MENU
klinika

Mbetjet në Kavajë

Kompania private: Kryebashkiaku Krali refuzon deklarimin e sasisë

14.07.2021 - 11:35

Kompania private “Integrated Energy” të martën ka reaguar për deklaratën e kryetarit të Bashkisë Kavajë, në lidhje me problematikën e depozitimit të mbetjeve të territorit të kësaj bashkie.

Në një deklaratë për mediat, “Integrated Energy” thekson se të gjendur përballë këtij fakti, jemi të detyruar të përgënjeshtrojmë dhe të informojmë në lidhje me këtë problematikë, për shkak të transparencës kundrejt opinionit publik.

Sipas saj, kryetari i Bashkisë Kavajë refuzoi të deklaronte sasinë e mbetjeve, duke fshehur të dhënat edhe pse i tenderon çdo vit dhe duke refuzuar të deklarojë se sa ton plehra do të depozitonte në Sharrë.

“Në datën 15.06.2021 është lidhur një akt-marrëveshje depozitimi ndërmjet Bashkisë Kavajë dhe “Integrated Energy BV SPV” shpk. Përveç akt-marrëveshjes së depozitimit nga ana e shoqërisë është kërkuar edhe dokumentacioni plotësues në lidhje me procedurat e depozitimit që ndjek shoqëria. Një kusht themelor në aktivitetin e shoqërisë tonë, e cila operon në Zonën e Trajtmit të Mbetjeve Tiranë(Z.T.M.T) sipas të gjitha standarteve të BE”, citohet nga deklarata.

 

 

Kompania thekson se Bashkia Kavajës nuk e plotësoi dokumentacionin e kërkuar, duke e mbajtur atë peng dhe duke mos dashur të deklarojë sasinë e saktë të mbetjeve që gjeneron kjo bashki në ditë.

Sipas saj, këto deklarime, janë të nevojshme për ecurinë e marrëdhënies kontraktuale ndërmjet palëve.

“Pikërisht mosdeklarimi nga ana e Bashkisë Kavajë i sasive të depozitimit për mbetjet e gjeneruara nga territori i Bashkisë Kavajë, të cilat do depozitoheshin pranë Z.T.M.T krijoi këtë pengesë që sipas kryetarit të kësaj bashkie zotit Krali, ishte faji i shoqerisë dhe jo i Bashkisë. Sot në takimin e Kryetarit të Bashkisë Kavajë me Administratoren e shoqërisë u krye edhe finalizimi i procedurës në lidhje me plotësimin e dokumentacionit nga ana e Bashkisë Kavajë. Nga sot Zona e Trajtimit të Mbetjeve ka pritur depozitimet e mbetjeve të ardhura nga territori i kësaj Bashkie”, citohet nga deklarata.

Mirëpo, sipas “Integrated Energy”, nuk është hera e parë që Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë ndeshet me problematikën e mosdeklarimit të saktë të sasive të mbetjeve që vijnë për depozitim nga bashkitë e qarkut Tiranë.

“Ne si shoqëri, jemi të gatshëm të vijmë në ndihmë, të bashkëpunojmë, të ofrojmë shërbim, por duke gjetur mënyrën më të mirë për ti dhënë zgjidhje trajtimit të mbetjeve sipas të gjitha standarteve të përcaktuara nga BE. Jemi të keqardhur kur dëgjojmë deklarata të tilla, apo thirrje publike për “hapjen e traut” nga kryetari i Bashkisë së Kavajës zoti Krali, të cilin e inkurajojmë të mbajë përgjegjësitë dhe të respektojë rregullat dhe ligjet për një mbarëvajtje korrekte midis Palëve”, thuhet në deklaratë.

Në reagimin e saj për mediat, kompania thekson se mban përgjegjësi të plotë për sasitë dhe tipologjinë e mbetjeve në bazë të kontratës së koncesionit dhe ligjeve në fuqi dhe pikërisht për këtë, për faktin, se e ka të pamundur “të hapë dhe të mbyllë traun” sipas dëshirës dhe në kundërshtim me ligjin.

“Integrated Energy”, nënvizon se është e vendosur të mos cënojë asnjë kriter dhe standard të BE-së mbi të cilat Zona më e madhe e Trajtimit të Mbetjeve në vend operon.