MENU
klinika

A do ketë një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit

Janusz Bugajski: Pse siguria e Ballkanit varet nga rezultati i negociatave mes tyre

03.07.2021 - 12:46

Nga Janusz Bugajski
Negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat rifilluan në Bruksel më 15 qershor nën kujdesin e Bashkimit Evropian, janë çelësi i sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Pa një dakordësi për njohje të ndërsjellë si shtete të pavarura, mosmarrëveshja e ndezur do të trazojë kufijtë, do të ulë zhvillimin ekonomik dhe do të bllokojë integrimin në BE.

Që bisedimet të jenë të suksesshme, administrata e Joe Biden duhet të luajë një rol më aktiv në proces. Ndërsa BE, në rajon, shihet si e ndarë dhe jo e besueshme, ShBA ruan besueshmërinë për shkak të rolit të saj udhëheqës në zgjidhjen e konflikteve të mëparshme ballkanike.

Administrata e Biden ka pohuar se njohja e ndërsjellë ndërshtetërore midis Serbisë dhe Kosovës është e vetmja zgjidhje e prekshme. Pranimi i kufijve përfundimtarë do të mundësonte më shumë investime në biznes dhe zhvillim ekonomik në të dy shtetet, do të hapte më qartësisht rrugën e anëtarësimit në BE dhe të pengonte ndërhyrjet rajonale korruptive të Kremlinit. Por pa një marrëveshje dypalëshe, rajoni mund t’i kthehet sërish konfliktit, nxitur nga ambiciet nacionaliste dhe politikanët ambiciozë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008-ët dhe njohja e saj nga ShBA dhe të gjithë anëtarët e BE-së, përveç pesë, qeveria e Serbisë ia ka kushtuar politikën e saj të jashtme bllokimit të anëtarësimit të shtetit të ri në institucionet ndërkombëtare. Ajo ka punuar ngushtë me Rusinë e Vladimir Putin në përpjekjen për të delegjitimuar shtetësinë e Kosovës dhe për të promovuar ambiciet e saj ekspansioniste rajonale.

Axhenda “Bota Serbe” e Presidentit Aleksandr Vuçiç imiton atë të “Botës Ruse” të Putin. Ajo është hartuar për të dominuar shumë shtete fqinje dhe që, në fund, të marrë territore me popullsi të madhe serbe. Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi qëndrojnë në vijën e frontit për të mbrojtur sovranitetin e vet por e ndjejnë se marrin ndihmë të pamjaftueshme politike nga BE dhe ShBA. Nga ana tjetër, irredentizmi serb mbështetet drejtpërdrejt nga Moska, (si një mënyrë) për të destabilizuar rajonin, për të ulur ndikimin perëndimor aty dhe për të krijuar një aleat të fortë për Rusinë në Ballkan.

Objektivat e Beogradit ndaj Kosovës janë të shtyjë pambarimisht çdo marrëveshje dypalëshe, të mbajë (në këmbë)/ushqejë pasigurinë për të ardhmen e saj dhe potencialisht të thithë brenda vetes një pjesë të territorit të saj. Në lidhje me Malin e Zi, politikat e Vuçiç synojnë t’ia dëmtojnë sovranitetin dhe ta bëjnë politikat e tij të jashtme dhe të sigurisë të varura nga ato të Serbisë. Beogradi punon përmes nacionalistëve serbë të përfshirë në koalicionin qeverisës trepalësh të cilët dëshirojnë tërheqjen e vendit nga orientimi perëndimor, edhe pse Mali i Zi është tashmë anëtar i NATO-s.

Bosnje-Hercegovina është shënjestra e tretë kryesore e pan-serbizmit. Vendi mbetet jofunksional kryesisht për shkak të politikave bllokuese të Republikës autonome Serbe (RS). Udhëheqësi i saj, Milorad Dodik, kërcënon periodikisht me ndarje, për të krijuar një shtet të ri serb, i cili, në fund, do i bashkohet Serbisë. Megjithëse Vuçiç ka shmangur të bërit thirrje hapur për ndarjen e Bosnjës, ai përllogarit se shpërqendrimi dhe rraskapitja e Perëndimit ose një krizë më e madhe rajonale e kombinuar me konflikte brenda vetë Bosnjës do të ofrojë mundësinë e shkëputjes dhe bashkimit përfundimtar (të RS) me Serbinë.

Beogradi është vazhdimisht në kërkim të pengesave që parandalojnë një marrëveshje përfundimtare me Prishtinën, ndërsa qeveria e re e Kosovës dëshiron të shmangë kurthin e diskutimeve të pafund dhe të pafrytshme. Udhëheqësit e BE-së po inkurajojnë Kryeministrin Albin Kurti të vazhdojë dialogun, pavarësisht ngërçit gjatë takimit të fundit në Bruksel. Zyrtarët në Prishtinë duhet të theksojnë se nëse BE dëshiron një zgjidhje, atëherë ajo ka përgjegjësinë të bindë pesë anëtarët e mbetur të BE të njohin Kosovën dhe në këtë mënyrë të nxisin Serbinë të nderojë unanimitetin e Europës. Mungesa e një fronti të bashkuar thjesht i jep forcë Beogradit dhe Moskës të pengojnë çfarëdo marrëveshje.

Prishtina është gjithashtu nën presion ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme në procesin e Brukselit, veçanërisht në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Negociatorët e Kosovës duhet të bëjnë të qartë se ndonëse qeveria mbështet devolucionin politik, të drejtat e pakicave, më shumë investime në nivel komunal dhe përgjegjësi më të mëdha për qeverisjen lokale në mbarë Kosovën, krijimi i një strukture paralele me baza etnike ka të ngjarë të gjenerojë konflikte të reja dhe më shumë probleme për Brukselin dhe Uashingtonin.

Marrëveshja për komunat duhet të vlerësohet në mënyrë gjithëpërfshirëse nga juristë kostitucionalë dhe ekspertë ndërkombëtarë për t’u siguruar që nuk cenon integritetin dhe shtetësinë e Kosovës ose të drejtat e jo-serbëve në komunat në fjalë. Pas kësaj (marrëveshja) do të duhet të përshtatet dhe pranohet në parlament për t’u bërë e vlefshme. Kjo mund të arrihet brenda një kornize më të gjerë, e cila përfshin njohjen reciproke ndër-shtetërore. Do të përbënte një koncesion të madh nga ana e Prishtinës dhe do të merrte notë pozitive në kryeqytetet perëndimore. Por kjo nuk mund të zbatohet pa një marrëveshje dypalëshe gjithëpërfshirëse midis dy shteteve të pavarura./ Dita

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Integrimi i Serbisë në BE

‘Kosova nuk është kushti i vetëm’

Zëvëndësimi i Vuçiçit

‘Duan ta rrëzojnë Vuçiçin’