MENU
klinika

"Bëmat" e kryegjyqtares së Elbasanit

KLGJ kërkon ekspertizë për videot: Të zbardhen tekstet

15.07.2021 - 10:27

Në vendimin e zbardhur dje nga ana e KLGJ-së, thuhet se për të ardhur në një  konkluzion të drejtë dhe të rregullt disiplinor të filluar ndaj gjyqtares, “është i nevojshëm dokumentimi i  tekstit të këngëve që shoqërojnë në sfond muzikor videot me imazhin personal të magjistrates, që nga ILD janë vlerësuar me natyrë jo  të hijshme dhe të përshtatshme për imazhin e një  magjistrati”.

Gjithashtu, në  vendim i kërkohet Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, institucion ky që kërkoi pezullimin nga detyra të  gjyqtares, se është “i nevojshëm administrimi i të dhënave profesionale të magjistrates, në drejtim të rezultateve në punë, eficencën  dhe produktivitetin e saj”. Në vendimin prej 23 faqesh i kërkohet gjithashtu ILD-së të bëjë hetime të mëtejshme “edhe në çdo aspekt tjetër që mund të vlerësojë të nevojshëm dhe të dobishëm për shkeljen disiplinore”.

EKSPERT TEKNOLOGJIE PËR VIDEOT

Në vendimin e KLGJ-së thuhet se hetimi disiplinor nuk është i mjaftueshëm  për të arritur një konkluzion të drejtë dhe kërkohet  të sqarohet nëse videot e publikuara nga gjyqtarja kanë qenë të qëllimshme apo të rastësishme. Këshilli i Lartë i Drejtësisë  “çmon mjaft të rëndësishëm verifikimin e faktit  nëse videot personale të magjistrates, të regjistruara nëpërmjet telefonit celular të saj, sikurse ajo  pranon, janë publikuar ose jo prej saj dhe nëse po, rrethin e personave që u ka krijuar akses për shikimin e tyre, për të kuptuar kështu nëse magjistratja ka dëshiruar të shfaqej në atë mënyrë përpara të tretëve dhe në eventualitet përpara publikut të gjerë apo  kjo ka ngjarë nga pakujdesia e saj (qoftë dhe nga  mosmarrja e masave të duhura) ose keqdashja e  dikujt, siç ajo pretendon”. Për këtë arsye, në raport kërkohet që të merret edhe mendimi i një eksperti në  fushën e teknologjisë së informacionit. “Eksperti do të duhet të verifikojë dhe të sjellë të dhëna për kohën dhe mënyrën e realizimit të videove nga magjistratja, aplikacionin e përdorur nga ajo, si dhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre, ku janë publikuar ato fillimisht dhe  nga kush”, thuhet në vendim.

PAMJET E KAMERAVE TË SIGURISË

Nga sekuestrimi i kamerave të sigurisë në Gjykatën  e Elbasanit më 31 maj, pak ditë pas publikimit të  videove nga ana e inspektorëve të ILD-së, duket se nuk janë marrë të dhëna domethënëse për gjyqtaren. Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se gjatë hetimit janë administruar 8 DVD të pamjeve nga kamera të tilla, nga “ku nuk kanë rezultuar të dhëna të vlefshme për objektin e hetimit disiplinor, pasi memoria e tyre është vetëm 4 ditë, ndërsa videot janë publikuar në datat 14, 15 dhe 20 maj”.

VIDEOT

Skandali me videot “TikTok” të gjyqtares që bënte paradë në ambientet e Gjykatës u publikuan në  media në fund të muajit maj. Videot shoqëroheshin  me këngë të reperëve shqiptarë, midis të tjerave  edhe me këngën “mafia, mafia jam vetë”. Në një  tjetër video gjyqtarja reklamonte veshjet e markave të  shtrenjta dhe makinën e saj tip “Audi”, ndërsa në një moment ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.

PEZULLIMI NGA DETYRA

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin nga  detyra të kryetares së komanduar të Gjykatës së Elbasanit më 7 qershor deri  në përfundim të hetimit disiplinor. Ishte ILD që  kërkoi nga KLGJ pezullimin dhe shkarkimin e gjyqtares Kapedani, pas  videove që gjyqtarja publikonte në “Tik-Tok”, ku  shfaqej duke bërë “sfilatë” në zyrën e saj në gjykatë.

Kreu i ILD-së, Artur Metani, tha gjatë seancës në  KLGJ se ekzistonin kushtet që gjyqtarja të pezullohet. “Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të  masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës  deri në përfundimin e pro- cedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton  rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit”, tha Metani.

DORËHEQJA

Në kohën kur në Këshillin e Lartë Gjyqësor nisi  seanca dëgjimore për pro- cedimin disiplinor të  kërkuar nga ILD-ja, Enkeleda Kapedani dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares në Gjykatën e Elbasanit. Me argumentin për të mos penguar hetimin e ILD-së, Kapedani njoftoi dorëheqjen nga posti. Kapedani e nisi fjalën e saj me një ndjesë publike, ndërsa kërkoi nga anëtarët e KLGJ-së gjykim të drejtë. Ajo tha se telefoni celular përdorej edhe nga fëmijët e saj, duke shtuar se e kishte dërguar gjithashtu disa herë edhe në servis, duke theksuar se nuk e dinte kush i kishte hedhur videot. “Dyshoj se videot mund të jenë hedhur në ‘Tik-Tok’ nga djali im, por e kam çuar edhe në servis telefonin dy herë. Mund të  jetë hakeruar ndonjë program”, ka thënë Kapedani  e përlotur gjatë seancës në KLGJ.

Nga “Miss Shqipëria” në krye të Gjykatës së Elbasanit, rrugëtimi i gjyqtares Enkeleda Kapedani

Karriera e nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit mund të ndërpritet në mes jo për shkak të vetingut, siç po ndodh me shumicën e kolegëve të saj, por për shkak të videove të publikuara në rrjetet sociale, duke  sfiluar në ambientet e institucionit që drejtonte që prej vitit  2019. E shpallur “Miss Shqipëria” në konkursin e bukurisë në vitin 2003, Enkeleda  Kapedani vendosi të studionte për drejtësi.

Pas studimeve  pranë Fakultetit të Drejtësisë, ajo ndoqi Shkollën e Magjistraturës me profil gjyqtar dhe  pas përfundimit të stazhit nisi karrierën në sistemin e drejtësisë. Në vitin 2015 ajo u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani në detyrën e  gjyqtares në Gjykatën e Elbasanit, ku ka punuar deri në momentin e pezullimit nga detyra. Gjatë këtyre viteve, emri i saj bëri bujë në media pasi firmosi lirimin me kusht të Viktor Imerit, ish-anëtar i  bandës së Gaxhait, i cili konsiderohej nga Policia dhe  Prokuroria si një nga njerëz- it më të afërt të Gazmend Brakës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Në dhjetor të vitit 2019, ministrja e Drejtësisë, Etilda  Gjonaj, i kërkoi KLGJ-së që të verifikonte vendimin e dhënë nga Kapedani për Ymerajn, i dënuar në vitin 1999 me burgim të përjetshëm për  vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, ngjarje këto të  ndodhura në Durrës. Më 9 korrik 2019, gjyqtarja i uli 360  ditë burgim Viktor Ymerit, i cili më herët kishte shmangur burgimin e përjetshëm duke ia konvertuar në 25 vite burg.  Një ditë më pas, sërish Gjykata e Elbasanit i ul një vit nga  dënimi dhe më 27 nëntor merr një tjetër hiqen edhe 5 muaj të tjerë, duke kërkuar në fundit të vitit lirimin e menjëhershëm nga burgu. Kapedani u emërua kryetare e komanduar e Gjykatës së Elbasanit më 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.