menduan të ishin Angelina Jolie dhe Leonardo DiCaprio në rolet kryesore, më pas Penelope Cruz, Margot Robbie, madje edhe Robert De Niro.

6. Patrizia e vërtetë doli nga burgu para disa vitesh. Ajo dhe Maurizio ishin lumturisht të martuar për 12 vjet derisa ai e la për një grua më të re në moshë në 1985. Në 1991 ata u divorcuan dhe në 1995 ajo punësoi një vrasës për ta qëlluar jashtë zyrës së tij. Rezultati ishte 29 vite burg për Patrizia-n, por që u ul në 18 për sjellje të mirë duke mundësuar lirimin e saj në 2016.

7. Filmi mendohet të dalë në kinema në 24 Nëntor.