MENU
klinika

Dhuratë familjes dardhare

Jeleku i Faik Konicës,.. relikt i çmuar në Boston!

25.07.2021 - 18:18

     Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit- shkruan Fuat Memelli.

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej Covid-it, Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm katër kopsa i janë shkëputur.

Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i ‘Vatrës’ dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim.

Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij, të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fati i tyre nuk dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Rrobat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi tek shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndërroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun, Soitiri e ruajti me fanatizëm.

Kur erdhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes, deri sa ndërroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë, jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.


Duke biseduar me Andrean, në shtëpinë e të cilit ruhet flamuri, ai thotë se ky jelek, e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve evropiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”

Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”

... e hollë e gjatë si në piktyrë të Botticelli-t"

“Dit’ e verës çkrin dimëri qaset Vera buzëqeshur