MENU
klinika

“Restorante e hotele të sekuestruara”

Ja pasuritë 3 mln euro të bllokuara në Shqipëri nga operacioni “Shpirti”, prokurori: Janë kapur 6 ton drogë

02.07.2021 - 11:37

Prokurori Vladimir Mara, i cili ka drejtuar hetimet në palën shqiptare në kuadër të operacionit të koduar “Shpirti” ka dhënë detaje të reja lidhur me këtë aksion të autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Gjatë një konference për mediat, ai bën me dije se nga hetimet në total janë kapur 6 ton lëndë narkotike të shtrira në disa vite hetimi.

Sipas tij, kryesisht janë trafikuar kanabis sativa, heroinë dhe kokainë drejt Italisë apo dhe drejt vendeve të tjera të Europës.

“Hetimi i kryer në kuadër të kësaj skuadre hetimore ka pasur një shtrirje të gjerë në hapësirë. Koha për të treguar se çfarë kemi bërë është shumë pak në krahasuar me punën. Hetimi është kryer në kuadër të një skuadre bashkëpunimi sëbashku me kolegët italianë dhe shqiptarë. Ka qenë një hetim i vështirë por me shumë rezultate. Të gjtihë të pranishmit në këtë takim, kanë dhënë mbështetjen e tyre në këtë hetim. Në mënyrë të përmbledhur, gjatë këtij hetimi për procedimi penal janë evidentuar episode të shumta të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Itali dhe më pas shtrirjen në disa vende të tjera të Europës.

Kryesisht të lëndëve narkotike, llojit kanabis sativa, heroinë dhe kokainë dhe lëndë të tjera të përpunuara. Gjatë hetimit janë sekuestruar mbi 6 ton lëndë narkotike në Shqipëri dhe Itali dhe janë nxjerrë masa sigurie për 80 persona. Ditën e sotme kemi përfunduar një operacion për ekzekutimin e 28 masave të sigurisë. Operacioni i shtrirë në Itali, Shqipëri, Mal të Zi, dhe Spanjë. Ka shkuar në sukses. Do të ndalesha në dy momente të rëndësishme” – tha Mara.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar dhe pasur të luajtshme dhe të paluajtshme në vendin tonë. Prokurori Vladimir Mara bën me dije se pasuritë e sekuestruar në Shqipëri janë kryesisht në Vlorë, Kavajë dhe Tiranë.

Ai njofton se janë sekuestruar restorante, hotele, supermarkete, troje dhe shoqëri aksionere që sëbashku kapin vlerën e 3 mln euro, pasuri të vendosura nga aktiviteti kriminal.

“E para ka qenë besimi i autoriteteve italiane dhe shqiptare për të ndarë të dhënat mes njëri-tjetrit. E dyta një element i rëndësishëm në këtë hetim, kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë të cilët kanë dhënë informacione të rëndësishme. 4 bashkëpunëtorë nuk kanë qenë thjeshtë pjesëtarë të grupit kriminal. Janë dokumentuar i gjithë rrjeti nga kultivimi, magazinimi, trafikimi dhe mbërritja e lëndëve narkotike në brigjet italiane. Është ndjekur hetim pasuror dhe janë sekuestruar të gjitha pasuritë të cilat janë vënë si rezultat i aktivitetit kriminal ose të ardhura të tjera të paligjshme

Do ndalemi në dy momente pasi në këtë hetim janë përfshirë dhe zyrtarë të lartë shteti të përfshirë në aktivitet kriminal. Kemi konstatuar se zyrtarë të lartë duke shpërdoruar detyrën kanë qenë të përfshirë në trafikimin e drogës. Kjo është e rëndësishme që të evidentohen këta elementë që sjellin një progres në reformën në drejtësi. Pasuritë janë kryesisht në qytetin e Vlorës, Kavajës, Tiranë dhe vende të tjera. Janë të paluajtshme dhe të luajtshme, 11 të paluajtshme që janë restorante hotele supermarkete troje. 4 shoqëri dhe disa pasuri të tjera që në fakt kapin një vlerë mbi 3 mln euro. Është dokumentuar fakti që këto pasuri janë të vëna si rezultat i ardhur nga aktiviteti kriminal. Ka qenë një hetim shumë i mirë” – tha prokurori.