MENU
klinika

Kalon në kryesi vetëm draftin e Bashës

Komisioni i PD, me dorë të hekurt, rrëzon tri propozimet e të tjerëve

15.07.2021 - 17:03

Në këto tri javë, në selinë blu mbërritën 4 drafte me propozime për ndryshime në statutin e PD-së. Por në mbledhjen e djeshme, Komisioni i Përhershëm i Ndryshimeve Statutore me dorë të hekurt skualifikoi tri prej tyre, atë të Fatbardh Kadillit, Edit Harxhit dhe tenorit Rudi Sata dhe me shumicë votash vendosi që të çojë në mbledhjen e sotme kryesisë vetëm propozimet e kryedemokratit Basha.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bën me dije për gazetën “Panorama” se ishte sekretari i Përgjithshëm i PDsë Gazment Bardhi, i cili ishte më kategoriku ndaj 3 propozimeve të tjera veç Bashës. Mësohet se një nga argumentet që është përdorur në mbledhje për skualifikimet e draftit të Kadillit dhe Harxhit ishte fakti se shumica e propozimeve të tyre ishin në platformën e tyre në garën për kreun e PDsë. Duke qenë se humbën për anëtarët e Komisionit, kjo është lexuar si një refuzim nga ana e demokratëve. Pavarësish ideve të ndryshme, që u diskutuan në mbledhjen që zgjati më shumë se dy orë e gjysmë, në fund shumica votoi pro linjës së Bardhit për të kaluar për shqyrtim vetëm draftin e kryetarit të opozitës.

Shkurtimisht, atë që ndodhi në mbledhjen e gjatë të Komisionit për Ndryshimet Statutore e tha anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo. “Ishin paraqitur 4 propozime, të cilat binin në dy blloqe. Në një bllok që trajton statutin aktual dhe që përmirëson statutin aktual dhe një bllok tjetër që ka në thelb rikonceptimin e PD-së dhe mënyrën si operon elektoralisht. Komisioni me shumicë votash mendoi t’i përcillte mbledhjes së kryesisë vetëm draftin e z. Basha”, u shpreh anëtari i Komisionit, Bozdo.

KOMPETENCAT E KOMISIONIT

Në vijim të fjalës së tij, Bozdo tha se tagrat e Komisionit për Ndryshimet Statutore nuk janë të qarta dhe se nuk duhet që të kishte marrë vendim drastik për t’i përjashtuar propozimet e tjera. Sipas tij, për propozimet politike vendimmarrja i takon kryesisë së PD-së dhe më pas Këshillit Kombëtar. “Qëndrimi im ka qenë që të gjitha propozimet jo procedurale, por politike që kanë të bëjnë me rolin e organeve të veçanta të PD-së apo diskutimi për çështjet e nxehta apo çështje të platformës së z. Kadillit, mendoj se duhet të jenë vendimmarrje e kryesisë së PD-së. Nuk mendoj se komisioni duhet të merrte një vendim të tillë. Madje edhe kryesia e parisë nuk mund të marrë një vendim të tillë. Se çfarë i duhet PD-së sot, unë jam i qartë. Do e them nesër (sot) në mbledhje. Do ua them edhe juve. Propozimet bien në dy grupe.

Ato që rregullojnë statutin aktual që janë patjetër të vlefshme dhe propozime që rikonceptojnë PD-në. Të gjitha këto janë politike dhe duhet të vendos kryesia e PD-së për këtë. Tagri i Komisionit nuk është i qartë. Komisioni mund të shprehet me një vendim duke gjykuar njërin apo tjetrin, por nuk duhet ta heq nga tavolina e diskutimit të PD-së”, tha Bozdo.

MANDATI I KRYETARIT TË PD

Një tjetër pikë e nxehtë e diskutimeve në mbledhjen që zgjati më shumë se dy orë dje ishte edhe çështja për kufizimin e mandatit të kryetarit. Emëruesi i përbashkët i tre propozuesve të Ndryshimeve Statutore ishte kufizimi i mandatit të kryetarit. Si Kadilli, ashtu edhe Harxhi e tenori Sata, kërkonin që të kufizohej mandati i kryetarit të partisë. Por, kjo çështje ra në mënyrë kategorike. Në draftin e Kadillit, Harxhit dhe Satës, e përbashkëta ishte fakti që mandati i kreut të PD-së të lidhej me rezultatin e zgjedhjeve.

Ish kandidati për kryetar të PD-së, Kadilli, në platformën e tij i jepte kompetenca të plota kryetarit për të zgjedhur grupin parlamentar, qeverinë në hije, sekretarët dhe të gjithë postet politike të PD-së dhe në zgjedhjet parlamentare nëse PD-ja fitonte zgjedhjet, atëherë mandati i kreut të PD-së zgjatej me 4 vite, ndërsa nëse humbiste, atëherë kreu i PD-së largohet nga drejtimi i partisë pa të drejtë rikandidimi. Por, burimet konfirmuan se numri dy i PD-së, Gazment Bardhi, e ka rrëzuar këtë opsion me argumentin se fraksione brenda partisë ngrihen për të punuar kundër kryetarit të PD-së dhe rrjedhimisht kundër fitores së zgjedhjeve për të larguar një kryetar. Ndërsa argumenti tjetër mbështetës sipas tyre ishte se në asnjë nga partitë e europiane nuk e ka të normuar një gjë të tillë. Sipas argumentit të anëtarëve të Komisionit, akti i largimit i lihet në dorë drejtuesit si çështje morale.

PROPOZIMET E KADILLIT DHE HARXHIT

KADILLI

1- KRYETARI I PARTISË Kryetari i partisë zgjidhet për një mandat katërvjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve; Kryetari i partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës.

2- DREJTIMI I PARTISË

2.1- Drejtimi politik i partisë Kryetari është drejtuesi politik i partisë; Kryetari krijon Kabinetin Qeveritar/në opozitë Kabinetin në hije; Kryetari emëron drejtuesit/përfaqësuesit e partisë në komisionet parlamentare; Kryetari emëron drejtuesit e Grupit Parlamentar; Kryetari emëron Kabinetin e Këshilltarëve të tij, si dhe ngre zyra politike që ndihmojnë atë në kryerjen e funksioneve të drejtimit të partisë;

2.2- Kryesia e partisë Kryesia e partisë përbëhet nga: Kabineti Qeveritar hije, nga kryesia e Grupit Parlamentar dhe nga drejtuesit/përfaqësuesit në komisionet e përhershme parlamentare; (e gjithë kryesia është e zgjedhur automatikisht nga kryetari dhe secili kryen funksionet që i janë caktuar). Kryetari mund të shkarkojë për shkak të performancës politike anëtarët e kryesisë (njëherësh nga funksioni individual); Çdo ministër hije (zëdhënës) ngre departamentet e nevojshme për të mbuluar fushën që ka në kompetencë dhe emëron ekipet politike qendrore dhe lokale të fushës së tij të kompetencës/veprimit politik; Drejtuesit e Grupit Parlamentar dhe drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare krijojnë ekipet e nevojshme të këshilltarëve për të ndihmuar dhe asistuar me ekspertizë deputetët.

HARXHI

Në Statutin Alternativ të paraqitur në vitin 2017 kam propozuar kufizimin e mandatit të kryetarit të partisë pas humbjes së dy palë zgjedhjeve të përgjithshme, por titullari i partisë nuk e pranoi këtë propozim, megjithëse shumë demokratik. Sot, kur ne kemi tri zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qendror dhe vendor për arsye të vendimmarrjes së gabuar politike të kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e kryetarit të partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetëra anëtarë të kryesisë së PDSH-së dhe disa sekretarë të Përgjithshëm, ndërkohë që kryetari i partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet e PDSHsë dhe për premtimet e jo të mbajtura?

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dosja “5D”/ Mariglen Qato edhe Redi Molla i dhanë 11 tendera kompanisë së vet!

Si ranë në pranga 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë

Me firmën e tij ‘avulluan’ 140 milionë lekë në Fier!

Vetting/ ‘Dora e zezë’ e Ceno Klosit edhe tek Inceneratorët!