MENU
klinika

Vite më parë rrëfeu para hetuesve krimet makabre

Kanosi me hanxhar vëllain e tij, arrestohet 39-vjeçari

23.07.2021 - 13:35

Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës sepse kanosi me hanxhar vëllain e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “24 Maji”, në Vlorë në ambientet e banesës, ku 39-vjeçari i identifikuar si Gazmend Merkaj ushtroi dhunë fizike dhe kanosi me mjet prerës vëllain e tij.

39-vjeçari që u prangos nga policia, nuk është një emër i panjohur për blutë e Vlorës. Gazmend Merkaj, është i riu që guxoi dhe tregoi disa prej krimeve të rënda në Vlorë, siç ishin rrëmbimet deri dhe në vrasje, dhe u dënua dy vite më parë nga Gjykat e Fierit për akuzën e “Armëmbatjes pa leje”.

Në vitin 2018, Merkaj u vetëdorëzua në polici me një armë zjarri në çantë, të cilën ka thënë se e mbante, për shkak të kërcënimeve. Ky i penduar ka treguar se e ka ndjerë veten të kërcënuar për t’u vrarë, nga anëtarët e një grupi kriminal në Vlorë dhe më konkretisht nga Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj.

Sipas të penduarit Merkaj, pikërisht këta persona kanë vrarë me çekiç në makinë Albano Xhaferin dhe më pas trupin e tij e kanë zhdukur. Gjithmonë sipas tij, një veprim i tillë është kryer për llogaritë shtetasit Edison Harizaj, një tjetër e mirënjohur në Vlorë.

Pas dëshmisë së tij prokuroria e Vlorës urdhëroi arrestimin e dy personave Besart Zharzha, i cili është ende në burg dhe personin tjetër A.S, i cili ndodhet në gjendje të lirë. Sipas të dhënave që ka mbledhur prokuroria e Vlorës, ka arritur në konkluzionin se bazuar në veprimet e para hetimore, rezulton se Albano Xhaferi është vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur brenda ose jashtë shtetit me persona të tjerë dhe trupi është transportuar dhe fshehur për të bërë të pamundur zbardhjen e ngjarjes.

Po kështu, nga ana e organit të prokurorisë është arritur në konkluzionin se, në ngjarjen e ndodhur konstatohen elemente të veprave penale të “Moskallëzim të një krimi” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të kryera nga shtetasi A.S, pasi ky shtetas ka marrë dijeni se me automjetin e Aleksandër Çaushaj, ishte kryer një krim dhe ka kryer veprime duke e pastruar dhe fshirë gjurmët e kryerjes së këtij krimi.